EXPRESS

“Defy Them” - shembull i hapësirës alternative

Festë e madhe ka qenë tërë dita e shtunë për “Defy Them” e komunitetin artistik në kryeqytet. Kremtja e sukseseve të një viti prej kur u zhvendos në hapësirën e re është manifestuar me prezantimin e produkteve të Qendrës. Hapësira ka rilindur e tashmë frymon si asnjëherë më parë.

Aktivitetet me të cilat publiku e stafi kanë festuar, kanë zgjatur deri në minutat e fundit të ditës. Në mbrëmje, të parët që kanë interpretuar kanë qenë bendet e reja të krijuara në kuadër të “Defy Them”. “Arise” është quajtur koncerti ku kanë debutuar bendet e reja “Path Gen”, “Starfish” e “Presje” të cilat kanë shpërfaqur potencialin para publikut.

Aktiviteteve të tërë ditës së të shtunës ua ka vënë kapakun koncerti “Spring Gathering”. Ka qenë bendi “Zwada” i pari që ka elektrizuar skenën në kuadër të këtij koncerti. Ritme rocku e kanë bërë publikun të kërcejë tok me anëtarët e bendit.

Shpat Deda me bend e kanë kthyer publikun mbi një dekadë pas me repertorin e tyre të kombinuar prej tri albumeve të kantautorit. Kanë kumbuar me “Ëndërroj” e “Ninullë”.

Këngëtari Shpat Deda e ka uruar “Defy Them” me rastin e shënimit të një vjetorit duke e vlerësuar si iniciativë prej më të bukurave.

“Mendoj se është një prej iniciativave më të bukura në kryeqytet e cila ka pasur efekt të prekshëm. Janë bërë diku 20 bende prej aktiviteteve direkte të ‘Defy Them’, kështu që për mua është kënaqësi shumë e madhe të bëj muzikë sonte si dhe t’i dëgjoj gjithë këto bende të reja, talente të reja që janë bërë bashkë, nuk ka ndjenjë më të mirë”.

Ritmet e muzikës rock në kombinim i ka sjellë bendi “Asgjë sikur dielli” me liderin Alban Nimani e mbrëmjen e ka përmbyllur Adrian Berisha me muzikë elektronike.

Drejtoresha e “Defy Them”, Iliriana Blakaj, është shprehur e lumtur që numër i madh i njerëzve, pa dallim moshe, janë bashkuar në festën e asaj që e ka quajtur shtëpi të bendeve të reja.

“Shumica prej bendeve kanë gjetur një shtëpi në ‘Defy Them’, një shtëpi e cila ka ofruar hapësira të ndryshme qoftë për të shprehur produktet e tyre artistike si për të incizuar në studio apo për të marrë pjesë në shkollë. Duke u bazuar në këto të dhëna, besoj se suksesi është shumë i dukshëm”.

Ka paralajmëruar projekte të reja edhe në panelin e diskutimit që është mbajtur gjatë ditës. Temë diskutimi ka qenë potenciali që kanë hapësirat publike që shërbejnë për qëllime kulturore, aktivitetet që strehojnë dhe rëndësinë e tyre te komuniteti.

“Defy Them” është vetë shembulli i tillë dhe si demonstrim i krejt pyetjeve të ngritura përgjatë panelit të diskutimit. E për ta shpërfaqur të njëjtën gjë para publikut të mbledhur, e para ka qenë Bjeshkë Guri nga “Youth Initiative for Human Rights – Kosovo”.

“Fillimisht kemi nisur të kërkojmë hapësira për ta jetësuar këtë projekt, kemi bashkëpunuar edhe me Komunën e Prishtinës. Nuk ka qenë proces i lehtë dhe nuk na është bërë e mundur, në mënyrë institucionale duke ditur se ka pasur shumë burokraci dhe janë procese që janë shumë të panevojshme dhe të lodhshme”.

Tjetër shembull që është dëshmuar se si kthehet një hapësirë publike në shërbim të skenës kulturore ka qenë edhe ajo që tashmë shërben si “Rezidenca 17”. Drejtoresha e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, Nita Zeqiri, e ka vlerësuar të rëndësishëm diskutimin për hapësirat e braktisura, historikun e tyre, gjendjen e rikthimin e tyre te publiku.

