Sulmuesi Edon Zhegrova, portieri Arijanet Muriq dhe mesfushori Florent Muslija e përcollën nga telefonat e tyre ndeshjen të cilën Kosova e fitoi të hënën mbrëma ndaj Qipros, thellë 4:0, në Larnaca.
Tre futbollistët u suspenduan për “thyerje të rregullores disiplinore”. Ngjashëm do të veprohet edhe me lojtarët e tjerë nëse bëjnë shkelje, thotë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
Tre lojtarët e Kosovës kanë thyer rregullat duke dalë pa leje nga hoteli gjatë periudhës së grumbullimit me Përfaqësuese. Ka pasur raportime se kanë qëndruar në klube nate.
Nga FFK-ja nuk kanë njoftuar për shkeljen që kanë bërë tre prej lojtarëve të rëndësishëm të Përfaqësueses. Më shumë nuk ka zbuluar as kryetari Ademi në përgjigjet dhënë KOHËS. Por ai thekson se masat ndëshkuese do të vlejnë për të gjithë lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës.
“Do të jetë si gjithnjë. Asgjë më shumë se respektimi i Rregullores dhe respektimi i fanellës së Kombëtares. Kushdo që ka bërë shkelje të Rregullores, sanksionohet. Është njëjtë për të gjithë”, ka thënë Ademi për KOHËN.
I pari i FFK-së konfirmon se lojtarëve nuk u është lejuar dalja jashtë hotelit. Muriq dhe Muslija kanë pranuar se kanë dalë pa leje nga hoteli, një ditë pas humbjes së thellë nga Rumania në Prishtinë. Por mohojnë se kanë frekuentuar klubet e natës. Thonë se kanë dalë për të darkuar.
“Nëse do ta kishin lejen, nuk do të ishte ndëshkimi”, është shprehur Agim Ademi.
Portieri Aro Muriq ishte i suspenduar edhe në të kaluarën nga FFK-ja. Ka pasur raportime se kishte shkuar i dehur në stërvitje. Mosmarrëveshje ka pasur edhe Edon Zhegrova. Ndërkohë për Florent Muslijën, që luan në Bundesligë, nuk ka pasur ndonjë njoftim për shkelje të deritashme. Por edhe për të nuk ishte shkelja e parë dhe e vetme, ka mësuar KOHA.
“Vendimi ka qenë i ditur, që ai i cili shkel Rregulloren normalisht që sanksionohet. Vendimi është i mbështetur nga FFK-ja, që do të thotë, i përbashkët. Kështu veprohet në të gjitha kombëtaret. Kombëtarja është përtej futbollit dhe klubeve. Është përfaqësim i shtetit, prandaj kujdesi dhe detyrimi është më i madh”, ka thënë Ademi.
Kreu i FFK-së nuk ka treguar nëse do të ketë masa të tjera për tre lojtarët. Por ka theksuar se respektojnë rregulloret në fuqi.
Në fakt, ka pasur vlerësime të ndryshme nëse vendimi për t’i larguar tre lojtarët ishte i drejtë. Por Ademi insiston se të gjithë duhet t’i respektojnë rregulloret.
“Si institucion respektojmë rregulloret e nxjerra. Të gjithë akterët e kanë pasur të ditur këtë”, është shprehur ai.
Ademi fton lojtarët të jenë të disiplinuar dhe të japin maksimumin në fushë. Ai është i kënaqur me angazhimin e lojtarëve në ndeshjen ndaj Qipros. Por, qartë se Qiproja nuk është e nivelit të Rumanisë. Rumania është bindshëm përfaqësuese më e denjë. Ka qenë pjesëmarrëse në evropianin “Gjermania 2024”.
“Fitorja gjithmonë e ngrit moralin dhe ndikon në ngritje në renditje. Fitorja kundër Qipros dërgon mesazhin te të gjithë futbollistët se duhet në fushë të japësh 100 % dhe të luhet gjithmonë për fitore. Angazhimi i plotë sjell rezultatin dhe ruan nivelin”, ka thënë Ademi.
Nuk dihet nëse tre lojtarët do të ftohen për ndeshjet e muajit tetor. Por ajo që pritet nga lojtarët e Kosovës janë fitoret ndaj dy kundërshtarëve të radhës.