Futboll

Policia spanjolle: Jota dyshohet se po ngiste me shpejtësi para aksidentit fatal

Diogo Jota

Të gjitha dëshmitë deri më tani tregojnë se futbollisti portugez Diogo Jota ishte në timon gjatë aksidentit tragjik në një autostradë në Spanjë dhe, sipas policisë, ai dyshohet se po ngiste me shpejtësi mbi kufirin e lejuar, shkruan BBC.

Lojtari 28-vjeçar i Liverpoolit vdiq së bashku me vëllanë e tij, Andre Silva, 25 vjeç, pas aksidentit në provincën Zamora, në veriperëndim të Spanjës, në orët e para të së enjtes së kaluar. Sipas policisë, njëra nga dy gomat e pasme të veturës sportive shpërtheu gjatë një parakalimi. Kjo bëri që vetura të rrëshqiste, ta çante një mbrojtëse anësore të rrugës, të rrokullisej dhe menjëherë të merrte flakë.

Policia spanjolle, “Guardia Civil” bëri të ditur se automjeti kishte qenë në një manovër parakalimi në autostradë kur doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë.

“Gjithçka tregon se ka pasur tejkalim të mundshëm të shpejtësisë së lejuar”, ka thënë policia lokale rrugore e Zamorës për hetime preliminare.

Vendi ku u aksidentua Jota dhe vëllai i tij

Autoritetet theksuan se, bazuar në gjurmët e gomës së Lamborghinit, të gjitha provat e mbledhura deri tani tregojnë se Jota ishte drejtuesi i mjetit në momentin e aksidentit.

Një raport ekspertize po përgatitet për gjykatën, por hetimet janë bërë më të ndërlikuara për shkak të intensitetit të zjarrit që pothuajse shkatërroi plotësisht veturën.

Aksidenti ndodhi vetëm 11 ditë pasi Jota ishte martuar me partneren Rute Cardoso, në Portugali. Çifti kishte tre fëmijë dhe ishin për një kohë të gjatë në marrëdhënie së bashku.

Vëllezërit ishin nisur drejt portit spanjoll të Santander, ku Jota do të udhëtonte për në Liverpool për t’u bashkuar me ekipin në stërvitjet parasezonale.

Ceremonia mortore u mbajt në qytetin e tyre të lindjes, Gondomar, pranë Portos, gjatë fundjavës.