Në rast të dështimit të negociatave, Bashkimi Evropian i gatshëm për të marrë vendime (KOHA Ditore, 20 nëntor 2007)
Me gjithë rritjen e mbështetjes për pavarësinë e Kosovës, shumë ministra kanë thënë se presin nga fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Hashim Thaçi, që jetë i përgjegjshëm dhe të bëhet gjithçka që Kosova të mos bëjë deklarimin e pavarësisë në mënyrë të njëanshme, pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare
Bruksel, 19 nëntor 2007 – Edhe ministrat e jashtëm të BE-së në konkluzat nga takimi i tyre kanë përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, mënyrën e qetë të votimit, por kanë shprehur zhgënjim për pjesëmarrjen e vogël të votuesve në to. Ministrat e jashtëm të BE-së kanë diskutuar të hënën në Bruksel në takimin e tyre edhe për situatën në Kosovë dhe për procesin e negociatave, që pritet të vazhdojë me takimin e palëve të martën, po ashtu, në Bruksel. Para ministrave ka folur ambasadori i Gjermanisë, Wolfgang Ishinger, i cili është edhe përfaqësues i BE-së në Treshen ndërkombëtare që ndërmjetëson negociatat për statusin e Kosovës.
Ndërkohë ministri i Jashtëm i Portugalisë, Luis Amado, që edhe kryesoi takimin, ka thënë se mendon se duhet të pritet deri në minutën e fundit para se të vendoset për pozicionin e përbashkët të BE-së dhe ka shtuar se Kosova është çështje e rëndësishme e stabilitetit të Evropës dhe BE-ja nuk mund ta injorojë këtë çështje. Ai ka thënë se ende duhet punuar për të arritur një zgjidhje të negociuar mes palëve dhe nëse kjo nuk ndodhë, atëherë duhet të merren vendimet.
“Në do të duhet të vazhdojmë me procesin e negociatave. Ambasadori Ishinger është duke bërë një punë shumë të rëndësishme. Ai është duke u orvatur t’i provojë të gjitha mundësitë e ndryshme që mund t’i paramendojmë dhe që të ketë legjitimitet të procesit negociator në fund, dhe kjo të pranohet nga palët pasi që të ketë përpjekje të mëdha” ka thënë kryesuesi i radhës i Këshillit të Ministrave të BE-së, duke iu përgjigjur pyetjeve të “Kohës Ditore”. Ministri portugez tha se Ishinger u ka folur se si BE-ja të bëhet gati të reagojë dhe përgjigjet pas 10 dhjetorit.
Ndërkohë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, tha se pas takimit mes palëve të Bruksel, takimi i radhës do të zhvillohet në Vjenë. Solana tha se me 10 dhjetor, deri kur duhet t’i dorëzohet raporti i Trojkës sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, do të zhvillohet edhe një takim i ministrave të jashtëm të BE-së në të cilin po ashtu do të diskutohet për këtë raport. Shumë ministra kanë thënë se kërkojnë nga Beogradi dhe nga Prishtina që të përmbahen nga deklaratat përjashtuese dhe t’i japin rast negociatave deri në fund. Disa ministra kanë komentuar edhe prononcimet e para të liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, fituesit të zgjedhjeve në Kosovë i cili pritet të jetë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Kështu ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, ka thënë se Thaçi duhet të di dallimin në mes të qëndrimit në opozitë dhe një kryeministri të përgjegjshëm.
“Shoh se Thaçi, i cili me gjasë do të bëhet kryeministër, ka dhënë disa deklarata të trimëruara dhe unë e kuptoj këtë. Por mendoj se zoti Thaçi e kupton se ka një dallim mes politikanit në opozitë dhe të jesh kryeministër i përgjegjshëm. E ai dëshiron të jetë kryeministër i përgjegjshëm dhe ne e duam këtë po ashtu“, ka thënë Bildt. “Kosova tashmë është de facto e pavarur nga Serbia dhe unë nuk mendoj se ajo dëshiron të jetë e pavarur nga bashkësia ndërkombëtare”.
