Projektbuxheti i 2026-s parasheh për rreth 200 milionë euro më shumë shpenzime për subvencione dhe transfere, kryesisht shkaku i rritjes së pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale, e të tjera. Dokumenti që ka siguruar KOHA tregon se edhe buxheti për paga do të rritet për 64 milionë euro
Mbi 200 milionë euro parashihet të rriten shpenzimet për subvencione dhe transfere vitin e ardhshëm.
Kjo shumë e prezantuar në Projektbuxhetin e miratuar një ditë më parë nga Qeveria në detyrë, e të cilin e ka siguruar KOHA, është rezultat i rritjes së pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale, e të tjera.
Ajo përbën 57 për qind të rritjes totale të shpenzimeve për 2026-n, e që është 356.5 milionë euro.
Sipas projektbuxhetit, shpenzimet parashihen të jenë afro 4 miliardë euro, apo rreth 330 milionë euro më shumë sesa të hyrat e planifikuara për 2026-n.
Vetëm për subvencione dhe transfere do të shkojë 34 për qind e buxhetit, përkatësisht 1 miliard e 358 milionë euro.
E, për investime kapitale është paraparë buxhet më i vogël, rreth 1 miliard euro.
Ndërkaq, rreth 980 milionë euro është planifikuar të shkojnë në paga dhe shtesa, shumë kjo që do të shënojë rritje për afro 64 milionë euro.
Buxheti projekton edhe rritjen e të hyrave. Në 2026-n parashihet që shteti të arkëtojë 3 miliardë e 637 milionë euro, rritje për 331.6 milionë euro më shumë krahasuar me vitin aktual.
Edhe një ditë pas miratimit të Projektbuxhetit, ka vazhduar të kontestohet e drejta e Qeverisë në detyrë për ta miratuar dhe proceduar në Kuvend atë.
Në një reagim të Odës Ekonomike Amerika theksohet se për buxhetin e edhe për rritjen e pagës minimale duhet të vendosë një qeveri me mandat të plotë dhe që ka legjitimitet.
“Oda Amerikane paralajmëron se miratimi i politikave të reja të shpenzimeve publike në këtë fazë mund të cenojë stabilitetin makroekonomik, të rrisë ngarkesën buxhetore për vitet në vijim dhe të çrregullojnë tregun e punës, duke rritur pritshmëritë për paga më të larta në sektorin privat dhe duke ndikuar kështu në konkurrueshmërinë e përgjithshme të ekonomisë”, thuhet në reagimin e kësaj Ode.
Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka theksuar se Projektbuxheti për 2026 është miratuar kundërligjshëm, dhe ka hedhur akuza edhe ndaj presidentes për mungesë veprimesh.
“Sigurisht se nuk pres reagimin e të parës së shtetit për të ndaluar funksionimin qartësisht jo kushtetues të Qeverisë në detyrë. Ajo ka qenë në vazhdimësi në linjë me shkelësit e kushtetutës dhe ligjeve. As ajo dhe as Kurti nuk e kanë hallin e qytetarëve. Halli i tyre është si të ruajnë pushtetin, të cilin fatkeqësisht po e mbajnë duke prodhuar kriza në shkelje të ligjit e kushtetutës”, ka shkruar Hoti.
E ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, nuk ka përmendur Projektbuxhetin për 2026-n, por të shtunën iu ka bërë një thirrje deputetëve të miratojnë buxhetet për 2025-tën për tri komuna, që gjatë gjithë vitit kanë funksionuar me projeksionet buxhetore të 2024-tës.
“Përmes procedurës së përshpejtuar prej 72 orësh, Kuvendi i Kosovës mund t’i miratojë buxhetet e këtyre komunave për vitin 2025 dhe të hapet rruga për pagesën e faturave që janë grumbulluar qysh javën që vjen. Uroj që deputetët e opozitës të lënë anash inatin politik e të bëjnë veprimin e duhur, fillimisht duke themeluar komisionet parlamentare, e pastaj edhe duke votuar për buxhetet e këtyre komunave”, ka shkruar Murati.
Të premten, Qeveria në detyrë krahas miratimit të projektbuxhetit, ka rritur edhe pensionet bazë si dhe shtesat për fëmijë, masë që hyn në fuqi nga ky muaj.
Ekzekutivi vendosi që pensionin minimal nga 120 euro ta rrisë në 150 euro që nga nëntori i këtij viti. Krahas kësaj edhe shtesat për fëmijë të rriten për 50 për qind.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe në ekspozenë para Kuvendit, kur dështoi të sigurojë vota për mandatin e ri, përmendi këto dy vendime.
Rritja e pensionit minimal për 30 euro ka ndikim te 200 mijë persona mbi 65 vjeç. Kostoja mujore e rritjes do të jetë rreth 6 milionë euro, përkatësisht rreth 72 milionë euro në vit.
Përveç kësaj, rreth 50 milionë euro është kostoja mujore për vendimin për rritje të shtesave për fëmijë. Nga kjo do të përfitojnë rreth 400 mijë fëmijë deri në 16 vjeç.
Këto shpenzime nuk kanë qenë të parapara në buxhet për 2025-n.
Megjithatë, as kryeministri në detyrë, e as ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati nuk kanë sqaruar se nga cila linjë buxhetor do të sigurohen mjetet.
Shtesat janë përfshirë në projektbuxhetin për 2026, që Qeveria në detyrë ka miratuar të premten, me gjithë dilemat ligjore rreth vendimmarrjes.
Pos shtesave e pensioneve, për herë të parë në projekt-buxhet parashihet edhe dhënia e rrogës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Kostoja e kësaj page do të jetë mbi 53 milionë euro.
Ekzekutivi në mbledhjen e së premtes ka miratuar rritjen e pagës minimale që prek rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat. Ajo aktualisht është 350 euro, ndërsa është paraparë të rritet në dy faza, fillimisht në 425 euro në janar, ndërsa në korrik të bëhet 500 euro për të gjithë punëtorët me orar të plotë.