Sport

Italia synon trofeun e dytë për më pak se tre muaj

Plani dinak i Spanjës për ta mposhtur Italinë këtë herë duket se ka një të metë.

Këto dy përfaqësuese do të takohen në gjysmëfinalen e plejofit të Ligës së Kombeve, të mërkurën, tre muaj pas një përballjeje gjysmëfinale në Kampionatin Evropian. Italia e fitoi atë ndeshje me penallti, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultatin 1:1.

Pasi eliminoi Spanjën, Italia e mposhti në finale Anglinë, gjithashtu pas penalltive, për t’u kurorëzuar me titullin e Evropës.

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, tha se do të qëndronte me një filozofi sulmuese kundër Italisë, por kjo mund të jetë e ndërlikuar ndaj një skuadre që ka një nga mbrojtjet më të mira në futbollin ndërkombëtar. Rekordi botëror i Italisë prej 37 ndeshjeve rresht pa humbje bazohet edhe në mbrojtje të fortë.

Në të vërtetë, Italia vendosi një rekord tjetër këtë vit prej 1168 minutash pa pësuar gol. Por, siç pranuan të martën trajneri Roberto Mancini dhe kapiteni Giorgio Chiellini, testi më i ashpër i asaj gare të pamposhtshmërisë ishte gjysmëfinalja e “Euro 2020” kundër Spanjës. Italia pati vështirësi në atë ndeshje pasi Spanja ishte në pronësi të topit dhe dominoi tërësisht në mesfushë.

“Kujtimi i asaj gjysmëfinaleje është ende gjallë dhe emocionet janë ende të ngulitura në kokën dhe zemrat tona. Ishte një ndeshje e vështirë, të gjithë e mbajmë mend shumë mirë”, pranoi Chiellini.

“Ndaj Spanjës ne do të duhet të jemi vigjilentë në të gjitha fazat e ndeshjes, kur e kemi topin dhe kur nuk e kemi. Respekt i madh për Spanjën, sepse ne e dimë cilësinë e madhe që ka, por ne duhet të arrijmë të kontrollojmë më mirë fazat e ndryshme të ndeshjes”.

Ndryshe nga gjysmëfinalja në “Euro 2020”, që u luajt në Londër, Italia këtë herë do të ketë mbështetje pasionante në shtëpi, nga 37.000 tifozë në stadiumin “San Siro” në Milano.

Fituesi i këtij dueli do të përballet me kampionen në fuqi të botës, Francën, ose Belgjikën në finalen e Ligës së Kombeve, e cila do të zhvillohet gjithashtu në Milano të dielën. Franca luan me Belgjikën në Torino të enjten.

Italia është goditur rëndë nga dëmtimet për fazën finale të edicionit të dytë të Ligës së Kampionëve. Përzgjedhësi Roberto Mancini nuk ka në ekip katër nga lojtarët që ishin pjesë e ekipit fitues të “Euro 2020”. Kur Mancini e shpalli listën javën e shkuar, ai nuk përfshiu të lënduarit Leonardo Spinazzola, Alessandro Florenzi, Gaetano Castrovilli dhe Andrea Belotti. Mancini humbi tre të tjerë në fundjavë pasi Ciro Immobile, Rafael Toloi dhe Matteo Pessina u detyruan të tërhiqeshin dhe u zëvendësuan nga Moise Kean, Davide Calabria dhe Federico Dimarco.

“Është më se e qartë se ne kemi disa probleme. E them këtë sepse na mungojnë dy sulmuesit tanë të Evropianit të cilët janë lënduar me ekipet e tyre”, tha Mancini. “Por si sulmues për Ligën e Kombeve e kemi Keanin dhe Raspadorin, të cilët na garantojnë cilësi përpara. Kemi disa opsione, do të shohim se cili do të jetë më i miri”.

Spanja është gjithashtu pa një numër lojtarësh, përfshirë sulmuesin e Juventusit, Alvaro Morata, i cili shënoi, por gjithashtu humbi një penallti në gjysmëfinalen e “Euro 2020”. Enrique çuditërisht thirri mesfushorin 17-vjeçar të Barcelonës, Gavi Paez. Nëse Gavi luan, ai do të bëhet debutuesi më i ri te Spanja, duke thyer rekordin e mbajtur nga Angel Zubieta me 17 vjet e 284 ditë, të vendosur në vitin 1936.

“Unë duhet të pranoj se jam shumë me fat, sepse ka shumë lojtarë të lënduar. Ndihem keq për ta, por unë kam një potencial të tillë të futbollistëve për të përfaqësuar ekipin tonë kombëtar në mënyrën më të mirë të mundshme, sa është e pabesueshme”, tha Enrique të martën. “Me Gavin, ne kemi nevojë për të njëjtën gjë si për lojtarët e tjerë të rinj: durim dhe besim. Rëndësia nuk ka të bëjë me atë se kur do të bëjë ai debutimin, por me atë që ne do të themi për të në pak vite, kur të arrijë 50 ose 100 ndeshje me ekipin përfaqësues”.