Në një bashkim mes tingujve e projektimeve vizuale me nuanca të hapësirës, skena muzikore alternative në Kosovë u shënjua edhe me Edona Vatocin, këngëtare e afirmuar e këtij zhanri në vend, që bashkë me pianisten e re Viola Rrecaj zotëruan skenën modeste të “Project Space” të “Fondacionit Shtatëmbëdhjetë” duke i kaluar pritshmëritë.
Me koncert të premten mbrëma shënuan përfundimin e një viti të suksesshëm për “Shtatëmbëdhjetë” duke u dhënë të pranishmëve një përvojë krejt unike, me nuanca të kozmikes. Pesë këngët e Edona Vatocit, të riaranzhuara nga vetë ajo dhe Viola Rrecaj kanë marrë trajtë të veçantë të ngjyruara me shije të muzikës elektronike dhe asaj të njohur si muzikë ambienti, si tentim i artistes në eksperimentim me veprimtarinë e saj si këngëtare.
Dyshja nën një sfond që ngjante me lëvizje kozmike të një universi, atij të muzikës, si dy pilote po udhëhiqnin anijen e tyre drejt një lundrimi tingujsh si një performancë muzikore jokonvencionale. Përmbushi të gjitha zbrazëtirat instrumentale të këngëve që u performuan si: “Një ditë”, “Mirëmëngjesi”, “Hala”, “Ma ki borxh një ndjenjë” dhe “Të kam thënë…” përmes sintit ato zëvendësuan vendin e kitarave, perkusioneve e basit. U dëshmua kapaciteti i muzikës elektronike.
Viola Rrecaj del si një talent i ri, i freskët dhe premtues në skenën muzikore. Ajo shfaqet me një njohuri të jashtëzakonshme në piano, instrument për të cilin ndjek dhe studimet universitare, por krahas klasikes, eksplorimi i zhanrit alternativ i vjen krejt natyrshëm, e rrjedhimisht edhe bashkëpunimi me Vatocin.
“Shija që ka Edona në muzikë përputhet shumë me shijet e mia. Ndihem vetvetja, andaj edhe sonte në performancë isha në karakterin tim duke bërë muzikën që më fle në shpirt”, ka thënë Rrecaj duke theksuar se pavarësisht se përgatitja e saj akademike anon nga interpretimi klasik në piano, ajo zgjedh të eksperimentojë edhe me zhanre të tjera duke arritur që mjeshtërisht të balancojë studimet dhe veprimtarinë e saj artistike.
Gjatë performancës, krahas këngëve të saja të njohura, Edona Vatoci zgjodhi të performojë edhe një këngë të papublikuar, e ajo qe “Ma ki borxh ni ndjenjë” me të cilën qysh në notat e para solli ndjeshmëri e thellësi të përjetimeve njerëzore, duke dëshmuar dhe njëherë se përmes muzikës ajo arrin të artikulojë ndjenjat e gjendjen emocionale me të cilat shumëkush mund të ndeshet.
Pas performancës Edona Vatoci ndau perspektivat e saj mbi zhvillimin artistik dhe ambiciet rreth formave të reja të krijimtarisë së saj muzikore. “Jam duke e menduar qe disa kohë eksperimentimin me rrymat e muzikës elektronike e rrjedhimisht në këtë moment të karrierës sime po gravitoj më shumë rreth muzikës eksperimentale”, është shprehur këngëtarja duke vlerësuar bashkëpunimin me Rrecajn, të cilën e cilëson si talente të arrirë. Ka paralajmëruar një kapitull të ri në krijimtarinë e saj.