Secili koncert i grupit “Blla Blla Blla” nga Shkupi është ngjarje unike njashtu si muzika që e identifikon tash e më shumë se tri dekada. “DefyThem” në Prishtinë, dikur objekt strehimoreje në rast luftërash e fatkeqësish, ka qenë e vogël për adhuruesit e grupit i cili në koncertin “unplugged” shemb muret midis tij dhe publikut, tingujt që shpërndahen në eter shndërrohen në energji pozitive dhe pjesa tjetër është histori
“Babayaro”, “Lugat”, “Aircondition”, “E lashë pas tokën”, “7.000.000.000.”, e “Kujt i bie”, nuk janë veç hite, por kolona zanore përgjatë tridhjetë e kusur vjetëve prej themelimit të bendit “Blla Blla Blla”, zhanri i të cilit është thjesht muzika e mirë. Emri që bërtet satirë, nuk kufizohen vetëm me aq. Secili koncert – sikurse ai në një strehimore të dikurshme në Prishtinë – është veç edhe një dëshmi. Këngët kanë plot kuptim e mesazhe, si në vargje ashtu dhe në kompozicion e lojë në instrumente. Kjo shkrirje artistike shumëdimensionale vjen si rezultat i një shpirti të lirë artistik dhe eksperiencës e cila shtrihet qysh prej fundviteve ’80 kur “Blla...” nuk doli vetëm në skenë, por edhe jashtë kufijve të muzikës së deriatëhershme.
Idriz Ameti, frontmeni i grupit, është i vetmi që formacioni origjinal i bendit, e bashkë me të “Blla Blla Blla” edhe pas gati katër dekadave vazhdon ta ketë eliksirin e dikurshëm të fshehur nëpër telat e zërit plot timbër të Ametit, brenda violinës së Krenar Ismailit, te vibrimi i bas-kitarës së Djole Maksimovit dhe në rrapëllimën e baterive të Dimitar Petrovit. Përherë tingëllon mirë, “akordimi” inxhinierik ka qenë kaherë ana e fuqishme e grupit.
Sërish, plot stil e origjinalitet “Blla Blla Blla” u dhuroi fanatikëve të muzikës së bendit nga Shkupi në Prishtinë një spektakël në versionin “unplugged”, specialitetin e katërshes. “DefyThem” qe vendtakimi. Tashmë e ditur, kjo hapësirë shërben si fole e skenës së muzikës alternative në kryeqytet, krahëhapur pret të gjithë ata që duan muzikën rock e derivatet e saj. Edhe të premten mbrëma ngjau njësoj. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, kur hapësirat e qendrës kulturore “DefyThem”, dikur një ish-strehimore në raste lufte e fatkeqësish, me zor u bënë vend admiruesve të shumtë të bendit.
Ndriçimi pulsues i zhytur në terrenin e muzikës ishte lajmëtar se “Blla Blla Blla” po i afroheshin skenës. Publiku: i harlisur me duartrokitje. Bendi: në top-formë. Kishte vendosur që hapjen ta bënte me këngën “Mustafa Kairo”. Frontmeni i grupit, në paraqitje ekscentrik nisi performancën po aq të “çuditshme” duke ngjarë në një përpëlitje të tijën për t’u futur në botën e tingujve. Ndërkohë, pizzicato me violinën e Krenar Ismailit shoqëronte frazat zor të kuptueshme si dërdëllitje, që këndoheshin nga Ameti.
“Blla Blla Blla” është themeluar në vitin 1988. Në atë periudhë grupi shqiptaro-maqedonas kishte në përbërje anëtarët Idriz Ameti, Ermal Skupi (Mehmeti), Nikola Boçvarov dhe Blagojçe Penov. Më vonë, Ermali, që luante në violinë, e kishte lënë grupin dhe ishte zëvendësuar nga Krenar Ismaili në vokal e violinë. Veprimtaria e tyre diskografike do të shënohej pas një periudhe tunduese për Ballkanin me albumin e parë në vitin 1999. Albumi i titulluar “Blla Blla Blla” bëri bashkë energjitë e tyre, duke u shkrirë në mendime dhe shprehje të sinqerta. Trazirat politike, konfliktet dhe krijimi i kufijve të rinj bënë që bendi të rezistonte nëpërmjet artit, vargjeve e muzikës. Ndërkaq sentimenti ballkanas dhe satira, qenë dy aspekte të cilat do t’i përcillnin grupin në vazhdimësi.
Por, ajo që e karakterizon bendin veç tjerash, është edhe shtrirja e mendimit pozitiv nëpërmjet këngëve. Ani pse tekstet janë pasqyrë realiteti, gjejnë mënyra të holla e të sinqerta për ta shndërruar muzikën në diçka e cila e ngrit moralin krahas dëfrimit.
