Futboll

A digjen veturat sportive më shpejt se të tjerat?

A digjen veturat sportive më shpejt se të tjerat?

Ylli portugez i futbollit, Diogo Jota, vdiq në një aksident tragjik me veturë. Bëhet fjalë për një veturë sportive, Lamborghini Huracan, të marrë me qira. Video të veturave sportive që marrin flakë, qarkullojnë vazhdimisht. Shumë tani pyesin nëse ato digjen më shpejt se veturat “normale”

(Blick) – Lajmi për vdekjen e yllit portugez të futbollit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, Andre Silva, e ka tronditur botën e sportit. Sipas raportimeve të mediave, sulmuesi i Liverpoolit vdiq në veturën Lamborghini Huracan, të marrë me qira, në autostradën A-52 në Spanjën veriperëndimore, në afërsi të kufirit me Portugalinë.

Vëllezërit ishin duke udhëtuar për në Angli, pasi fluturimi me aeroplan do të ishte shumë i rrezikshëm për Jotan për shkak të një operacioni në mushkëri, të cilit i ishte nënshtruar së fundi. Udhëtimi planifikohej me veturë e më pas me traget.  

Tani, gjithnjë e më shumë detaje rreth aksidentit po dalin në publik. Sipas policisë, njëra nga dy gomat e pasme të veturës sportive shpërtheu gjatë një parakalimi. Kjo bëri që vetura të rrëshqiste, ta çante një mbrojtëse anësore të rrugës, të rrokullisej dhe menjëherë të merrte flakë.

Dy futbollistët nuk ishin në gjendje të dilnin nga vetura dhe u dogjën për vdekje. Lamborghini u shkatërrua aq shumë sa që nuk njihej.

Shpërthimi i gomës që e solli aksidentin e tmerrshëm ndodh rrallë, por është një nga prishjet më të rrezikshme në trafikun rrugor. Te shpërthimi i gomës mund të vijë për shkak të presionit të pamjaftueshëm të gomës, ndër të tjera, si pasojë e një  mjeti të mprehtë të ngulur në të ose dëmtimit të murit anësor. Mbingarkesa e veturës mund të jetë gjithashtu e rrezikshme, sidomos në kombinim me presionin e pamjaftueshëm të gomave.

Defektet gjatë prodhimit të gomave është tjetër arsye e mundshme, por kjo thuajse përjashtohet për gomat e shtrenjta të Lamborghinit.

Megjithatë, fotografi dhe video të superveturave që digjen vazhdojnë të qarkullojnë në internet. Kjo e ngre pyetjen nëse veturat me performancë të lartë digjen më lehtë se veturat e zakonshme.

Kjo teori nuk mund të vërtetohet vetëm me shifra. Megjithatë, pozicioni i veçantë i instalimit të motorit në mes mund ta favorizojë fillimin e zjarrit.

Ndryshe nga shumica e veturave, motori V10 nuk është i vendosur në pjesën e përparme të veturës, por më tepër pas pasagjerëve. Vendoset midis ndarjes së pasagjerëve dhe boshtit të pasmë, që praktikisht i bie në mes të automjetit.

Përveç motorit të madh V10, sistemi i shkarkimit dhe tubat e vajit dhe karburantit duhet të vendosen në ndarjen e ngushtë të motorit. Edhe rezervuari është i vendosur pas pasagjerëve dhe jo si te veturat me motor përpara, larg komponentëve që janë shumë të nxehtë gjatë funksionimit.

Motorët me performancë të lartë si V10 i Lamborghini Huracan, duhet të jenë në gjendje t’u rezistojnë temperaturave shumë të larta. Shpejtësi maksimale mbi 300 kilometra në orë është e mundur nga këto vetura.

Por, në një aksident të tmerrshëm që përfshin përmbysje, të gjitha këto kushte mund ta shkaktojnë një reaksion zinxhiror fatal dhe kështu automjeti të marrë flakë brenda pak sekondave.