Vetëm disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, Qeveria në detyrë ka ndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin jopublik dhe për studentët.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar ministrit të Financave ta dizajnojë pakon për përballje me inflacionin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Pakon për përballje me inflacionin 2.0 që e kemi dizajnuar dhe do ta miratojmë sot me masat: Mbështetje e njëhershme prej 100 euro për pensionistë, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për fëmijët, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për punonjësit e sektorit jopublik, mbështetje prej 100 eurosh për studentët aktivë. Pagesat për familjet përfituese t’i bëjmë në fillim të javës që vjen”, ka thënë ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se shtesa prej 100 euro do të marrin vetëm të punësuarit në sektorin privat që kanë pagë më të ulët se 1000 euro.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe rritjen e shtesave për lehonat.
“Nga ky muaj do të rrisim shtesat për lehona. Derisa me qeverisjet e kaluara shtesat për lehona ishin zero, për herë të parë e nisëm duke paguar nga 170 euro për 6 muaj për lehonat e papuna dhe tre muaj për të punësuara. Shtesat i nisëm aq sa ishte paga minimale, kurse në maj vitin e kaluar i rritëm në 325 euro. Sivjet pagën minimale e rritëm përsëri, nga 1 korriku bëhet 500 euro. Edhe në këtë maj po i rrisim shtesat për lehona, nga 325 në 500 euro në muaj”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Mjetet financiare për pensionistët dhe fëmijët do të ndahen javën e ardhshme, kurse punonjësit e sektorit privat do të duhen të aplikojnë për të përfituar më pas.
Përveç vendimit për ndarjen prej 100 euro për fëmijët, pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, në mbledhje po ashtu u aprovua ndarja e mjeteve buxhetore në vlerë prej një milion euro, për zbatimin e masës 3.4 kuponë ushqimi për familjet në nevoje. Kurti tha se ky vendim është në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike.
”Ndarja e mjeteve buxhetore në vlerë prej një milion euro, synon mbështetjen e familjeve në nevojë, përmes masës 3.4 kupon ushqimi në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike. Mjetet transferohen nga programi i ringjalljes ekonomike në departamentin e skemave sociale dhe do të përdoren për mbulimin e kostove sipas thirrjes së shpallur për përfituesit”, tha Kurti.
Dugolli për kritikat për shtesat 100-euroshe: Ishte zotimi ynë elektoral qysh vitin e kaluar
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar ndaj kritikave për shtesat prej 100 eurosh, duke thënë se ato kanë qenë zotim elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti i kaluar.
Dugolli deklaroi se masa të ngjashme janë ndërmarrë vazhdimisht nga Qeveria Kurti që prej vitit 2021, pas rritjes së çmimeve si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë.
“Këso lloj masash ka pasur që nga viti 2021, që kur erdhëm në qeveri e ku premtuam mbështetje për qytetarët pas rritjeve të çmimeve pas pandemisë, luftës në Ukrainë. Qeveria Kurti ka dizajnuar masa për çdo vit”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Dugollit, pretendimet se këto masa po ndërmerren në prag të zgjedhjeve nuk qëndrojnë, pasi – siç u shpreh ai – zgjedhjet nuk kanë qenë të dëshiruara nga partia në pushtet.
“Ky ka qenë zotimi ynë elektoral qysh vitin e kaluar. Më 9 shkurt i kemi fitu zgjedhjet dhe zotimi ynë ka qenë që do të vazhdojmë me masat e njëjta për shkak se inflacioni dhe rritja e çmimeve po godet qytetarët”, deklaroi Dugolli.
Ai shtoi se qëllimi i qeverisë është që “dora e shtetit të jetë afër qytetarëve”, ndërsa ka thënë se nuk beson se ka probleme ligjore lidhur me këto vendime.
Dugolli mohoi gjithashtu se partia është në panik për vota, duke thënë se në terren po shohin “entuziazëm të madh” nga qytetarët.
Qeveria në detyrë gjatë ditës së sotme vendosi të ndajë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin privat dhe studentët. Gjithashtu u rritën shtesat për lehonat e papunësuara nga 325 në 500 euro.
Vendimi u kritikua gjerësisht se po bëhet për blerje votash në prag të zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor.
Azemi e quan "qesharak" vendimin për ndarjen e nga 100 eurove për sektorin privat
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë në detyrë për ndarjen e nga 100 eurove për studentët, pensionistët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat.
Në konferencë për media, Azemi tha se punëtorët e sektorit privat janë diskriminuar në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se dallimi në mbështetje financiare është i madh dhe i padrejtë.
“Realisht ne mendojmë që sa herë që merr veprime Qeveria e Kosovës, që të stimulojë punëtorët, edhe publik, edhe privat, krijon një ndasi aq të madhe saqë është diçka e paparashikueshme”, deklaroi Azemi.
Ai tha se derisa punëtorët e sektorit publik kanë përfituar paga të 13-ta në vlerë totale prej rreth 65 milionë eurosh, sektori privat sipas tij do të përfitojë vetëm rreth 20 milionë euro në total.
