Fejton - KOHA Ditore, 16 shkurt 2008

Njohja nis të hënën

Njohja nis të hënën

Brukseli i gatshëm pret shpalljen e pavarësisë të dielën(KOHA Ditore, 16 shkurt 2008)

Burimet diplomatike evropiane pohojnë se pasi Kuvendi i Kosovës ta shpallë pavarësinë të dielën, BE-ja në takim të ministrave do të ”marrë në dijeni” këtë zhvillim, ndërsa vendet kryesore të saj, si: Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, që të hënën do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Disa shtete do të shprehin deklaratën për të njohur pavarësinë dhe të nisin procedurat normale nacionale për këtë

Bruksel, 15 shkurt 2008 - Ditën e fundit të javës së fundit pa pavarësi të Kosovës në Bruksel, BE-ja e ka kaluar duke finalizuar përgatitjet për reagime pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë, ndonëse ajo që është kryesorja, e ku duhet të shihet uniteti i BE-së, miratimi i dokumentit të përbashkët të BE-së ende nuk është dakorduar mes shteteve anëtare.

Diplomatë të shumtë të BE-së i kanë thënë “Kohës Ditore” të njëjtën gjë të premten, e ajo është se “do të ketë menjëherë të hënën diskutim të ministrave të jashtëm për Kosovën dhe do të miratohet një qëndrim i përbashkët”. Ka mbetur ende e hapur madje edhe vetë emërtimi i atij dokumenti dhe ende nuk është e sigurt nëse do të quhet ”deklaratë”, ”qëndrim i përbashkët” apo do të futet në ”konkluzionet e Këshillit”. Kjo ka rëndësi, sepse në disa raste një qëndrim i përbashkët i BE-së do të mund të mbështetej automatikisht edhe nga disa shtete që nuk janë anëtare të BE-së, si: Islanda, Norvegjia, Zvicra, Kroacia, Turqia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe vende të tjera që u bashkohen zakonisht pozicioneve të BE-së në çështjen e politikës së jashtme.

Siç konfirmuan për “Kohën Ditore” disa diplomatë të disa vendeve të BE-së, dihet se në takim ministrat e jashtëm bashkërisht do të “marrin në dijeni” shpalljen e pavarësisë, edhe pse fjala pavarësi nuk ka nevojë të figurojë në deklaratë. Do të rikonfirmojnë gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar Kosovën në zhvillimi e saj dhe për t’i ofruar asaj një të ardhme evropiane. Pastaj BE-ja çështjen e njohjes do t’ua lërë vendeve anëtare që të veprojnë në mënyrë individuale sipas procedurave të tyre. Mësohet se Qiproja dhe Spanja kanë paraqitur disa vërejtje në tekst, prandaj teksti pritet të jetë më sipërfaqësor dhe jopreciz sesa që ishte ai në rastin e pavarësimit të Malit të Zi, megjithëse do të jetë shenjë e qartë për shtete të tjera që të pasojnë me njohjen e Kosovës, por jo edhe insistim. Spanja ka zgjedhjet më 9 mars dhe ideja që statusi i Kosovës të shtyhet për shkak të Spanjës nuk ka kaluar, pasi që Spanja po ashtu nuk ka mundur të japë garanci se do ta njohë menjëherë Kosovën. Por Spanja, sipas diplomatëve, druan se disa shtete, si Greqia, Rumania dhe Qiproja, do të shfrytëzojnë autoritetin e Spanjës për të rritur numrin e vendeve që janë kundër pavarësisë së Kosovës, dhe kështu të nxisin ndarje brenda BE-së. Sidoqoftë, diplomatët janë të sigurt se do të jetë “një numër i madh shtetesh anëtare”, flitet për më shumë se 20, që menjëherë të hënën, ose në disa ditët e para, do ta njohin pavarësinë e Kosovës ose do të japin deklaratat për qëllimin e njohjes. Kjo varet nga procedurat të cilat për njohjen e një shteti janë të ndryshme nga vendi në vend. Pritet që menjëherë të hënën katër vendet më të mëdha të BE-së, që janë edhe anëtaret evropiane të Grupit të Kontaktit, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, ta njohin që të hënën pavarësinë e Kosovës. Madje ka mundësi që katër ministrat e këtyre vendeve të dalin bashkërisht në Bruksel në selinë e BE-së dhe të shpallin njohjen e Kosovës nga vendet e tyre.

Shumë shtete të tjera pritet të japin “deklaratat e intencionit” për njohjen e pavarësisë të hënën, e pastaj parlamentet apo qeveritë e tyre do të nisin procedurat e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Kështu, Sllovenia, vendet baltike, Holanda, Suedia, Belgjika, Republika e Çekisë e disa vende të tjera duhet të ndjekin procedurat në parlament, që zgjasin në mënyra të ndryshme. Duke pasur parasysh se në Belgjikë, ku bekimin duhet ta japin hiç më pak se 7 parlamente të ndryshme, mund të ndodhë që në këtë shtet vendosja e raporteve diplomatike me Kosovën do të jetë mjaft procedurë e gjatë. Austria, për shembull, thonë diplomatët, të hënën do të japë deklaratën se do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa të mërkurën Këshilli i Ministrave i këtij shteti do ta autorizojë ministren e Jashtme që t’i dërgojë Kosovës letrën për njohje dhe vendosje të raporteve diplomatike. Ndërkohë në BE, në mesnatën nga e premtja në të shtunën skadon procedura e heshtur për miratimin e planit operativ për misionin në Kosovë, me ç’gjë do të konsiderohen të kryera të gjitha procedurat për angazhimin e BE-së. Pas shpalljes së pavarësisë, me festat dhe fishekzjarrët të dielën mbrëma në Prishtinë dhe në qytete të tjera në Kosovë, të hënën, sytë e kosovarëve do të kthehen nga Brukseli,ku gjithçka është bërë gati që të reagohet sipas planit.