Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Borxhet e vjetra të “liderit” të Spanjës, Enriques me Italinë

Londër, 5 korrik – Vetëbesimi luftarak i Luis Enriques e ka çuar Spanjën në gjysmëfinale të “Euro 2020”, por ish-shefi i Barcelonës ka një tjetër rezultat personal për ta vendosur në duelin e së martës mbrëma kundër Italisë. Karriera e tij prej lojtari në turne të mëdha mbahet mend më së shumti për “bërrylin e egër” që e mori nga Mauro Tassotti duke e “ngjyrosur” fanellën e bardhë të Spanjës me gjak që rridhte nga hunda e tij në Kampionatin Botëror të vitit 1994.

Tassotti shpëtoi pa ndëshkim në atë kohë – Spanjës iu mohua një penallti në kohën shtesë dhe mundësia për ta çuar ndeshjen në vazhdime, me Italinë që në fund triumfoi me rezultatin 2:1. Mbrojtësi italian u suspendua më pas për tetë ndeshje nga FIFA, por dëmi ishte bërë tashmë për Spanjën që u eliminua në çerekfinale nga Italia. Kjo ishte një histori e njohur për futbollin spanjoll në atë kohë, ndërsa brezat e lojtarëve të talentuar vinin e shkonin pa lënë gjurmë në garat e mëdha.

E gjithë kjo ndryshoi në vitin 2008, pasi një fitore në 1/8 e finales ndaj Italisë pas penalltive, e hapi derën për Spanjën që drejtohej nga Luis Aragones për t’u shpallur kampione e Evropës. Vicente del Bosque më pas mori detyrën si përzgjedhës i Spanjës, për të fituar Botërorin e vitit 2010 dhe Evropianin e vitit 2012. Por, në kohën kur Luis Enrique mori thirrjen, Spanja kishte rënë me shpejtësi nga maja. Në tre turnetë e mëparshëm të mëdhenj, ata nuk arritën të kalojnë as në çerekfinale, pasi gjenerata e një epoke të lavdishme u plak së bashku. Thirrja e diskutueshme e Luis Enriques për të lënë jashtë ish-kapitenin Sergio Ramos për “Euro 2020” prishi lidhjen e fundit të mbetur me ekipin e vitit 2008. Pa Ramosin, ose ndonjë lojtar tjetër të Real Madridit për herë të parë në historinë e Spanjës në një turne të madh, shtypi i Madridit pati kritika të ashpra, duke pretenduar se “La Rojas” do t'i mungonte lidershipi në Evropian.

“Unë jam një nga drejtuesit, si të gjithë trajnerët”, tha Luis Enrique. “Nëse nuk është kështu, atëherë është një sinjal i keq”.

Nuk ka qenë një udhëtim totalisht i qetë. Një rast i koronavirusit për Sergio Busquets-in në ditët para fillimit të turneut nënkuptonte që vendimi i trajnerit për të mos marrë një zëvendësim të tij, u vu në dyshim edhe më tej. Spanja gjithashtu ka fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e saj përgjatë 90 minutave në “Euro 2020”. Megjithatë, një numër thirrjesh më të mëdha të Enriques kanë ardhur për të kur kishte më shumë rëndësi. Sulmuesi Alvaro Morata, duhej të dëgjonte tifozët e tij duke brohoritur “sa i dobët je” në një miqësore para turneut kundër Portugalisë. Pas një rasti të humbur, duke përfshirë një penallti, në fazat e grupeve, sulmuesi i Juventusit shënoi një gol mahnitës në vazhdime për t’ia dhënë fitoren Spanjës 5:3 kundër Kroacisë në 1/8 e finales.

Autogoli komik i portierit Unai Simon në atë lojë për të hapur rezultatin kur ai nuk arriti të kontrollonte një pasim të thjeshtë të kthyer prapa nga Pedri, rihapi debatin se kush duhet të ishte numri një i Spanjës. Por, portieri i Athletic Bilbaos priti dy penallti në fitoren kundër Zvicrës në çerekfinale. I pajisur me shtetësi spanjolle vetëm disa javë para se të niste “Euro 2020”, qendërmbrojtësi Aymeric Laporte ka dhënë kontribut jetik në mbrojtje për Spanjës, ashtu si Cesar Azpilicueta që u rikthye pas tre vjetësh. Sulmuesi i krahut, Pablo Sarabia që mungon ndaj Italisë, ka justifikuar vendin e tij të titullarit me golat kundër Sllovakisë e Kroacisë, ndërsa Ferran Torres, Dani Olmo dhe Mikel Oyarzabal të gjithë kanë dhënë kontribut të dukshëm kur janë futur si zëvendësues.

“Gjithmonë kam thënë se ishim një nga tetë kandidatët për të fituar Kampionatin Evropian dhe tani jemi në mesin e katër më të mirëve”, tha Luis Enrique. “Do të ishte qesharake të jesh në gjysmëfinale dhe të mos mendosh për të hedhur një hap më shumë. Ky është objektivi ynë”.

Një armik i njohur qëndron në rrugën e tij në gjysmëfinalen që do të luhet në stadiumin “Wembley”, Italia. Mirëpo, fitoi apo humbi, Luis Enrique do ta bëjë atë në mënyrën e tij.

Artikuj të ngjashëm