Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Pesë duelet klasike mes Italisë dhe Spanjës në prag të gjysmëfinales së “Euro 2020”

Italia dhe Spanja do të përballen në gjysmëfinalen e “Euro 2020” të martën mbrëma në Londër. Ky do të jetë Evropiani i katërt rresht që këto dy ekipe do të përballen mes vete. Mirëpo, para duelit që nis të martën prej orës 21:00, po i paraqesim pesë ndeshjet më të mira të këtyre skuadrave ndërmjet veti.

Bërryli i Tassottit ndaj Enriques

Takimi i parë mes Italisë dhe Spanjës erdhi në Botërorin e vitit 1934. Këtë duel e fitoi Italia nikoqire me rezultatin 1:0 në çerekfinale për ta ngritur në fund trofeun. Gjashtë dekada më vonë, këto dy ekipe u përballën sërish në Kampionatin Botëror, atë të vitit 1994 të mbajtur në SHBA, sërish në çerekfinale. Atëbotë, Spanja nuk shihej si favorite e madhe në futbollin botëror, por ata i nxorën telashe Italisë së drejtuar nga Arrigo Sacchi në duelin e luajtur në Foxborough të Massachusettsit. Dino Baggi i dha Italisë epërsinë në minutën e 25-të, përpara se të fillonte polemika në fillim të pjesës së dytë kur Luis Enrique – trajneri aktual i Spanjës – u rrëzua në zonën e Italisë duke e mbajtur fytyrën. Një bërryl nga italiani Mauro Tassotti e la Enriquen të përgjakur dhe me hundë të thyer. Jose Luis Caminero barazoi për Spanjën, por goli i vonshëm i Roberto Baggios ia siguroi fitoren Italisë, që më vonë u mposht në finale nga Brazili. Tassotti nuk u ndëshkua për atë veprim gjatë ndeshjes, por më vonë u suspendua me tetë ndeshje moslojë.

Përparimi i Spanjës

Spanja kishte humbur në pesë paraqitjet e saj mëparshme çerekfinale në turne të mëdha, duke u ndeshur me Italinë, kampionen në fuqi të botës, në Vjenë në Evropianin e vitit 2008. Pa Andrea Pirlon dhe Gennaro Gattuson të pezulluar, Italia e mbajti ndeshjen kundër Spanjës pa gola. E pa gola përfunduan edhe në vazhdime. Kështu që, pas 120 minutash pa gola, fituesi do të përcaktohej nëpërmjet penalltive, ku Iker Casillas priti gjuajtjet e Daniele De Rossit dhe Antonio Di Natales. Cesc Fabregas e shndërroi në gol penalltinë vendimtare për t’i dhën fitoren Spanjës 4:2 dhe kalimin për herë të parë në gjysmëfinale të një turne të madh që nga humbja e finales së Evropianit të vitit 1984. Spanja vazhdoi me fitore dhe arriti ta mposhtte 1:0 Gjermaninë në finale për të filluar epokën e saj të dominimit.

Edhe Italia synon trofeun e dytë për më pak se tre muaj Sport Italia synon trofeun e dytë për më pak se tre muaj

Kulmi i “Furisë së Kuqe”

Pasi e fituan Botërorin e vitit 2010, dy vjet pas suksesit në Evropian, Përfaqësuesja e Spanjës shkoi në “Euro 2012” që u mbajt në Ukrainë dhe Poloni për trofeun e tretë, që do të ishte edhe historik.

Kampanja e spanjollëve filloi kundër Italisë në Gdansk, ndërsa ndeshja përfundoi me rezultatin 1:1, ku golat i realizuan Antonio Di Natale për italianët dhe Cesc Fabregas për Spanjën. Spanja e trajnerit Vicente del Bosque doli në krye të grupit të tyre para se të mposhtte Francën dhe më pas ta kapërcente edhe Portugalinë pas penallti për të arritur në finale të Evropianit. Në finalen e Kievit, Spanja e kishte përballë Italinë, e cila eliminoi Anglinë në 1/8 e finales pas penalltive përpara se të eliminonte edhe Gjermaninë në finale. Megjithatë, Spanja ishte e papërballueshme këtë herë për Italinë, që pësoi humbje të thellë 4:0. Me David Silvan e Jordi Alban që shënuan në pjesën e parë, fitorja ndaj Italisë u konfirmua në pjesën e dytë, me dy golat e tjerë nga Fernando Torres dhe Juan Mata, duke i mundësuar Spanjës të shpallet përsëri kampione e Evropës.

Hakmarrja e Italisë

Shpërblimi i Italisë për kryesimin e grupit të saj në “Euro 2016” përpara Belgjikës, ishte një tjetër takim me Spanjën dhe një shans për të marrë hak për humbjen e thellë para katër vjetësh në Kiev.

Italianët në këtë turne ishin futur pas paraqitjeve të mjerueshme që i patën në Botërorin “Brazili 2014” duke u eliminuar në fazën e grupeve, por këtë herë ata dukeshin shumë më të fortë nën drejtimin e Antonio Contes. Spanja, ndërkohë, ishte eliminuar gjithashtu në rundin e parë të Kupës së Botës të mbajtur në Brazil. Para më shumë se 76 mijë shikuesve në “Stade de France”, Italia kaloi në epërsi nëpërmjet qendërmbrojtësit Giorgio Chiellini. Spanjollët patën rastet e tyre, por portieri Gianluigi Buffon ishte në nivel të detyrës përpara se Graziano Pelle të vulosë fitoren e Italisë 2:0 dhe eliminimin e Spanjës nga Evropiani i vitit 2016.

Edhe Kampionia e Evropës e gatshme për turneun final të Ligës së Kombeve Sport Kampionia e Evropës e gatshme për turneun final të Ligës së Kombeve

Dështimi i madh i italianëve në Botërorin “Rusia 2018”

Takimi më i fundit ndërmjet Spanjës dhe Italisë, erdhi në Madrid në shtator të vitit 2017. Ishte Spanja, ajo që triumfoi me rezultatin 3:0 në ndeshjen kualifikuese për Botërorin e vitit 2018. Fitoren e Spanjës në këtë përballje e siguruan mesfushori Isco me dy gola të shënuara, dhe sulmuesi Alvaro Morata me një tjetër. Skuadrat kishin barazuar 1:1 në Torino një vit më parë dhe fitorja e Spanjës në duelin e luajtur në Madridi, u siguroi spanjollëve vendin e parë në grup dhe kualifikimin për Kupën e Botës. Në anën tjetër, Italia duhej që kualifikimin në këtë turne ta kërkonte nëpërmjet plejofit, ndeshje të cilën e humbën nga Suedia për të mbetur jashtë Kampionatit Botëror për herë të parë që nga viti 1958.