Rreth 200 milionë euro është kostoja vjetore e vendimeve që Qeveria në detyrë i ka marrë të premten për pensionet, shtesat për fëmijë dhe për pagën e 13-të të punëtorëve në sektorin publik. Implikime buxhetore ka edhe rritja e pagës minimale
Rreth 200 milionë euro është kostoja vjetore e vendimeve që Qeveria në detyrë i ka marrë gjatë mbledhjes të së premtes.
Ekzekutivi ka vendosur që pensionin minimal nga 120 euro ta rrisë në 150 euro që nga nëntori i këtij viti. Krahas kësaj, edhe shtesat për fëmijë të rriten për 50 për qind.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe në ekspozenë para Kuvendit, kur ka dështuar që të sigurojë vota për mandatin e ri, ka përmendur këto dy vendime e të cilat i ka arsyetuar të premten.
“Nëse 400 mijë fëmijë do të ishin dakord që këtë ta shtymë për ma vonë, edhe unë do të isha, por jam i bindur që ata presin që prej momentit kur ka folur kryeministri, një ditë e më parë të kalohet në realizimin e atyre. E kemi lexuar dhe rilexuar ligjin dhe kemi ardhur në përfundim që këtë ta bëjmë. Rrjedhimisht nuk kemi pse ta shtyjmë”, ka theksuar Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Rritja e pensionit minimal për 30 euro ka ndikim te 200 mijë persona të cilat janë mbi 65 vjeç. Kostoja mujore e rritjes do të jetë rreth 6 milionë euro, përkatësisht rreth 72 milionë euro në vit.
Përveç kësaj, rreth 50 milionë euro është kostoja mujore për vendimin për rritje të shtesave për fëmijë. Nga kjo do të përfitojnë rreth 400 mijë fëmijë të moshës deri në 16 vjeç.
Këto shpenzime nuk kanë qenë të parapara në buxhetin për vitin 2025.
Megjithëkëtë, as kryeministri në detyrë dhe as ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, nuk kanë sqaruar se nga cila linjë buxhetor do të sigurohen këto mjete.
Shtesat do të përfshihen në Projektbuxhetin për vitin 2026, të cilin Qeveria në detyrë e ka miratuar të premten, me gjithë dilemat ligjore rreth vendimmarrjes.
Krahas shtesave dhe pensioneve, për herë të parë në Projektbuxhet është paraparë edhe dhënia e rrogës së 13-të për të gjithë punonjësit e angazhuar në sektorin publik. Kostoja e kësaj page do të jetë mbi 53 milionë euro.
Ekzekutivi në mbledhjen e së premtes ka miratuar edhe rritjen e pagës minimale, e cila prek rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat. Ajo aktualisht është 350 euro, ndërsa është paraparë që të rritet në dy faza. Fillimisht në 425 euro në janarin e vitit të ardhshëm, ndërsa në korrik të bëhet 500 euro për të gjithë punëtorët me orar të plotë.
Kjo do të prekë edhe buxhetin e shtetit nëse zbatohet programi “SuperPuna për Gratë”, i cili ka për qëllim që Qeveria të mbulojë pagën minimale deri në 6 muaj për bizneset që punësojnë gra.