EXPRESS

“Tekë” për kulturën rikthen edhe frymën e gazetës

Qendra për kulturë alternative “Defy Them”, ka ardhur me një projekt të ri. Kësaj radhe ka dalë jashtë kufijve të muzikës duke sjellë gazetën javore. I dedikohet kulturës. “Tekë” është emri i saj dhe shtatë numrat e parë janë lansuar të premten në hapësirat e “Defy Them”. Është festuar edhe njëlloj rikthimi i gazetës së shtypur.

Prej numrave të parë, disa janë tematike e të tjera sjellin shkrime me tema të ndryshme nga kultura. Në numrin e parë të gazetës “Tekë” është shtjelluar tema e artit përballë inteligjencës artificiale, në numrin e pestë arti dhe rebelimi. E në të ata pa një temë të caktuar, hasen edhe vlerësime e kritika për bende muzikore e forma të tjera të artit. Në një vend pa gazeta të shtypura, “Tekë” vjen edhe si reagim.

Drejtoresha e “Defy Them”, Lira Blakaj krejt meritat për idenë dhe konceptin e gazetës ia ka thënë Kombëtar Uskanës, themeluesit të kësaj qendre për kulturë alternative e cila ish-strehimoren e dikurshme në “Breg të Diellit”, në prillin e vjetëm e shndërroi në hapësirë kulturore dhe shpejt u bë pikë referente.

“Ai ka ardhur edhe na ka rrëfyer për idenë e tij edhe neve na ka pëlqyer shumë dhe kemi vendosur që të fillojmë me një pilot projekt, pra t’i lansojmë shtatë numra për shtatë javë edhe ta shohim nëse komuniteti artistik edhe ai kulturor po e përqafon këtë sentinentin e gazetës së printuar meqenëse pak ka gazeta që janë të printuara”.

Mungesa e një gazete fizike është vërejtur edhe tek audienca. Blakaj ka treguar se menjëherë pas lajmit se po e sjellin një gazetë, njerëzit kanë pasur shumë interesim që ta blejnë e ta shfletojnë atë.

Ka thënë se në realizimin e “Tekë” kanë punuar shumë persona edhe jashtë stafit të “Defy Them”, si organizata e individë, pjesë e skenës kulturore.

“Shtatë javë kanë kaluar shumë shpejt. Kemi pasur kontributorë të ndryshëm, disenjatorë e ilustrues që i janë bashkuar misionit tonë dhe sot e pamë të arsyeshme që zyrtarisht ta lansojmë si projekt, meqenëse e kemi parë që njerëzit po i marrin, po i shfletojnë dhe janë të entuziazmuar që t’i shohin numrat e tjerë. Ka qenë rrugëtim shumë interesant. Sigurisht që ka pasur mund dhe shumë punë, por në të njëjtën kohë ka pasur edhe shumë kënaqësi, sepse edhe formati është i tillë që të lejon të luash me sub-zhanre dhe me interpretime të ndryshme prej kontributorëve tanë, kështu që mendoj se është shumë e suksesshme si gazetë dhe i suksesshëm si projekt”, tha Blakaj.

Disa prej numrave të gazetës u janë dhënë në tërësi organizatave të ndryshme sa i përket përmbajtjes. E stafi i “Defy Them” e ka kryer vetëm pjesën e redaktimit dhe shtypjes. Blakaj ka theksuar se nuk është ideja që “Tekë” të jetë gazeta e tyre.

“E kemi vendosur në njëfarë mënyre që ta decentralizojmë edhe si proces me e demokratizuar krejt këtë nismë, pra ka organizata të cilat një javë e marrin krejt gazetën dhe e prodhojnë kontentin vetë, e neve vetëm na e sjellin, e redaktojmë dhe e shtypim. Kështu që për ne është shumë e përshtatshme e në të njëjtën kohë po mundohemi që të përfshijmë sa më shumë njerëz, organizata dhe artistë që të mos tingëllojë si gazeta e ‘Defy Them’, por të tingëllojë veç si nismë e ‘Defy Them’ dhe gazetë e komunitetit”.

Në “Defy Them” e kanë themeluar një redaksi të vogël ku bëhet redaktimi, përzgjedhja e temave dhe shkëmbimi i ideve për numrat e radhës së “Tekë”.

Pjesë e kësaj nime është edhe gazetari e poeti Arbër Selmani. Ka treguar për numrin të cilin e ka më së shumti për zëmër duke treguar se secila nga shtatë “Tekët” është e veçantë.

“Kam qenë redaktor i numrit të paradës kur ka qenë Java e Krenarisë, kështu që këtë numër e kam pak më për qejfi edhe është numri i pestë me radhë por megjithatë secili numër e ka dashurinë dhe temën. Shpesh po bashkëpunojmë edhe me organizata, po u shkruajmë organizatave dhe po u themi që ky numër është komplet juaji dhe ju vendosni përmbajtjen, kështu që kisha për të thënë se është një gazetë në të mirën e të gjithëve”.

Pas lansimit të gazetës “Tekë” mbrëmja ka vazhduar me muzikë jazz nga treshja Visar Kuçin në kitarë, Enes Bajramliqin në bateri dhe Fatlind Ferati në kontrabas. Përurimit të një gazete dukej se i shkonte për shtati kjo lloj muzike dhe për të u shpreh i lumtur edhe Visar Kuçi.

“Po mendoj që është një nismë shumë e mirë dhe shpresoj që kjo do të përhapet më shumë sepse si ide është fantastike. Qytetit i mungon diçka e tillë. Mua po më pëlqen shumë dhe do të filloj tash e tutje ta përcjell dhe ta lexoj. Shumë shpesh kur më bëjnë pyetje për diçka që ka të bëjë me kulturën në përgjithësi shpeshherë nuk jam i informuar, sepse nuk mjaftojnë nganjëherë vetëm mediat sociale e interneti, sepse aty i kërkon vetëm atë që e di, ndërsa një revistë si kjo mundet me të sjellë informata të cilat ndoshta nuk di t’i kërkosh vetë”.

Pikërisht në gazetë e kishte filluar praktikën Dardan Hoti, për të vazhduar punën si gazetar për dy vjet. Mbrëmja e së premtes ka thënë se i ka sjellë shumë nostalgji për kohën kur gazeta të shtypura kishte në çdo dyqan.

“Faktikisht unë isha shumë i emocionuar sot, për shkak që punën si gazetar unë e kam filluar në gazetë, në formatin e shkruar edhe ashtu kam filluar praktikën dhe pastaj jam punësuar në gazetën e njëjtë. E përjetova njëfarë nostalgjike fillimisht për punën që e kam bërë për rreth dy vjet dhe po ashtu, për faktin se ka tash e një kohë që po na mungon një gazetë e shtypur dhe u ndjeva shumë mirë që sot po publikohet dhe erdha që ta shoh, t’i blej gazetat e të kënaqem me krejt ambientin në ‘Defy Them’”.

Deri më tash, për “Tekë” është punuar në mënyrë vullnetare derisa ekipi është duke kërkuar fonde për të vazhduar nismën. Gazeta do të dalë në treg çdo fundjavë me përmbledhje të ngjarjeve kulturore në vend.