Euro 2020

Arritja në finalen e Evropianit, hapi i fundit në rilindjen e futbollit italian

Duke kërcyer së bashku në grup në fushën e stadiumit “Wembley”, të brohoritur nga mijëra tifozë, lojtarët e Italisë shijuan festimet, duke thithur skenat që kanë pritur kaq shumë për t'i shijuar përsëri. Ndërkohë, në Romë, mbështetësit u futën në shesh dhe zbritën në Koloseumin antik, duke parakaluar shpejt me motorë, duke tundur flamuj edhe pse mesnata po afrohej pas fitores ndaj Spanjës të martën. Nga Anglia në Itali, dukej sikur festat e titullit ishin në rrjedhën e plotë. E vetmja gjë që mungonte ishte trofeu. Italianët do të duhet të kthehen të dielën sërish në “Wembley” për ta marrë trofeun dhe për ta përfunduar këtë rilindje të një kombi të madh futbolli në finalen e Kampionatit Evropian.

“Pothuajse askush nuk besonte se mund ta bënim”, tha trajneri i Italisë, Roberto Mancini. “E megjithatë, jemi në një finale”.

Turneu i fundit i madh – Kampionati Botëror i vitit 2018 – nuk e pati fare Përfaqësuesen e Italisë.

Ishte Spanja ajo që ndihmoi për të mohuar kualifikimin e Italisë në Botëror për herë të parë në gjashtë dekada. Triumfi në ndeshjen gjysmëfinale të “Euro 2020” pas penalltive u ndie si kapitulli i fundit i shpengimit nga dëshpërimi për të mos qenë në Kampionatin Botëror për kampionët e katërfishtë.

Duke vepruar kështu, Mancini ka dëbuar nocionet e vjetra të ekipeve italiane pa gola, ultra-mbrojtëse. Ky është një ekip që pushton audiencat përtej Italisë me një vendosmëri drithëruese për të sulmuar dhe argëtuar me lojën ofensive.

Natyrisht që nuk do të kishte pa pasur qëndrueshmëri në mbrojtje. Mancini ende mund të mbështetet te një veteran 36-vjeçar, Giorgio Chiellini, i cili ka ndihmuar për të zgjatur serinë në 33 ndeshje pa humbje. Por aty ekziston edhe brezi i ri që nuk është dëmtuar nga dështimi i kualifikimit në Botëror - veçanërisht sulmuesi 23-vjeçar Federico Chiesa, goli i të cilit e kaloi Italinë në epërsi në minutën e 60-të.

“Lojtarët donin të bënin diçka ndryshe”, shtoi Mancini. “Ata donin të luanin një markë futbolli që njerëzit e shijojnë dhe deri më tani, ata kanë qenë në gjendje ta bëjnë atë”

Faza e grupeve ishte një erë. Turqia, e shpallur si një sfiduese e jashtme që u kualifikua në turne, u la mënjanë 3:0 në ndeshjen e parë. Kishte edhe tre gola të tjerë ndaj një skuadre të Zvicrës, që do ta eliminonte Francën në 1/8 e finales. Uellsi u mposht 1:0 me shumë nga rezervistët, ndonëse Italia tashmë e kishte siguruar avancimin në fazën e nokautit. Testi i vendosmërisë së ekipit erdhi në udhëtimin e parë larg Romës, në stadiumin “Wembley”, kur u kërkuan vazhdimet për ta mposhtur Austrinë 2:1 në 1/8 e finales. Pastaj erdhi kërcënimi nga skuadra e renditur në vendin e parë në botë, por edhe Belgjika u eliminua gjithashtu 2:1 - këtë herë brenda 90 minutave. Spanja shtroi pyetje të reja për italianët, duke e bërë të vështirë për të marrë kontrollimin e topit, me lëvizjet e tyre dhe pasimet zhgënjyese të mesfushorëve Marco Verratti dhe Jorginho.

“Ka disa lojëra kur duhet të vuash, por ne e meritonim të ishim këtu. Ne e dinim se do të ishte e vështirë. Nuk ishte e lehtë, dhe Spanja na befasoi në fillim duke vendosur të luante pa një sulmues”, tha Mancini.

“Ky grup, megjithatë, është i mahnitshëm. Të gjithë duan të fitojnë, por ky grup lojtarësh donte të bënte diçka të veçantë dhe ata thjesht e bënë atë. Tash mbetet të shohim se çfarë do të bëjmë në finale”.

Për trajnerin që u zotua për një “rilindje” pasi u punësua në vitin 2018, misioni duket se është afër përmbushjes nga Mancini, i cili ka fituar tituj kampioni me Interin dhe Manchester Cityn. Çfarëdo që të ndodhë në finalen e Kampionatit Evropian të dielën mbrëma, ka një tjetër tentim për një trofe në muajin tetor, me Italinë që është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.

“Ata besuan që nga dita e parë që ne mund të prodhonim diçka të pabesueshme”, Mancini. “Mirëpo kemi ende edhe një hap për të bërë dhe tani ne duhet të pushojmë, sepse ky turne ishte me të vërtetë shumë sfidues”.

Italia deri më tani i ka zhvilluar gjashtë ndeshje në Evropian dhe po shpreson që e shtata, finalja në “Wembley” të dielën mbrëma, do të jetë për t’u kujtuar. Italia të mërkurën është kthyer në qendrën stërvitore në Coverciano në Firence. Futbollistëve që luajtën në gjysmëfinale ndaj Spanjës, përzgjedhësi Mancini u ka dhënë pushim, ndërsa të tjerët kanë stërvitur prapa dyerve të mbyllura.