“Oversky ballkanishe re-form” (2005) është albumi pasues, “Lamtumirë” (2011) si albumi i tretë me radhë solli një stil të rock-ut progresiv duke vendosur temp e stile të ndryshme në secilën këngë. “Brum për medioferr” (2017) është albumi më i fundit nga bendi, ndërkaq për KOHË-n Ameti ka bërë të ditur se në horizont nuk shihet ndonjë prurje e re nga ta.
Pak para se të niste performanca e tyre, në prapaskenë Ameti ka folur për veçantinë e kësaj performance, gjithmonë me artikulimin e tij plot humor.
“Këtu do të jemi në veçanti unplugged, për shkak se atmosfera është ashtu ulur të gjithë, njerëzit e mirë e të bukur sikur edhe bendi. Do të jetë më qetë, për me qenë më lehtë, zmadhueset i lëshojmë prej 7 në 3 që fluidi me ecë nëpër hapësirë dhe me ndje instrumentin, fjalët dhe energjinë pozitive”, është shprehur Ameti.
Një gjë qe e sigurt se audienca do të vallëzonte. Shpejt u konfirmua në lëvizjet e trupit para-prapa, që karakterizonin disponimin e shumicës, kush me birrë në dorë e kush duke brohoritur pjesë nga teksti.
Ndërkaq vetë Ameti, përveç këngës, performancën nënvetëdijshëm e bën edhe me trupin e tij. Duart e tij bëjnë shfaqje më vete e cila duket sikur një skenar që tregon se po manifestohen tingujt brenda turpit e mendjes së një artisti.
Por, kjo mirëpritje nga Prishtina nuk është diçka e re për bendin. Për Ametin, kryeqyteti i Kosovës është ndjenjë më vete. Është ndryshe.
“Prishtina përherë na kanë pritë mirë, i kanë ditur këngët, ka qenë befasi shumë e madhe kur kemi ardhur për herë të parë në Kosovë, ajo ka qenë ‘wow’. Prej atëherë Prishtinën e duam fort dhe ka shumë potencial Prishtina, ajo flet shqip, ka nisur edhe Shkupi me folë shqip por jo, ende mundohemi, e këtu flitet e këndohet. Është ndjenja më ndryshe, e dimë se publiku na pret me padurim, këndon me ne. Ne do t’i zbavitim ata do të na kthejnë pozitivisht, energjia... fluidi... pozitivitet... tan kohën pse mos me dashtë këtë qytet”, ka thënë Ameti për KOHË-n.
Prishtina është si shtëpi e dytë për ta. Ndërkaq fakti se në audiencë ka edhe të rinj i gëzon anëtarët. Është dëshmi se “Blla Blla Blla” i përgjigjet çdo moshe.
“Ne edhe pse vijmë nga Shkupi, këtu ndihemi si në shtëpinë tonë. Dikush kishte me thënë si në shtëpinë e dytë, por realisht si në shtëpinë e parë, sepse më shpesh po na bie të performojmë këtu sesa në vendlindjen tonë. Gjithmonë kur vijmë në Prishtinë ndihemi komodë, ndihemi shumë mirë, jemi jashtëzakonisht të kënaqur me publikun që na viziton. Është shumë interesante se si gjatë viteve po shohim gjenerata të reja që po shfaqen në koncertet tona, bashkë me prindërit e tyre që dikur kanë qenë vetë fëmijë dhe po i këndojnë këngët tona bashkë me ne”, ka thënë violinisti i grupit, Krenar Ismaili.
Edhe për bas-kitaristin e bendit, Djole Maksimovski, i cili i është bashkuar grupit të famshëm së fundmi, kjo natë është e veçantë. Nuk është hera e parë që performoi në Prishtinë, ka kohë që e njeh audiencën e këtushme, sidomos atë të jazz-muzikës.
“Sonte është një mbrëmje e mrekullueshme, këta njerëz janë të mrekullueshëm. Muzika jonë është shumë e mirë dhe pres një audiencë elektrizuese gjithnjë. Kam qenë dhe herë të tjera në Prishtinë, në ‘Hamam Jazz Bar’, me bendin e dikurshëm timin nga Shkupi dhe mund të them që e dashuroj audiencën e Prishtinës”, ka thënë Maksimovski.
Për fund, si për t’ia vënë pikën një performance dyorëshe, “Blla Blla Blla” dha mesazhe edhe me të fundit këngë, “Bleta”.
“Ngadalë erdhëm deri në fund të përrallës/ Arusha nuk e kapi bletën/ se ajo e mashtroi me një lugë mjaltë/ Fëmijë, duhet ta hani mjaltin, çdo mëngjes nga një lugë të reçelit”, qenë vargjet e fundit të cilat i pasoi një gumëzhimë bletësh e bërë nga Ameti, e cila pas la energji pozitive. Dhe një audiencë të ekzaltuar që thërriste vazhdimisht që grupi të kthehej edhe për një këngë tjetër.