Tre prej lojtarëve kryesorë të Kosovës, Edon Zhegrova, Aro Muriq e Florent Muslija kanë pranuar se në grumbullimin e kaluar të përfaqësueses kanë shkelur rregullat. Ata kanë kërkuar falje për gabimin.
Letrën e kërkimfaljes së Zhegrovës, Aro Muriqit dhe Muslijës e publikoi Federata e Futbollit e Kosovës të premten, bashkë me listën e selektorit Franco Foda për dy ndeshjet e këtij muaji. Të tre lojtarët janë pjesë e listës për ndeshjet me Lituaninë dhe Qipron. Me shumë gjasë Aro Muriq e Zhegrova edhe do të startojnë në dy ndeshjet.
“Të nderuar bashkëlojtarë, trajnerë, federatë dhe mbi të gjitha tifozë të Kombëtares së Kosovës. Po u drejtohemi me këtë letër për t’u thënë se kemi bërë një gabim dhe nuk i kemi ndjekur rregullat e ekipit kombëtar. Për këtë ne duam t’i kërkojmë falje trajnerit, bashkëlojtarëve, federatës dhe tifozëve. Ne duam të luajmë për shtetin tonë dhe gjithmonë do të bëjmë më të mirën në të ardhmen”, shkruan në letrën e kërkimfaljes. Ajo është firmosur nga të tre lojtarët që janë pjesë e klubeve në ligat e mëdha evropiane.
Më 8 shtator, një ditë para ndeshjes me Qipron, FFK-ja kishte publikuar njoftimin për largimin nga grumbullimi të tre lojarëve.
“Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe federatës, tre futbollistët, Aro Muriq, Edon Zhegrova e Florent Muslija, janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe federata. Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së”, shkruante në njoftim.
Kishte raportime se tre lojtarët kishin dalë pa leje nga hoteli i përfaqësueses dhe kishin qëndruar në klube nate. Zhegrova e Muriq kishin mohuar thyerjen e rregullores, ndërsa Muslija kishte kërkuar falje përmes një postimi.
Edhe ditë më parë Zhegrova, që po kalon formë të lartë te Lille në Francë, mohoi që vendimi për largim nga grumbullimi ishte i selektorit Foda.
“U vonova në takim. Mendoj se nuk ishte vendim i trajnerit, por vendim i FFK-së. Për atë edhe isha pak i nervozuar. Ka disa njerëz që nuk më duan dhe thonë fjalë të këqija për mua. E njoh veten, e disa sa profesional jam dhe kur kam lexuar disa lajme se kinse kam dalë në klub nate, nuk është ashtu, sepse nëse dua të shkoj në klub, do ta dinin të gjithë. Gjëja më e keqe ishte se trajneri nuk e mori vendimi, por Federata”, ka thënë Zhegrova më 26 shtator.
Megjithatë në letrën që e publikoi FFK-ja ai kërkoi falje dhe pranoi gabimin.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nuk u mor me lojtarët e larguar nga grumbullimi. Vendimi final iu la selektorit Foda. Dhe ai vendosi të kthejë të tre. Nuk është saktësuar nëse letra e kërkimfaljes është pjesë e ndonjë kompromisi për kthimin e tyre.
Por ky rast besohet se do të shërbejë që disiplina në përfaqësuese të jetë në nivel dukshëm më të lartë. Deri më tani, disiplina ka lënë shumë për të dëshiruar.