Euro 2020

Italia gati t’i hakmerret Spanjës për humbjen e thellë në finalen e vitit 2012

Luis Enrique mendoi për disa sekonda, vështroi drejtpërdrejt pyetësin dhe ia dha një përgjigje të shkurtër.

“Jo”, tha trajneri i Spanjës, me pamjen e tij të zbehtë në fytyrë, pasi u pyet nëse ai kishte parë një ekip më të mirë se të tij në Kampionatin Evropian.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse Spanja do ta konfirmojë bindjen e Enriques kur të përballet në gjysmëfinale të “Euro 2020” kundër Italisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet të martën prej orës 21:00 në stadiumin “Wembley” në Londër. Italia po shkëlqen në Evropian dhe tashmë ka vendosur rekord kombëtar prej 32 ndeshjeve rresht pa humbje, seri që e nisi në shtator të vitit 2018. Tri fitore mbresëlënëse në fazën e grupeve, pa pranuar gol. Një fitore e çmendur ndaj Austrisë pas vazhdimeve dhe eliminimi i Belgjikës në çerekfinale është bilanci i Italisë në Evropian. Ndoshta Luis Enrique nuk është i vetëdijshëm, por Italia për momentin po konsiderohet si favoritja kryesore për t’u shpallur kampione e Evropës.

“Nuk është e mundur të arrihet diçka e madhe në një sport ekipor nëse mendoni se individët janë më të rëndësishëm se ekipi. Ne jemi më shumë të ngjashëm me një klub sesa me një ekip kombëtar. Dhe unë mendoj se lojtarët e Spanjës e kanë treguar nivelin e tyre tashmë”, u shpreh Enrique. “Edhe Italia është e ngjashme sikur ne, pasi nuk bazohet te individët, por tek ekipi. Ne jemi me meritë në gjysmëfinale dhe ky është një moment të cilin lojtarët e ekipit tim duhet ta shijojnë. Unë jam i lumtur me atë që kemi treguar deri më tani dhe dua ta shijojmë këtë përvojë”.

Kjo mund të jetë edhe një ndeshje midis ekipeve që pothuajse kanë harruar se çka është humbja, pasi Spanja ka vetëm një disfatë në 29 ndeshjet e saj të fundit.

“Do të jetë interesante të shohim se kush do ta fitojë këtë ndeshje. Veçse ka top-lojtarë, Italia është një ekip i vërtetë. Ata sulmojnë dhe mbrohen si ekip, gjë të cilën e bëjmë edhe ne. Ata gjithashtu bëjnë presion të madh, gjë të cilin ekipet e kaluara të Italisë nuk e kanë bërë. Të dy ekipet do t’i kenë momentet e tyre në këtë gjysmëfinale dhe do të shohim se kush do t’i shfrytëzojë më mirë”, shtoi Enrique.

Italia ka ndryshuar qëkur Roberto Mancini mori drejtimin e saj në maj të vitit 2018, me ekipin që po aplikon një lojë sulmuese. Megjithatë, krahas sulmit edhe mbrojtja e Italisë është ajo që nuk ka nevojë për prezantim. Qendërmbrojtësit Leonardo Bonucci dhe Giorgio Chiellini ende po e mbajnë ritmin dhe Italia deri më tani ka pësuar vetëm dy gola në Evropian. Nga ana tjetër, mbrojtja e Spanjës është përmirësuar me Aymeric Laporten, i cili pak para turneut e mori nënshtetësinë spanjolle. Mirëpo, Laporte mbetet në dyshim për këtë ndeshje sikurse sulmuesi i krahut, Pablo Sarabia.

“Spanja është kritikuar, por Luis Enrique e ka bashkuar edhe më shumë grupin e tij. Është një ndeshje e vështirë për ne, por nëse tregojmë Italinë e 30 ndeshjeve të fundit, atëherë mund ta arrijmë rezultatin që duam”, ka thënë qendërmbrojtësi italian Bonucci. “Nuk ka favoritë në këtë ndeshje. Ne duhet të jemi të përqendruar dhe kemi motiv shtesë përballë një kundërshtari të tillë”.

Në sulm, sulmuesi Alvaro Morata vazhdon të zhgënjejë për Spanjën, e cila kishte nevojë për gjuajtjen e penalltive që të eliminojë Zvicrën në çerekfinale. Megjithatë, është mesfusha reparti ku Spanja mund të sfidojë seriozisht Italinë, duke e bërë atë departamentin ku ndeshja mund të fitohet ose humbet. Jorginho, Nicola Barella dhe ndoshta Marco Verratti për Italinë përballë Sergio Busquetsit, Pedri Gonzalezit dhe Kokes për Spanjën, është një duel i domosdoshëm për t’u parë. Asnjë nga ekipet nuk e ka arritur gjysmëfinalen deri më tani në një garë të madhe ndërkombëtare që nga viti 2012, kur u takuan në finalen e Kampionatit Evropian në Kiev. Spanja fitoi atë ndeshje 4:0.

“Spanja e ka një stil futbolli që e ka luajtur gjatë 15-20 vjetëve të fundit dhe ka sjellë sukses të jashtëzakonshëm”, tha trajneri i Italisë, Mancini të hënën përmes një përkthyesi. “Stili ynë i lojës është paksa i ndryshëm. Ne jemi Italia. Ne nuk mund të bëhemi spanjollë brenda natës. Ne kemi mënyrën tonë të lojës për të fituar dhe do të përpiqemi t'i qëndrojmë besnikë kësaj loje”.

Mancini tha se sulmuesi Andrea Bellotti dhe mbrojtësi Rafael Toloi duhet të jenë në dispozicion pas dëmtimeve që i pësuan. Ai e konfirmoi mungesën e Leonardo Spinazzolas, të cilin në krahun e majtë të mbrojtjes do ta zëvendësojë Emerson Palmieri. Një fitore për Spanjën, e cila ka skuadrën më të re në turne, krijon mundësinë e një titulli të tretë të Evropës në katër edicionet e fundit, dhe potencialisht fillimin e një periudhe të re suksesi për një komb që mbizotëroi futbollin botëror nga viti 2008 deri në vitin 2012. Ndërkohë një fitore për Italinë me siguri do të thotë që ekipi i Mancinit do të hynte në finale si favorit, pa marrë parasysh se kush fiton ndeshjen e dytë gjysmëfinale midis Anglisë dhe Danimarkës.