“Punëtorët e sektorit publik kanë marrë mesatarisht 750 euro për pagën e 13-të, ndërsa punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm nga 100 euro për një punëtor”, tha ai.
Sipas Azemit, diskriminim ka edhe me kriteret e vendosura për përfitim.
“Në një farë forme degradimi tjetër është që na e kanë bërë, sepse punëtorët e sektorit publik kanë marrë edhe ata që kanë pagë mbi 1000 euro, kurse tek punëtorët e sektorit privat ky vendim nuk vlen dhe punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm ata të cilët e kanë pagën nën 1000 euro”, u shpreh Azemi.
Ai akuzoi Qeverinë se vendimi është marrë për arsye elektorale dhe jo për mbështetje reale të punëtorëve.
“Qeveria nuk e ka bërë nga vullneti, po e ka bërë nga përfitimet e saj personale, sepse ju e dini që jemi në prag të zgjedhjeve. Unë kam menduar që minimumi çka do të bëhej do të ishte së paku ndarja e një gjysmë page për punëtorët e sektorit privat, por të bien në nivelin e 100 eurove, kjo me të vërtetë është qesharake dhe jo njerëzore”, deklaroi ai.
Azemi tha se shumica e punëtorëve privatë mund të mbesin jashtë kësaj skeme për shkak të mungesës së kontratave dhe problemeve me kontributet pensionale.
“Jemi të bindur që nuk do të arrijnë as shifra 100 mijë punëtorë që do ta marrin këtë stimulim qesharak, sepse pjesa dërrmuese e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë fare kontrata pune. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë njohuri se si t’i mbushin aplikacionet dhe unë mendoj që edhe këtu është bërë një dredhi”, tha ai.
Ekonomisti Misini: Shtesat prej 100 eurove thellojnë varfërinë
Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini ka komentuar ndarjen e mjeteve prej 100 euro për disa kategori nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në emisionin “tre8tre” në KTV ai tha se shtesat prej 100 eurove nuk e zbusin inflacionin por paraqesin thellimin e varfërisë.
“Shtesat prej 100 eurove nuk e zbusin inflacionin, kjo paraqet një thellim të varfërisë. Në periudhën afatshkurtër ka efekt sepse imagjinoni një pensionist që i merr 150 euro të ia jepni edhe 100 euro sado pak ia zbutë aty për aty inflacionin. Por periudhën afatmesme dhe afatgjate e varfëron ekonominë e vendit. Përfituesit më të mëdhenj të këtyre mjeteve financiare janë shtetet që eksportojnë produkte në Kosovë”, tha Misini.
Sipas tij, kjo Qeveri nuk ka të drejt të ndaj shtesa pasi është vetëm qeveri në detyrë dhe kësisoj po tenton të blej vota.
“Qeveria nuk ka të drejtë të ndajë çdo herë që shkojmë në zgjedhje shtesa, sepse është qeveri në detyrë. Sepse kjo është blerje votash dhe totalisht korrupsion. Por sa i përket partive opozitare që po e kritikojnë Kurtin edhe ata kanë bërë njësoj. Gjatë kohës së fushatës kemi pas rast partitë që kanë qenë më parë në pushtet e kanë proklamuar një sistem të tillë duke premtuar një rritje pagash për sektorin publik e duke injoruar sektorin privat. Pra kjo është një mendësi primitive i liderëve që nuk donë me zhvillu ekonominë por donë me vazhduar me manipulua më lehtë me popullatën”, ka shtuar profesori.
Ndërsa sa i përket shtesave për nënat lehona, ekonomisti theksoi se përqindja e grave të punësuara është shumë e ulët.
“Struktura e punësimit të grave është 20 për qind. Është një strukturë të fuqisë punëtore që nuk kërkon punë. Shtrohet pyetja pse nuk kërkon punë. Imagjinojeni një nënë që i ka dy fëmijë ajo më llogari ka të rrijë në shtëpi se sa të shkoj në punë. Për me i dërgua dy fëmijë në kopsht publik duhet të kesh të njohshëm sepse kopshti publik është kosto tjetër e ta dërgosh në kopsht privat kushton prej 250 deri në 350 euro dhe për shembull ajo nënën merr pagën 500-600 euro e nëse e ka edhe fëmijën e dytë ajo nuk ka mundësi financiare t’i dërgoj në çerdhe kështu që ajo detyrohet të qëndroj në shtëpi dhe të kujdeset për ta. Dhe tani nëse një nënë 22-23 vjeçare shpenzon 15 vjet kohë për t’i rritur fëmijët sepse nuk është vetëm çerdhja është edhe shkolla. Pra, për shembull unë e kam fëmijën në klasë të parë, kush ma dërgon mu fëmijën në shkollë prej orës 13:00? Kështu që ose unë ose bashkëshortja duhet ta lëmë punën për t’u kujdesur për të, pasi nëse e dërgoj në qëndrim ditor mund të shkoj deri në 300 euro. Pra nëse paga juaj është e ulët detyrohesh me e lënën punën dhe t’i dërgosh fëmijët në çerdhe apo qëndrim ditor”, deklaroi Misini.
DnV: Ndarja e pagesave nga Qeveria në detyrë është shkelje ligjore
Demokracia në Veprim ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë në detyrë për ndarjen e pagesave të njëhershme për kategori të ndryshme të qytetarëve, vetëm pak kohë para zgjedhjeve, përbën shkelje ligjore dhe siç thanë ata paraqet rast klasik të keqpërdorimit të resurseve publike në periudhë zgjedhore.
DnV ka shprehur se legjislacioni ndalon përdorimin e resurseve publike për qëllime që ndikojnë ose mund të ndikojnë në vullnetin e votuesve.
“Ky parim vlen për secilën formë, përfshirë përdorimin e buxhetit të shtetit, por edhe përdorimin e automjeteve, zyrave dhe administratës publike gjatë fushatës - për të krijuar përfitime elektorale... Për më tepër, shpërndarja e pakove masive financiare krijon ndikim të drejtpërdrejtë në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës ndërmjet subjekteve politike, duke krijuar avantazh të padrejtë për partinë në pushtet”, thuhet në reagim.
DnV ka rikujtuar që Kuvendi i Kosovës nuk kishte miratuar iniciativën për plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhetin, në kuadër të së cilit ishin paraparë mjete për një pako të tillë financiare. Prandaj, ka vlerësuar se ky vendim paraqet edhe tejkalim të dispozitave të Ligjit për Qeverinë, i cili kufizon qartazi mandatin e një qeverie në detyrë në marrjen e vendimeve me implikime financiare, sidomos kur ato nuk burojnë nga planifikimi i rregullt vjetor dhe nga buxheti aktual.
“Kjo situatë bëhet edhe më problematike nga fakti që ndihma financiare shpërndahet në mënyrë të përgjithshme dhe pa ndonjë situatë emergjente të re që do të arsyetonte masa të tilla urgjente. Kjo e bën të vështirë ndarjen ndërmjet politikës sociale dhe ndërhyrjes elektorale, pasi që mbështetja për qytetarët duhet të ndërtohet përmes politikave të qëndrueshme, të planifikuara dhe të trajtuara përmes procedurave të rregullta institucionale, e jo përmes vendimeve të improvizuara në prag të zgjedhjeve’, thuhet tutje.
Demokracia në Veprim u ka bërë thirrje institucioneve që të përmbahen nga përdorimi i resurseve publike në funksion të fushatës dhe të respektojnë standardet ligjore dhe demokratike që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
OEAK: Në vend të pagesave të njëhershme, fokusi të zhvendoset drejt investimeve
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar me masat e marra nga Qeveria në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për disa kategori, pasi ka deklaruar se masat e përkohshme financiare ofrojnë vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk adresojnë faktorët e nevojshëm strukturorë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Përmes një reagimi, Oda ka theksuar se masat që fokusohen në stimulimin e konsumit afatshkurtër “rrezikojnë të prodhojnë ndikim të kufizuar afatgjatë ekonomik, veçanërisht në një ekonomi si ajo e Kosovës, ku një pjesë e konsiderueshme e rritjes së konsumit përkthehet në rritje të importeve, e jo në shtim të prodhimit vendor dhe të investimeve”.
Oda konsideron se masat e tilla po ashtu kufizojnë disponueshmërinë e fondeve publike për iniciativa dhe investime me ndikim më të madh ekonomik dhe me përfitime më të gjera e më afatgjata.
“Në vend të pagesave të përkohshme dhe të njëhershme, fokusi duhet të zhvendoset drejt investimeve në infrastrukturë dhe në politika që forcojnë ekosistemin e sektorit privat. Investimet strategjike në infrastrukturën e transportit dhe të energjisë, infrastrukturë digjitale, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore krijojnë kushte që u mundësojnë bizneseve të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të rrisin produktivitetin”, thuhet në reagimin e odës.
Vetëm disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, Qeveria në detyrë ka ndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin jopublik dhe për studentët, si dhe ka rritur shtesat për lehonat.
Rritja e shtesave dhe 100 eurot e ndara nga Qeveria, Abdixhiku: Blerje votash
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pakoja e miratuar nga Qeveria në detyrë për mjete financiare për disa kategori është blerje vote në prag të zgjedhjeve.
Ai ka thënë se Vetëvendosje po përdor çdo mjet për të qëndruar në pushtet.
“Blerje votash, propagandë. fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet. Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë. Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit!” ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku ka shtuar se qytetarëve u duhet mirëqenia jo “si favor elektoral” por që të ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore.
Qeveria në detyrë ka ndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin jopublik dhe për studentët. Po ashtu, ka miratuar edhe rritjen e shtesave për lehonat.