“Ne kemi punuar shumë në objekte të ndryshme në Prishtinë duke u fokusuar në mbledhjen e memories kolektive dhe rëndësinë e saj që në njëfarë formë është duke shkuar në zhdukje e sipër. Shumë pak ka mbetur nga materialet arkivore dhe na është dukur që është e rëndësishme të fokusohemi në këtë pjesë. Plani ynë për programin e ‘Rezidencës’ ka qenë ta zhvillojmë edhe më shumë, të krijojmë studio pune për artistë dhe jo vetëm, për fusha të ndryshme që mund të veprojnë mes vete”.

Shqetësuese, sipas ish-drejtorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, është qasja e qeverisjes aktuale për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike.

“Ka progres krahasuar me më herët dhe duhet të ketë qasje sa më racionale dhe të krijohet një sinergji mes komunitetit, organizatave joqeveritare dhe institucioneve. Por ajo që më shqetëson më së shumti është qasja e Qeverisë ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Tash kemi një Qeveri që ka premtuar se do të ketë një qasje krejt tjetër, unë i di problematikat që janë përbrenda, por besoj se duhet funksionuar me hapa sa më të shpejt”.

Kompozitori Liburn Jupolli, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se ka ngritje të numrit të aktiviteteve kulturore në të cilat përfshihen festivale, koncerte e publikime të ndryshme. Ato sipas tij, korrespondojnë në data kur ishin bërë ndryshime të mëdha politike.

“Kur kam filluar të shikoj diku para rreth katër vjetëve, shoh se të gjitha janë data që korrespondojnë me ndryshime shumë të mëdha politike. Ka zhvillime të tjera, por aktiviteti më i madh që ndodh në skenë si nga bendet e reja, festivalet e reja, daljet, hyrjet korrespondojnë me këto data. Kjo është një prej pyetjeve më të mëdha të miat dhe që më interesojnë më së shumti është se a duhet të jetë komuniteti çdoherë pre e momentit kur ka nevojë. Unë nuk besoj pasi i kemi të gjitha mundësitë jo vetëm për të mbijetuar”.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka vlerësuar se ka nevojë për kohë për të pranuar zhvillimin e diçkaje të paprecendentë në atë vend.

“’Rezidenca 17’, ‘Defy Them’ e krejt të tjerat janë iniciativa fantastike. Aq sa janë fantastike, është edhe një anë e medaljes në kuptimin që ka pyetje prej vetë komunitetit që ju i përkisni se pse kjo organizatë e ka marrë këtë hapësirë dhe jo një organizatë tjetër. Dhe këtu menjëherë shtrohet mendimi se po vazhdojmë t’ia lëmë rastësisë për të parë një hapësirë të braktisur dhe të kërkojmë nga Komuna për ta përdorur”.

Kushtrim Canolli, zyrtar i lartë për planifikim të politikave në Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, derisa ka folur për planet për trashëgiminë kulturore, ka thënë se Ministria e Kulturës nuk e ka planin e detajuar se si të veprojë ndonëse është ndarë buxhet më i madh në këtë drejtim.

“Sa i përket trashëgimisë kulturore dihet se Ministria e Kulturës avokon në këtë pjesë dhe ka ndarë buxhet më të lartë, edhe pse nuk ka një plan shumë të detajshëm se si do të veprojë apo se cilat janë kriteret mbi të cilat duhet të mbrohet apo të promovohet kjo trashëgimi. Janë duke punuar në këtë drejtim, por nuk ka diçka finale”.

Në shënim të festës së përvjetorit të “Defy Them”, paradite ishte organizuar koncerti vjetor i fëmijëve të shkollës së muzikës në kuadër të “Defy Them”.

Qendra për Kulturë Alternative ishte ndërtuar si strehimore në rast luftërash e katastrofash të tjera. Objekti u harrua për një kohë e vite më parë nisën iniciativa për ta funksionalizuar. Hapësira e braktisur në “Breg të Diellit” u bë me zot shtëpie që prej 1 prillit të vitit të kaluar kur hapi dyert si qendër e kulturës alternative. Qendra e muzikës rock, punk e metal, tashmë ka zënë vend aty duke investuar në përhapjen e trendit të bendeve të këtyre rrymave të muzikës.