Futboll

Barcelona luan për titull, Reali për ta hapur garën

Ancelotti-Flick

Foto: Associated Press

Barcelona dhe Real Madridi do të përballen të dielën në “El Clasicon” e vonshme në La Liga, që mund të ketë ndikim shumë të madh në garën për titull kampioni. Ndeshja nis në orën 16:15.

Pas këtij ballafaqimi, mbesin edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit në Spanjë.

Madridit i duhet fitorja për të shpresuar që trajneri Carlo Ancelotti të përshëndetet me skuadrën me trofe të fituar.

Barcelona përveçqë t’i afrohet titullit të kampionit, shpreson që të jetë “El Clasico” e fundit në stadiumin e përkohshëm olimpik. “Nou Camp” i ri pritet të hapet nga fillimi i edicionit tjetër.

Gara për titull, e hapur

Barcelona ka epërsi prej katër pikëve ndaj Real Madridit në krye të tabelës së La Ligas, katër xhiro para fundit. Barça i ka 79 pikë. Një tjetër fitore do të bënte që Barcelona të jetë në prag të titullit.

Por fitorja e Madridit do ta hapte plotësisht garën. Dallimi do të ishte vetëm një pikë.

Dy prej tri ndeshjeve të fundit të Barcelonës janë kundër skuadrave që janë në zonën e Ligës së Kampionëve. Barcelona luan kundër Villarrealit në shtëpi dhe kundër Athletic Bilbaos si mysafir.

Skuadra e vendit të dhjetë, Mallorca, është kundërshtarja me renditjen më të lartë me të cilën Madridi do të luajë pas klasikes.

Barcelona këtë sezon ka shkëlqyer duke realizuar 91 gola në La Liga, ndërsa Reali ka 69 gola.

“Clasico” e fundit për Ancelottin

Kjo pritet të jetë “El Clasico” e fundit për trajnerin legjendar të Real Madridit, Carlo Ancelotti.

Italiani 65-vjeçar ka qenë në krye të Realit prej vitit 2013 deri në vitin 2015, para se ta merrte drejtimin e ekipit për herën e dytë në vitin 2021.

Ancelotti është i vetmi trajner që e udhëhoqi Madridin drejt 15 trofeve si trajner – përfshirë këtu tre trofe të Ligës së Kampionëve e dy tituj të La Ligas.

E ka rastin që të luftojë për trofeun e 16-të.

Asgjë zyrtare nuk ka pasur deri tani, por Ancelotti pritet të largohet në fund të edicionit, ndoshta edhe para Kupës së Botës për Klube, që organizohet në verë.

Ish-mesfushori i Liverpoolit dhe Real Madridit, Xabi Alonso, pritet ta zëvendësojë atë. Spanjolli njoftoi të premten për largimin nga Bayer Leverkuseni.

A mundet Flicku ta fitojë edhe derbin e dytë në ligë?

Edicionin e parë në krye të Barcelonës, gjermani Hansi Flick e pati të shkëlqyer. Ai i fitoi dy trofe, pasi skuadra e Barçës ishte më e suksesshme në “El Clasico”.

Gjermani mund ta arrijë edhe fitoren e katërt të dielën, nga po aq klasike të udhëhequra . Barcelona fitoi 4:0 në “Bernabeu” në ndeshjen e parë në ligë këtë edicion, në muajin tetor.

Dy skuadrat e mëdha u takuan sërish në janar, në finalen e Superkupës së Spanjës. Barcelona fitoi 5:2, pavarësisht se portieri Wojciech Szczesny u përjashtua nga loja me të kuq në minutën e 56-të.

Në fund të muajit prill, Barcelona fitoi 3:2 në ndeshjen me vazhdime, të zhvilluar në Sevilla, për triumfin në Kupën e Mbretit.

Yamal apo Mbappe?

Shumëçka është thënë për ndikimin e Lamine Yamalit këtë edicion – sidomos në paraqitjet që i pati në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve kundër Interit. Megjithatë Barcelona u eliminua në mesjavë.

Futbollisti 17-vjeçar që përfaqëson Spanjën, ka qenë asistues në 21 gola të Barçës këtë edicion, ndërsa ka shënuar 14-të herë.

Në tri klasiket e këtij edicioni, ai i realizoi dy gola dhe asistoi në dy të tjerë.

Kylian Mbappe, që dikur ishte 17-vjeçari për të cilin fliste e gjithë bota, ka pasur pak a shumë paraqitje të ngjashme në edicionin e tij të parë te Real Madridi.

Kapiteni i Francës, tani 26-vjeçar, ka realizuar 35 gola në të gjitha garat. Në La Liga, ai prin në listën për “Këpucën e Artë” me një gol më shumë sesa Robert Lewandowski që ka 24 gola.

A mundet Bellingham ta përsëritë magjinë e “El Clasicos” së parë?

Në edicionin e kaluar, të parin te Real Madridi, anglezi Jude Bellingham ishte mbreti i “El Clasicos”.  

Madridi i fitoi të tre derbit, përfshirë finalen e Superkupës së Spanjës. Bellingham ishte hero në të dy fitoret në La Liga.

Në tetor të vitit 2023, Bellinghami shënoi supergol nga afro 30 metra dhe më pas realizoi me goditje volej në fitoren 2:1.

Në muajin prill të vitit 2024, ai shënoi në minutën e fundit në fitoren dramatike 3:2 në “Bernabeu”.

Në këtë edicion ai ka qenë në formë të mirë me 13 gola, por asnjë në “El Clasico”. Në sezonin e kaluar, kur Real Madridi e fitoi titullin, Bellingham kishte 23 gola të shënuar në total.