Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita e shoqëria civile i vlerësojnë elektorale e të jashtëligjshme vendimet për pensione e shtesa

Miratimi i buxhetit dhe vendimet për rritje pensionesh e shtesash janë kontestuar nga përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile. Ata vlerësuan se me vendime synohet ndikimi në zgjedhjet e balotazhit dhe në ato parlamentare, që pritet të shpallen.

Vendimet e fundit të Qeverisë në detyrë për rritje pagash, pensionesh e shtesash për fëmijë, janë cilësuar nga përfaqësues të opozitës si mashtrime dhe përpjekje për blerje votash në prag të zgjedhjeve.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po tenton që në prag të balotazhit për zgjedhje lokale e afër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të sigurojë më shumë vota me vendimet që i mori në Qeveri.

“Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet ta rikthejë besimin e humbur të qytetarëve e as nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare. Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen”, tha Krasniqi.

Në këtë mbledhje, Qeveria në detyrë miratoi edhe buxhetin për vitin 2026 në vlerë të 4 miliardë eurove.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e akuzoi qeverinë për abuzim dhe theksoi se vendimet u morën për qëllime elektorale.

Edhe IKD: Vendimet e Qeverisë për buxhetin dhe pagat e pensionet – të kundërligjshme dhe elektorale Arbëri IKD: Vendimet e Qeverisë për buxhetin dhe pagat e pensionet – të kundërligjshme dhe elektorale

“Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes që ka uzurpuar zyrat e Qeverisë aprovoi sot buxhetin për vitin 2026. Ka mundësi që buxheti i vitit 2026 të shkojë në 8 miliardë e pagat e pensionet të rriten disafish në kohën kur pritet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, deklaroi deputetja e LDK-së.

Pos opozitës, kanë reaguar edhe organizata të shoqërisë civile.

Në reagimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi thuhet se, përveçse janë elektorale, vendimet janë miratuar nga një përbërje e qeverisë, që sipas Gjykatës Supreme është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin, meqë mbajnë pozitat e deputetëve.

“Të gjithë anëtarët e qeverisë, të cilët janë certifikuar si deputet, nuk janë më anëtarë të qeverisë dhe nuk kanë asnjë kompetencë për të marrë asnjë vendim. Për këtë arsye, të njëjtit kanë uzurpuar zyrat e Qeverisë dhe rrjedhimisht të gjitha këto vendime, në mungesë të kompetencës, janë të kundërligjshme”, thuhet në reagim të IKD-së.

Duke përmendur të njëjtën arsye, edhe Instituti GAP e vlerësoi të kundërligjshëm vendimin për miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm.

Edhe Partia në pushtet kritikohet se po keqpërdor arkën shtetërore për blerje votash Arbëri Partia në pushtet kritikohet se po keqpërdor arkën shtetërore për blerje votash

“Që ky proces të jetë i ligjshëm, ka qenë e domosdoshme që nënshkruesit e këtij projektligji të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e lartcekur, dhe propozuesit të jenë zv.kryeministri dhe ministra e zv.ministra përkatës që nuk kanë fituar njëkohësisht pozitën e deputetit në këtë legjislaturë. Çdo veprim që e anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e vetë ligjit për buxhetin, situatë që ndodhi sot”, thuhet në reagimin e GAP-it.

Pavarësisht këtyre interpretimeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha në Qeveri se vendimet dhe miratimi i buxhetit u bënë duke respektuar obligimet ligjore që shteti të mos mbesë pa buxhet.