Shikim nga Brukseli (KOHA Ditore, 11 shkurt 2008)
Nëse nuk shpallet pavarësia deri më 17 shkurt, atëherë të përgatitemi që të presim edhe zgjedhjet në Rusi, zgjedhjet në Spanjë, zgjedhjet në Serbi, zgjedhjet në Amerikë, zgjedhjet në Slloveni e pastaj prapë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi. Nëse dikush edhe kësaj here kërkon nga Kosova që të presë, atëherë ata që kërkojnë janë kundër pavarësisë
Prej sot numërimi i ditëve deri te pavarësia mund të bëhet ndryshe. Secila ditë e javës është e fundit para pavarësisë. Kështu sot do të jetë e hëna e fundit pa pavarësi. Nëse realizohen planet për të cilat kanë folur shumë diplomatë këto ditë, atëherë të dielën më 17 shkurt, do të shpallet pavarësia e Kosovës në Kuvendin e Kosovës. Sipas të njëjtit plan, një ditë më vonë BE-ja do ta finalizojë edhe formalisht planin operativ për misionin e saj në Kosovë, ndërsa shtetet e saj anëtare do të fillojnë të japin deklaratat për njohjen e pavarësisë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë pa pasoja. Por, frika nga pasojat nuk guxon më ta shtyjë vendimin. Edhe shpallja e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë solli pasoja të rënda. Madje, solli luftën më të tmerrshme në Evropë pas Luftës së dytë Botërore. Por, fajin për këtë luftë nuk e kishin këto dy shtete që atëherë shpallën pavarësinë. E kishte politika e Milosheviqit, e cila donte që „të gjithë serbët të jetonin në një shtet“ dhe politika evropiane që nuk dinte të reagonte. Evropa në atë kohë u ndal në debate filozofike të tipit „si dezintegrohet një vend kur në Evropë integrohemi!!“ që ishte debat tragjikomik, sepse në BE ishin integruar vetëm popujt e lirë dhe të pavarur.
Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës mund të ketë lëvizje të nacionalistëve serbë, nga Kosova dhe Serbia, për të ndarë Kosovën nën skenarin, sipas të cilit „serbët e Kosovës duan të jetojnë si pjesë e Serbisë“ dhe me kërcënime ndaj vendeve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Por këto kërcënime, që i dërgon edhe „evropiani“ Tadiq, nuk shkojnë aq shumë ndaj shteteve të mëdha, por ndaj fqinjëve. Atyre nga foltorja në Munich u është kërcënuar në mënyrë të posaçme presidenti i Serbisë, Boris Tadiq. Ndaj Sllovenisë tashmë ka filluar fushata në Serbi që ngjan me „sanksionet“ që kësaj republike ia kishte shpallur Milosheviqi. Aq shumë u dëmtua Sllovenia, saqë ajo sot është anëtare e BE-së dhe NATO-s e madje edhe kryesuese e radhës me standardin ekonomik më të madh se të gjitha shtetet e tjera të reja të BE-së. Por, nga Serbia askush nuk mund të habitet se çfarë mund të vijë. Një sociolog serb, madje, e ka krahasuar sjelljen e disa politikanëve të Beogradit, sidomos të kryeministrit Koshtuncia, sikur me skenat e filmave serbë kur heroi kryesor pëson disfatë atëherë kërcënohet me hakmarrje, shkon në shtëpi dhe bën vetëvrasje në shenjë hakmarrjeje.
Në BE e NATO, por edhe në Kosovë, thonë t’i kenë të përgatitur skenarët. Në këta skenarë janë disa sfida dhe pikëpyetje. „Si do të reagojnë serbët pas shpalljes së pavarësisë. Si do të reagojnë shqiptarët në reagimet e serbëve. Si do të reagojë bashkësia ndërkombëtare ndaj reagimeve të serbëve, si dhe ndaj reagimeve të shqiptarëve ndaj reagimeve të serbëve.
Shpresojmë ta kenë mësuar mësimin e para 17 vjetëve kur hezitimi për të reaguar menjëherë ndaj atyre që duan të ndajnë një territor në baza etnike, siç donin serbët në Kroaci dhe Bosnjë, solli deri te tragjedia të cilën mezi e ndalën pesë vjet më vonë. Shpresojmë që kësaj radhe, pos retorikës së pandalshme politike, Serbisë dhe shërbimeve të saj të mos i lejohet në Kosovë të nxitë ndonjë tragjedi të re, sidomos për serbët e Kosovës, të cilët janë në pozitën më të keqe. E shpresa kurrsesi nuk duhet të bazohet në mirësinë e Serbisë apo në racionalitetin e saj. Por NATO-ja dhe policia e Kosovës, edhe ajo e UNMIK-ut sa të jetë ende në Kosovë, duhet të jenë në gjendje edhe të pengojnë ata që duan të krijojnë trazira, ndoshta edhe sa për të dëshmuar se „ja pavarësia është e gabueshme dhe e rrezikshme“, qoftë edhe me çmimin sikur „vetëvrasja në shenjë të hakmarrjes“.
Historia na mëson se frika nga pasojat e një vendimi nuk do të thotë se ai vendim nuk duhet të merret nëse është vendim i mirë. Një herë e pata pyetur ministrin e Jashtëm të Sllovenisë se „ku do të ishte sot Sllovenia sikur ta kishte pritur demokratizimin e Serbisë në vitin 1991 dhe të mos e kishte shpallur pavarësinë“: përgjigja e tij ishte se „duhet vepruar jo ngadalë por me kujdes“. E tash kanë kaluar edhe minutat e fundit të lojës shtesë siç do të thoshin komentatorët e futbollit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Nëse nuk shpallet pavarësia deri më 17 shkurt, atëherë të përgatitemi që të presim edhe një palë zgjedhje në Serbi, edhe zgjedhjet në Rusi, zgjedhjet në Spanjë, zgjedhjet në Serbi (përsëri), zgjedhjet në Amerikë, zgjedhjet në Slloveni e pastaj prapë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi. Nëse dikush edhe kësaj herë kërkon nga Kosova që të presë, atëherë ata që kërkojnë janë kundër pavarësisë.
Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: