Për shumë kohë Marc-Andre ter Stegen ishte portieri i parë i Barcelonës. Ter Stegen i mungoi Barçës edicionin e kaluar në 51 ndeshje për shkak të një lëndimi të rëndë që e pësoi në gju. Gjermani Ter Stegen ka pritur tetë muaj deri në rikuperimin e plotë.
Në portë te Barça në shumicën prej ndeshjeve në edicionin 2024/25 ishte polaku Wojciech Szczesny. Ai u kthye prej pensionimit për ta zëvendësuar Ter Stegenin te gjiganti katalunas.
33-vjeçari Ter Stegen, siç po raportohet nga mediumet spanjolle, pritet të jetë vetëm portieri i tretë i Barçës për edicionin e ardhshëm. Kjo vjen pasi skuadra e Hansi Flickut e transferoi Joan Garcian nga Espanyoli. Ndërkohë së fundi edhe Szczesny e vazhdoi kontratën me Barçën edhe për dy vjet.
Kjo nuk po i pëlqen ish-portierit të Përfaqësueses së Gjermanisë, Rene Adler.
Në një intervistë për “Kicker”, Adler deklaroi se është për të ardhur keq ajo që Barça po mundohet t’ia bëjë Ter Stegenit.
“Mendoj se është për të ardhur keq që një lojtari që ka luajtur mbi 400 ndeshje zyrtare, që është kapiten, që gjithmonë i ka mbetur besnik klubit madje duke hequr dorë nga rroga e tij në kohë krize, nuk i jepet më mundësia të luftojë për vendin e tij”, ka thënë Adler.
40-vjeçari Adler me Gjermaninë i ka zhvilluar 12 ndeshje.