EXPRESS

“Fluturimi mbi folenë e qyqes” me zellin e lirisë midis totalitarizmit

Teatri vë në skenë problemet e një shoqërie dhe kjo është baza e këtij arti. “Fluturimi mbi folenë e qyqes” është një shembull. Ajo bëhet reflektim i raportit të institucioneve me njerëzit. Skenat e saj janë fushëbetejë midis palëve nëpërmjet antagonizmit të dy personazheve. Shfaqja vjen si studim i mendjes njerëzore e nderim i parimeve të secilit. Ajo është si kritikë ndaj institucioneve që trajtojnë shëndetin mendor.

Shfaqja me autor amerikanin Dale Wasserman është sjellë në teatrin “Adriana” në Ferizaj nën regji të Erson Zymberit dhe me dramatizim të Jeton Nezirajt. Ngjarja vendoset në një spital psikiatrik. Në qendër ka një pacient që justifikon gjendjen e rëndë psikike për t’iu shmangur mbylljes prapa grilave për lojë bixhozi.

Hyrja e Randle Patrick McMurphyt në spital karakterizohet me antagonizmin e tij ndaj infermieres Ratched. Ndërron krejt rutinën e repartit duke çuar në luftën ndërmjet saj dhe tij si pacient aty.

McMurphy, që luhet nga aktori Blin Mani, është karakter ndryshe nga të tjerët. Rebel, energjik, i guximshëm e symprehtë. I tillë shfaqet në skenë. Lider në grup.

Ai është i vetëdijshëm për padrejtësitë që u bëhen pacientëve. Mundohet t’u japë atyre shpresë e kurajë për ndryshime. Vendosmëria e tij e bën të mos i ndryshojë sjelljet, përkundër terapisë me elektroshok. Nuk ndërrojnë as sjelljet e tij dashakeqe. Brenda spitalit psikiatrik organizon ngjarje të pashembullta.

Regjisori i shfaqjes, Erson Zymberi, ka thënë se shfaqja është udhëtim emocional nëpër mendjet e njerëzve që ka në qendër frymën e lirisë që sillet nëpërmjet karakterit të kryepersonazhit. Sipas tij, totalitarizmin dhe të tjera vlera që vijnë në kundërshtim me McMyrphyn i sjell në skenë karakteri i infermieres Ratched, që luhet nga Edona Berisha-Bekteshi.

“Të gjithë pacientët brenda i bën bashkë, u jep një fije shpresë dhe kur dëshirat e tij përplasen me një infermiere kryesore, e cila përfaqëson totalitarizmin, diktaturën, të kundërtën e asaj që përfaqëson McMurphy. Kur këto dy botë përplasen, fillon konflikti, drama. Fillon goditja dhe dëshira për të mbijetuar. E shohim se në këtë kohë, por jo vetëm tash, njeriu është e vetmja forcë e natyrës e cila është mbase edhe shpresa e fundit për të parë një shkëndijë te këta pacientë”.

Shfaqja vishet me disa ngjyrime dramaturgjike ku Jeton Neziraj i jep kontekst vendor. E tillë është ironia me numrin e atyre që kanë marrë statusin e veteranit e situatat me gjendjen aktuale politike për Asociacionin e komunave serbe.

Komikja është pjesë e pandashme e shfaqjes që i shpalos publikut rrëfimin e një komedie të zezë. Por të pashmangshme janë skenat e trishta e ato emocionale. Ngjallet ndjenja e dhembshurisë për njërin prej pacientëve që krijon një tjetër protagonist imagjinar. Aktori Nexhat Xhokli e luan këtë roli.

“Secili jemi përpjekur të bëjmë nga një karakter të veçantë. Unë u përpoqa të jap më të mirën prej vetes me personazhin Skemon, kisha edhe një personazh imagjinativ në mendje, Xhorxhin, që nuk paraqitet asnjëherë në skenë. Kisha një duo personazh, shpresoj se ia kam arritur. Vërtet ishte sfidë, provë të punosh një karakter të tillë sepse është shumë kërkues”.

Në shfaqje luajnë edhe aktorët Mevlan Saraçi, Sherif Bega, Milot Salihu, Jajush Ramadani, Gresë Gashi, Uratë Shabani dhe Dashuri Rexhepi. Aktorët Dora Xhemajli, Çlirim Shabani e Blin Mani pos në rolet e tyre si aktorë kanë shpalosur karakterin e tyre edhe në tjetër dimension: si këngëtarë e instrumentistë.

Kompozitori Memli Kelmendi, që e ka kompozuar muzikën e shfaqjes, ka thënë se kjo formë e sjelljes së muzikës nëpërmjet aktorit është diçka jo e zakonshme për teatër.

“Muzika ka qenë origjinale, por ka qenë në tri pjesë. Ka qenë kërkesë regjisoriale e Ersonit, prandaj ai ka vendosur pasi ideja është që ajo vjen si atmosferë reparti. Kam qenë në rregull pasi ka qenë kërkesë regjisoriale, ndërsa pjesët e tjera kanë qenë pjesë të shkruara, të kompozuara nga unë. Jam jashtëzakonisht mirënjohës gjithë trupës së aktorëve për punën fantastike që e kanë bërë që të vij deri tek ky realizim i suksesshëm”.

“Fluturimi mbi folenë e qyqes” ngre zërin për problematikat e keqtrajtimeve të pacientëve nëpër institucionet e vendit. Jo veç në spitale, por edhe përtej. Prek në ndërgjegje duke shpalosur anën emocionale të protagonistëve në shfaqje për ata në jetën reale. Vjen si protestë ndaj sistemeve totalitare, apo edhe atyre që kanë nisur të rrëshqasin në atë anë.