Futboll

Zhegrova, Muriq e Muslija "përjashtohen" nga përfaqësuesja

Edon Zhegrova

Edon Zhegrova, Arijanet Muriq e Florent Muslija janë larguar nga përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjen me Qipron. Ata kanë thyer rregulloren disiplinore, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës. FFK-ja ka thënë se për masa të mëtejme do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv. Në Përfaqësuese ndërkohë është ftuar portieri i Dritës, Faton Maloku.

"Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arjanet Muriq, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata. Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë, do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ndërkohë, ekipit do t’ i bashkohet, portieri që ka qenë në listen e pritjes, Faton Maloku nga FC Drita", njofton FFK-ja.

Kosova të premten u mposht 3:0 në stadiumin "Fadil Vokrri" nga Rumania në kuadër të Ligës së Kombeve. Muriq e Zhegrova ishin titullar, ndërsa Muslija u inkuadra në pjesën e dytë. Futbollistët e Kosovës u fishkëllyen pas ndeshjes. 

Kosova ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve e zhvillon të hënën në udhëtim ndaj Qipros.