Fejton - KOHA Ditore, 5 shkurt 2008

Data për bast: 17 shkurti

Data për bast: 17 shkurti

Fillon numërimi deri në pavarësinë e Kosovës (KOHA Ditore, 5 shkurt 2008)

Në mëngjes në Bruksel është spekuluar se, pas fitores së Tadiqit, statusi do të shtyhet për muajin mars. Por, pasi në Washington janë “zgjuar nga gjumi“, në Bruksel kanë filluar të thonë se “data më e mundshme është, megjithatë, 17 shkurti”, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë që Kosova ta shpallë pavarësinë edhe këtë të diel, më 10 shkurt

Bruksel, 4 shkurt 2008 – Përderisa në Kosovë edhe ditën e parë pas zgjedhjeve në Serbi vazhdon loja e nervave me deklarata se kur do të shpallet pavarësia, apo data e shpalljes së pavarësisë, në Bruksel po ashtu ka pasur shumë spekulime rreth kësaj. Se për shpalljen e pavarësisë nuk ekziston ende ndonjë datë e saktë e koordinuar, dëshmon edhe fakti se disa diplomatë të lartë në Bruksel kanë pritur se të hënën Prishtina do të bënte publike datën e shpalljes së pavarësisë, gjë që këtë ditë nuk ndodhi.

“Mendojmë se ky ka qenë një akt i zgjuar i Prishtinës dhe mendojmë se kur së shpejti do ta kemi shpalljen e pavarësisë, nuk ka nevojë që të shpallet edhe data e shpalljes”, i tha “Kohës Ditore” një diplomat në BE, duke shprehur bindjen se, ashtu siç ka premtuar kryeministri ,Hashim Thaçi, “kosovarët nuk do të bëjnë ndonjë hap unilateral pa u koordinuar me BE-në”. I njëjti burim ka thënë se “ preferojmë që ne ta kuptojmë datën para se ajo të ndodhë dhe të mos befasohemi, sepse në këto momente askush nuk ka nevojë për ndonjë dramë“.

Kështu, dita e hënë në Bruksel ka filluar me shprehjen e kënaqësisë për fitoren e Boris Tadiqit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Këtë fitore BE-ja e sheh edhe si sukses të politikës së saj në Serbi, sepse ka bërë çmos që ta ndihmojë kandidatin të cilin e konsideron proevropian. Që nga kryetari i Komisionit Evropian, Barroso, ai i Parlamentit Evropian, Pettering, përfaqësuesi i lartë, Javier Solana, komisari për Zgjerim, Olli Rehn, e deri tek Presidenca sllovene e BE-së, të gjithë e kanë quajtur fitoren e Tadiqit në Serbi si “dëshmi se shumica e popullit në Serbi dëshiron të vazhdohet rruga e integrimeve të këtij vendi për në BE“.

Të gjithë këta liderë të BE-së kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre që ta ndihmojnë Serbinë në përshpejtimin e rrugës së saj drejt BE-së, e madje edhe duke premtuar se asaj do të mund t’i jepet statusi i kandidatit deri në fund të këtij viti, me procedurë të shpejtuar. Por, po ashtu ka pasur edhe shumë spekulime se si do të reflektohet tash fitorja e Tadiqit në dinamikën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në pyetjen e “Kohës Ditore” që tash të shpjegojnë se çfarë kanë menduar kur kanë thënë se “në rast të fitores së Tomislav Nikoliqit pavarësia do të shpallej më shpejt“, një zyrtar i BE-së është përgjigjur se “fjala është se a do të ndodhë për 2 apo 12 ditë, dhe këtu është dallimi“.

Paradite, pavarësia në mars

Por të hënën, me fillim të ditës, ka pasur shumë zëra në BE që kanë sugjeruar se Serbisë do t’i jepet tash edhe pak kohë dhe pavarësia e Kosovës do të shtyhet për muajin mars. Dhe kështu data 9 mars është dukur të hënën paradite në Bruksel si gjithnjë e më reale si datë për shpalljen e pavarësisë. Për këtë janë përmendur disa arsye, si ajo që ”të priten zgjedhjet në Spanjë, sepse edhe Spanja do të mund të jetë në mesin e shteteve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës“, pastaj që “të pritet me vendimet e nevojshme teknike për misionin e BEsë në Kosovë, që duhet të kryhen para shpalljes së pavarësisë“, “që të pritet ndonjë sinjal pozitiv për bashkëpunimin e Beogradit me Tribunalin e Hagës, i cili do të ndihmonte që Holanda ta hiqte bllokadën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit më 18 shkurt“, e deri tek qëndrimet më banale, siç është ai se “në mars moti në Kosovë është më i mirë dhe pasojat e ndërprerjes së rrymës do të ishin më të vogla“.