Prandaj, sipas ministrit të Jashtëm të Suedisë, ata (kosovarët) duan të jenë të mbrojtur nga NATO-ja dhe duan të jenë të mbështetur në të gjitha mënyrat tjera nga Bashkimi Evropian. ”Nuk mendoj se ai duhet t’i bëjë ata të pavarur nga bashkësia ndërkombëtare dhe, nëse ekziston një gjë për të cilën do të kisha kërkuar nga ai (Thaçi), është që vërtet ta bashkojë Kosovën“, ka thënë Carl Bild duke komentuar qëndrimet që kryetari i PDK-së i kishte shprehur si fitues i zgjedhjeve në Kosovë.
Për Kosovën kanë folur edhe ministrat e tjerë të jashtëm të vendeve të BE-së. Ministri për Evropën i Britanisë së Madhe, Jim Murphy, ka thënë se Kosova duhet ta ketë pavarësisë e saj, por në mënyrë të organizuar.
“Kosova do të duhet ta ketë pavarësinë e saj. Nuk duhet që kjo të ndodhë në mënyrë të pakontrolluar dhe në mënyrë unilaterale. Do të duhej të bëhej në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare“ ka thënë ministri britanik dhe ka shtuar se „vendimi për statusin e Kosovës është diçka me të cilën duhet të merren liderët evropianë. ”Procesi nuk mund të jetë objekt i kërcënimit me veto të asnjë shteti, por ne do të vazhdojmë të punojmë përmes OKB-së deri në momenti e fundit“ ka thënë ai. Ministri britanik ka thënë se “është detyrë dhe përgjegjësi e shteteve evropiane që të menaxhojnë një rezultat të duhur dhe të koordinuar të pavarësisë së Kosovës, e jo të kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta zgjidhin këtë problem për ne“. Ndonëse sot thuhet se në takim nuk është folur për skenarët se çfarë do të ndodhë pas 10 dhjetorit disa ministra kanë pranuar se shumica e vendeve të BE-së janë të vetëdijshme se pavarësia e Kosovës në një mënyrë është e pashmangshme. Sipas disa diplomatëve “më shumë se 20, por ende më pak 27 vende të BE-së tashmë janë të gatshme të njohin pavarësinë e Kosovës”. Ndërkaq ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Aselborn, ka thënë se pret nga Hashim Thaçi, si person që ka pasur ndikim të madh gjatë luftës, të ketë ndikim edhe tash në paqe dhe ta kuptojë se për çfarë bëhet fjala“. “Një deklarim i njëanshëm i pavarësisë do të jetë diçka shumë, shumë e keqe dhe nuk do të sjellë gjërat përpara”, ka thënë ai duke shtuar se “po bëhet çmos që të binden kosovarët që të mos shkojnë nga deklarimi i njëanshëm i pavarësisë pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare”.
Ischinger do të propozojë “Marrëveshje Prishtinë-Beograd, neutralisht nga statusi“
Në konkluzat e tyre ministrat e jashtëm të BE-së kanë kërkuar nga Beogradi dhe Prishtina që të mbështesin iniciativat e Trojkës që do t’u paraqiten më 19 nëntor në Bruksel dhe në takimin e ardhshëm që do të zhvillohet në Vjenë. Por, në BE zyrtarisht nuk kanë thënë se cilat do të jenë ato propozime. Ministri i Jashtëm i Portugalisë vetëm u ka thënë gazetarëve se “Ischinger do të diskutojë këto iniciativa me palët“.
Por burimet diplomatike në BE i kanë thënë “Kohës Ditore” se “ndër iniciativat është ajo për një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, neutralisht nga statusi“. Pra nuk është fjala për ”status neutral“, siç kanë sugjeruar disa media që kanë keqkuptuar siç duket deklaratën e Ischingerit, por për një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, pa përmendur statusin. “Ideja është e ngjashme me marrëveshjen që kanë pasur dy Gjermanitë, që me gjithë mospajtimet territoriale të mund të bashkëpunojnë në shumë fusha dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në skenën ndërkombëtare.
Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008.
Lexoni këto përmbajtje në një vend: