Dhjetori, emri i vërtetë i të cilit është Endrit Krasniqi, u bë bashkë me disa shokë të tij për të formuar një bend me po të njëjtin emër, në korrik të vitit 2023. Muzika që Dhjetori bën identifikohet me rrymimet pop e indie, ndërkaq debutimin me albumin prej pesë këngësh e bën më 13 tetor të vitit të vitit të kaluar. Bashkë me pianistin Adonis Aliu ata iu dhuruan performancë publikut të mbledhur në një ambient të rrethuar nga librat dhe pllakat e gramafonit. Dyshja u ofroi çaste të ngrohta të pranishmëve duke performuar pesë këngët origjinale të Dhjetorit, pjesë e albumit debutues me emrin “Once upon a star”.
Karizma e tij nis qysh në stilin e veshjes e të interpretimit, e cila është e pranishme dhe në videoklipin e tij të parë të titulluar “Pantollat”, me tekst të Bekim Këpuskës, e publikuar pak orë para performances akustike. Për publikun ai shpalosi edhe albumin me pesë këngë, të cilat njëra pas tjetrës transmetonin ndjeshmëri e emocion si në interpretim njëjtë dhe në përmbajtje.
“Albumi është një send që unë dhe Adonisi kemi punuar tri vite në të, qysh prej shkollës te mesme kur kemi filluar me bo muzike bashke, ai i ka bo meloditë. Kemi shkruar këngë, e kemi përfunduar EP-në për katër muaj, i ka 5 këngë origjinale. Është një album i shkurt, diku rreth 16 minuta, i përshtatshëm për një rrugëtim deri ne shkollë ose fakultet. Mundeni me i fut dëgjueset dhe ta dëgjoni albumin në një vrap” .
Artistët rëndom kreativitetin e shfaqin të sfiduar nga gjendjet e renduara emocionale e njëjtë duket të ketë ngjarë edhe për Dhjetorin për të cilin ky album shërben si një pasqyrë e një periudhe të vështirë për të.
“Është një koncept, secila këngë lidhet me njëra tjetrën, secili emër i këngës shkon me tjetrën është një procedurë e cila nis nga dashuria për atë person, vuajtja e deri tek kalimi i asaj gjendje të vuajtjes”.
Si artist i ri ai ende rendet në kërkim të krijimit të identitetit të tij artistik, i cili momentalisht për të karakterizohet më shumë nga influencat e muzikës pop, por është i hapur që të eksperimentojë edhe me stile të tjera në albumet e tij te radhës.
Albumi “Once upon a star” u shkrua gjatë tre vjetëve të shkollës së mesme, ndërkaq muzikën e kompozoi Adonis Aliu.
“Unë kam qenë ai i cili e ka shty Endritin me nxjerr ma të mirën prej çka ka mundur ai të shkruaj rreth eksperiencës së tij, prej nga edhe ka dal albumi. Jam fokusuar ma shumë në kompozim dhe instrumental si dhe në produksionin e këngës”.
Paraqitja e Dhjetorit me pesë këngë nisi me “Hopeless”, për ta vazhduar me “Lose you again” e “Rather die”, ndërkaq të fundit kishte zgjedhur ta performonte këngën me titull “Move on”, e cila u pasua me shumë duartrokitje e ovacione, të cilat quan në një pauzë që do t’i hapte rrugë interpretimit të këngëve të artistëve ndërkombëtarë.
I pranishëm në mbështetje të Dhjetorit në këtë mbrëmje akustike qe edhe artisti Genc Salihu, i cili vlerësoi lart talentin e artistit.
“Dhjetori e ka një zë të artë është një këngëtar i natyrshëm dikush që e kap audiencën menjëherë. Herën e parë kur e kam dëgjuar më kanë dal lot, është një djalë që e ka këndimin dhe interpretimin muzikor brenda vetes. Në çfarëdo konteksti që te dëgjon atë gjithmonë është emocionuese, e kam dëgjuar me bend, akustik, vetëm me kitare. Gjithmonë mundemi të diskutojmë nivelin e profesionalizmin, por zëri i tij mënyra se si ai performon si dhe absolutisht karizma e tij skenike gjithmonë ngadhënjen, vjen te publiku. Është një prej këngëtarëve më të vërtet qe i ka pas Prishtina ndonjëherë!”
Kjo mbrëmje shërben si një dëshmi e talenteve në zhvillim në skenën muzikore lokale. Performanca e Dhjetorit, e shoqëruar nga aftësitë e mrekullueshme të Adonis Aliut në piano, la një ndikim në audiencë dhe qe një tregues i potencialit nga ky artist i ri në Prishtinë.