Firence, 30 gusht (AP) – Kampionia e Evropës, Italia, po synon të rifillojë aty ku e la, pasi është në ndjekje të një rekordi të kahershëm. Italia luan të enjten me Bullgarinë, njërën prej tri ndeshjeve në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Në fakt, për Italinë kjo do të jetë ndeshja e parë qëkur e mposhti Përfaqësuesen e Anglisë në finalen e “Euro 2020” në muajin korrik. E në rast se Italia e shmang humbjen ndaj Bullgarisë në stadiumin “Artemio Franchi” në Firence, atëherë do ta barazojë rekordin e Spanjës prej 35 ndeshjeve pa humbje, të vendosur midis vitit 2007 dhe 2009. Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini për ndeshjet e shtatorit, ka ftuar të gjithë lojtarët që ishin pjesë e ekipit që triumfoi në Kampionatin Evropian, pasi është i bindur se ata janë të uritur për më shumë sukses. Pas duelit me Bullgarinë (2 shtator), Italia do të përballet edhe me Zvicrën (5 shtator)dhe Lituaninë (8 shtator), në kuadër të Grupit C kualifikues.
“Unë nuk mendoj se ekziston rreziku që ata të ngopen. Ata e treguan edhe në Evropian, se ata kurrë nuk i nënvlerësojnë ndeshjet, sepse e dinë që për të luajtur mirë dhe për të fituar duhet të jesh gjithmonë i përqendruar plotësisht”, tha Mancini, i cili doli në konferencën për shtyp të hënën mes duartrokitjeve të shumta nga gazetarët e pranishëm. “Unë dua që ne të fillojmë përsëri nga vendi ku e lamë, duke luajtur mirë dhe duke shënuar gola. Shpresoj që kjo të ndodhë që nga e enjtja”.
Italia është në krye të Grupit C, pasi i ka fituar tri ndeshjet e para kualifikuese pa pranuar asnjë gol dhe duke shënuar gjashtë. Zvicra e dyta në grup me tri pikë më pak, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Irlanda e Veriut dhe Bullgaria kanë nga një pikë, derisa Lituania është e fundit pa pikë. Mancini ka pranuar që synimi i Italisë është që sa më shpejt ta sigurojë kualifikimin në Botërorin e vitit të ardhshëm që mbahet në Katar.
“Ne ende mund të përmirësohemi në këta 14 muaj nga tani deri në Kupën e Botës. Por, së pari duhet të përballemi me pesë ndeshje kualifikuese dhe mund të hasim probleme. Pra, qëllimi i parë është të kualifikohemi dhe më pas do të mendojmë për fazën përfundimtare dhe do të përgatitemi mirë”, është shprehur Mancini.
Mbrojtësi i Lazios, Manuel Lazzari, është tërhequr nga skuadra pasi mori një lëndim në ndeshjen e ekipit të tij kundër Spezias. Megjithatë, Mancini zbuloi se Lazari do të zëvendësohet nga mbrojtësi i Milanit, Davide Calabria, të cilin tashmë e ka ftuar. Italia luan me Zvicrën në Basel të dielën dhe më pas kthehet në shtëpi për t’u përballur me Lituaninë në Reggio Emilia tri ditë më vonë.
-
Italia nisi ngadalë mbrojtjen e titullit, tani sfidohet nga Zvicra
-
Italia në kërkim të golave në ndeshjet finale të Ligës së Kombeve
-
Italia kërkon kualifikimin në Katar, por mendjen e ka te dështimi i mëparshëm
-
Mancini thotë se Italia mund ta fitojë Botërorin
-
Italia e vendosur për ta harruar dështimin e kaluar me kualifikim në “Katari 2022”