Por, gjatë ditës të gjitha këto parashikime janë venitur dhe ka mbetur vetëm dëshira e BE-së që të mos shpallet “kurrfarë pavarësie e as datë e shpalljes” deri të enjten, kur në Bruksel BE-ja do të nënshkruajë Marrëveshjen politike me Serbinë, për të cilën më 18 janar ishin pajtuar ministrat e BE-së, si zgjidhje minimale pas dështimit të vendeve të BE-së që të arrijnë pajtim për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Ka pasur edhe spekulime se në Serbi mund të bjerë qeveria e tashme, pasi që Koshtunica nuk e ka mbështetur Tadiqin në zgjedhje dhe ai mund të vazhdojë të shantazhojë koalicionin qeveritar për t’u konfrontuar me BE-në për shkak të vendimeve të BE-së për misionet në Kosovë dhe për gatishmërinë e vendeve të saja anëtare për njohjen e pavarësisë.

Madje, në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Serbi, që do të mund të mbaheshin në maj, nuk do të ishin të pakta qarqet evropiane që do të kërkonin shtyrje të reja të pavarësisë së Kosovës, jo vetëm për mars, por ndoshta edhe për qershor. Por tash mendojnë se në caktimin e statusit të Kosovës është shkuar aq larg, saqë nuk ka të ndalur më e as mundësi për shtyrje të reja. Madje, edhe Javeir Solana të hënën ka thënë se “duhet të veprohet pa vonesa“.

Jakup Krasniqi “e di çfarë flet”

Të hënën mbrëma, kur në Washington ka qenë mesditë, edhe në Bruksel kanë filluar përsëri të jenë më të zëshëm ata që kanë thënë se ”pavarësia, megjithatë, ka më shumë gjasa të shpallet në shkurt“. Përderisa pohimet e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministrit, Hashim Thaçi, se pavarësia është “çështje ditësh“ nuk kanë nxitur ndonjë interesim në Bruksel, deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, se pavarësia do të shpallet gjatë muajt shkurt është komentuar nga disa diplomatë në Bruksel në mënyrë diskrete se “ai duket se e di se çfarë flet“. Kështu, të hënën, në Bruksel në mbrëmje shumica e diplomatëve me të cilët ka kontaktuar “Koha Ditore” kanë pohuar se “nëse do të duhej të vënin bast se kur do të shpallej pavarësia e Kosovës, atëherë do të vënin paratë në muajin shkurt“. Kjo është edhe për shkakun se amerikanët, sipas të njëjtave burime, nuk shohin ndonjë vlerë të shtyrjeve të reja, dhe me këtë tash pajtohen edhe shumë vende në BE.

Nga ana tjetër, nga Spanja nuk ka aq premtime të forta se ky shtet do të ishte në mesin e vendeve të para që do ta njihnin pavarësinë e Kosovës që të priteshin zgjedhjet atje. Fundi i fundit, në prag të zgjedhjeve askush as nuk pret ndonjë premtim të tillë nga Madridi. Edhe kalimi i “Planit të përbashkët të veprimit“ me procedurë të heshtur në BE për misionin në Kosovë, me të cilin është aprovuar edhe aspekti financiar dhe ai legal për këtë mision, është kuptuar si përgatitje e BE-së që në çdo moment të mund të përballet me shpalljen e pavarësisë.

Tash deri tek miratimi formal i vendimit për ”planin operativ“ për këtë mision mund të vihet me procedurë të shkruar pa ndonjë nevojë për debat mes ministrave të BE-së. Kjo mund të ndodhë në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm, më 18 shkurt, në Bruksel, por edhe një javë më herët në takimin e ministrave të financave. Kështu, edhe të hënën, ditën e parë pas zgjedhjeve në Serbi, data më e preferueshme për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është përmendur të jetë 17 shkurti.

Kjo ditë është e diel, dhe të nesërmen në Bruksel edhe ashtu do të takohen ministrat e jashtëm të BE-së në takim të rregullt në Bruksel, ku do të mund të miratohej qëndrimi i përbashkët pas shpalljes së pavarësisë, që do të konsiderohej si sinjal politik i shteteve anëtare që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Madje, nuk është përjashtuar që pavarësia të shpallet edhe këtë të diele, më 10 shkurt, por kjo do ta detyronte Slloveninë që si kryesuese e radhës ta thërriste një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të BE-së në Bruksel, që këtij procesi do të jepte një shije drame, të cilën në këtë moment duan ta evitojnë. Ende datë të prerë nuk ka, por afati thonë të jetë shumë afër, ndërsa arsye për shtyrje të reja më nuk ka.


Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: