COSMO

Kostoja e pambuluar e mëmësisë

Cosmo - Gjineokologjia

Thjeshtëzimi i mëmësisë si nevojë individuale me të cilën shteti nuk merret ka bërë që të lulëzojë tregu i spitaleve private gjinekologjike. Qendrat publike në spitalet regjionale kanë të punësuar gjinekologë, por në to kryesisht marrin trajtim gratë me të ardhura të ulëta ekonomike, porse ato nuk janë zgjedhja e parë e shumicës së grave në procesin e tyre të të bërit nëna. Megjithatë, shpesh janë stacioni i fundit kur spitalet private dështojnë që trajtimin ta çojnë deri në fund

Kostoja e amësisë në Kosovë shpesh konsiderohet si çështje që u takon individëve e  se ndërtimi i politikave shënd¬etësore për to është i panevojshëm.

Thjeshtëzimi i mëmësisë si nevojë individuale me të cilën shteti nuk merret ka bërë që të lulëzojë tregu i spitaleve private gjinekologjike.

Qendrat publike në spitalet regjionale kanë të punësuar gjinekologë, por në to kryesisht marrin trajtim gratë me të ardhura të ulëta ekonomike, porse ato nuk janë zgjedhja e parë e shumicës së grave në procesin e tyre të të bërit nëna. 

Megjithatë, shpesh janë stacioni i fundit kur spitalet private dështojnë që trajtimin ta çojnë deri në fund.

E në sistemin publik shërbimet gjinekologjike janë shumë herë të pastrukturuara në mënyrë të qartë. 
Kombinuar me një shkallë të ulët besimi e me hotelieri jo fort të lakmueshme, ky sektor në shumë dimensione nuk arrin ta konkurrojë sistemin privat.

Kostoja e një shtatzënie është e lartë. Shteti nuk bën as më të voglën përpjekje që grave në këtë gjendje t’u ofrojë shërbim të sigurt në sektorin publik atje ku do t’i merrnin këto shërbime pa asnjë kosto.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, thotë se ka disa arsye që në fazën e shtatzënisë një pjesë e madhe e grave shpenzojnë shuma të mëdha parash për të përcjellë gjendjen e frytit të cilin do ta sjellin në jetë. 

Një nga to përmend edhe mungesën e mjekëve gjinekologë, por edhe interesimin e profesionistëve të këtij profili që në sistemin publik të merren veç me kontrolle rutinore.

“Përveç Qendrës Universitare i kemi repartet e gjinekologjisë në spitalet e përgjithshme regjionale në Republikën e Kosovës. Por përveç kësaj kemi edhe qendra të kujdesit parësor për ofrimin e këtyre shërbimeve. Fatkeqësisht nëse nisemi prej kësaj të fundit çfarë thash, këto qendra të kujdesit parësor nuk kanë si të thuash kapacitetin e plotë të punës për shumë arsye. Njëra nga arsyet është se një pjesë e madhe e grave për shkak të mundësisë së financimit, nuk shkojnë në këto qendra por shkojnë në spitalet e përgjithshme ose sektorin privat ku mendojnë që shërbimet janë me të mira. Problemi tjetër është sfida në këto qendra për punësimin e gjinekologëve. Në disa komuna ka pasur konkurse disa herë, mirëpo gjinekologët për shkak se nuk duan të punojnë vetëm në pjesën ambulantore të vizitave rutinë të grave shtatzëna nuk kanë shprehur interesim për tu punësuar në këto qendra dhe rrjedhimisht ideja e tyre ka qenë që ose të punësohen në spitalet regjionale ose në QKUK”, ka thënë Vitia

Këto e probleme të tjera, por edhe ato çka ministri Vitia i quan vendime e zgjedhje të lira të grave bëjnë që edhe për vizitat krejt rutinore gratë të kërkojnë mjekët në ordinancat e tyre private.
Por një udhëzim administrativ i nxjerrë në vitin 2017 nga Ministria e Shëndetësisë e pastaj i amendamentuar në vitin 2020, nuk lejon që Qendrat Mjekësore të nivelit parësor të punësojnë gjinekologë.

Në nenin 14 të kësaj baze ligjore përmenden profilet mjekësore që parashihen në nivelin primar të shëndetësisë. 

Aty nuk përmenden gjinekologët. Megjithatë vazhdimi i profesionistëve të këtij lëmi ishte lejuar deri në pensionimin e tyre.

“Specialistët nga lëmenjtë e tjerë, mund të vazhdojnë punën në KPSh si konsulentë të mjekëve familjarë deri në pensionim”, thuhet në Udhëzimin Administrativ.

Përjashtim në këtë udhëzim administrativ bëjnë Qendrat e Mjekësisë Familjare që kanë maternitete e që aktualisht janë disa të tilla në gjithë Kosovën.

Ky udhëzim administrativ ishte atakuar në Gjykatën Kushtetuese nga Komuna e Prishtinës, por kjo gjykatë kërkesën e kishte cilësuar si të papranueshme.

Kostoja për një shtatzëni shpesh është e papërballueshme për një pjesë të madhe të grave.

Mendësia e krijuar që edhe vizitat rutinore të kryhen në sektorin privat i vendos ato që nuk kanë në pozitë të pafavorshme.

Vështirësitë e grave

Kaltrina Rexhepi Dragusha është hulumtuese në Institutin për Hulumtime dhe Drejtat e Njeriut.

Ajo e tregon rrugën e vështirë të një gruaje që dëshiron të bëhet nënë e që në shumicën e rasteve, në fazat kryesore të shëndetësisë nuk e ka përkrahjen e shtetit ose institucioneve publike.

“Vizitat janë shumë të kushtueshme. Minimumi i një vizite të tillë mjekësore është 20 euro e siç kemi dëgjuar sillet deri në 50 euro një vizitë në klinikë private. Kjo për buxhetin tonë është shumë e shtrenjtë pasi që dihet që shumica e familjeve kanë të ardhur ekonomike nën mesatare dhe pa përfshirë analizat shtesë, medikamentet që janë të kushtueshme mund të arrijë deri në 100 euro për një vizitë e që është shumë e kushtueshme. Andaj Ministria e Shëndetësisë duhet të krijojë sa me shumë promovim të shëndetit publik dhe që grave të ua mundësojë që këto vizita t’i kryejnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Po ashtu kur gratë të shkojnë të lindin në QKUK atëherë të kenë lehtësim e mikpritje me të mirë sepse krijohet kjo përshtypja që ne nëse kemi doktorin privat ku i kemi kryer vizitat atëherë ai mund të ndikoi që ne të kemi trajtim me të mirë në Gjinekologjinë e QKUK-së dhe jo nëse nuk i vizitojmë këta doktorë”, ka thënë Rexhepi.

Brenda një viti në Kosovë lindin rreth 22 mijë fëmijë.

Rreth 19 mijë prej tyre, sipas statistikave zyrtare, lindin në spitalet publike.

Ministri Vitia thotë që kjo statistikë e tregon që megjithatë gratë procesin e lindjes ia beson sektorit publik.

“Megjithëkëtë sa i përket vizitave mund të themi që çalon për shkak që një pjesë e madhe e grave zgjedhin që këto vizita t’i bëjnë në sektorin privat kurse sa u përket lindjeve mund të them që prapë sektori publik është sektori me i besueshëm. Diku rreth 92-3 për qind e lindjeve në total janë në sektorin publik. Nga këto në 40-45 për qind në spitalet e përgjithshme dhe diku 45 për qind në QKUK”, është shprehur Vitia.

Megjithatë, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj, pranon që statistikat e larta të lindjeve në publik lidhen edhe me koston e lartë të tyre në spitalet private. 

E shpresa e tij që po kaq përqindje e lartë e lindjeve të kenë edhe vizitat rutinore lidhet me një nga projektet me të mëdha të shëndetësisë në Kosovë që premtohet të paktën që një dekadë e gjysmë, por që ka dështuar të realizohet.

“Një intervenim në privat është shumë i shtrenjtë. Një intervenim me prerje cezariane kushton me mijëra euro. Ndërsa tek ne në Gjinekologji është pa çmim. Është falas tërësisht. Arsyeja tjetër është që pse kryhen kontrollet në privat por vinë të lindin këtu ndoshta është vetëm qasja e shpeshtë në privat ndërsa këtu është fluksi i madh. Ka shumë pacientë, fluks të madh dhe ju bie me pritë pak. Ajo është arsyeja më e madhe. Mirëpo kjo lidhet edhe me mungesën e Sigurimeve Shëndetësore. Sepse nëse kemi Sigurime Shëndetësore dhe fillohet me kontrollet sistematike të përcjelljes së shtatzënisë atëherë është një rrugë e mirë që të vihet tek kontrollet rutinore, të rregullta në sektorin publik. Mirëpo fluksi i madh është për shkak të mungesës së kohës, nuk mund të presin shumë dhe shkojnë në privat”, ka deklaruar Ndrejaj.

Promovimi i shërbimeve publike në lidhje me shëndetin e kujdesin ndaj shtatzënave është shpeshherë pothuajse i barasvlershëm me zero.

Numër i madh i spitaleve private

Në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës numri më i madh i spitaleve private është në fushën e gjinekologjisë e numri i klinikave private gjinekologjike për shërbime rutinore është i lartë.
Por drejtori i Gjinekologjisë nuk pajtohet shumë me atë që një numër i grave zgjedhin sektorin privat edhe për shërbime krejt të thjeshta që në kushte normale sistemi publik nuk ka problem t’i kryejë.
“Nuk ishim pajtu fort me ketë tezë, me ketë konstatim për shkak që nuk janë duke ikë shumë prej sektorit publik mirëpo janë disa arsye që disa pacientë apo familjarë orientohen nga sektori privat. Një mund të themi që Sigurimi Shëndetësor që dikush e ka ndoshta kushtet me të  mira ekonomike, nuk don të pret në radhë shumë dëshiron të kryejë punë shpejt. Për trajtim mjekësor as mos të flasim se trjatim mjekësor se në QKUK nuk mund të ketë por janë procedura të tjera ndoshta shpejtësia e kryerjes së intervenimit, pasaj trajtimi posteoperativ për shkak që numri i pacientëve është shumë i pakt në privat edhe mundësia për kujdes ndaj pacientit është pak me e madhe. Të gjitha këto janë që disa familjarë ose disa gra janë të orientuara në privat. Për publik po flasë nga aspekti mjekësor nuk ka alternativë. Nuk besoj. Këtu jemi që 25 vjet. Kemi shumë raste që prej sektorit privat vinë në publik. Kur behët ndonjë komplikim në sektorin privat atëherë vijnë këtu, vazhdohet trajtimi. Kjo është një arsye shumë e madhe që familjarët të bindën që këtu behët trajtimi dhe punohet me standarde. Për kushte mund të themi që jemi në përmirësim e sipër. Në gjinekologji i kemi 4 reparte që vetëm kanë përfunduar punimet”, ka shtuar Ndrejaj.

Mungesa e komunikimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve vartëse të saj me gratë në periudhën e shtatzënisë i bën ato të izoluara nga shërbimet e sigurta shëndetësore. 

Kjo sipas Rexhepi Dragushës është problemi kryesor që shtatzënat në masë deri në 80 për qind marrin shërbime vetëm në sektorin privat. 

Këtë e bëjnë edhe nëse kanë shumë shpenzime të tjera, por që detyrohen duke menduar që kontrollet në privat janë veprimi më i mirë që mund ta bëjnë për kujdesin ndaj frytit që bartin.

“Dihet që çdo grua shtatzëne ka nevojë për kontrolle sistematike, pra 8 ose 9 dhe ato janë obligative. Kjo nuk është luks e as qejf por për të parë se si po i ecë procesi i shtatzënisë, se si është duke u zhvilluar frytii dhe çdo gjë në lidhje me shtatzëninë. Andaj mendoj që shtetit duhet të promovojë këtë aspekt shëndetësor të institucioneve publike për masën. Ne nuk shohim asnjëherë kontrolla sistematike të shtatzënave në Kujdesin Parësor. Këto shërbime promovohen vetëm për privat dhe shumica e grave, mund të them në numër deri në 80 për qind i vizitojnë vetëm mjekët në privat, edhe pse shumica prej tyre punojnë në sistemin publik por që pas orarit aty punojnë në privat”, ka theksuar Rexhepi.

Mungesa e promovimit të institucioneve publike

Ministri Vitia, pajtohet që institucioni që ai drejton nuk ka bërë mjaftueshëm në ngritjen e vetëdijes në publik në lidhje me këtë çështje.

Sipas tij, tashmë kanë filluar që të rrisin promovimin e këtyre shërbimeve.

Megjithatë në faqet zyrtare të MSH-së dhe institucioneve të tjera publike nuk e sheh asnjë thirrje ose njoftim a udhëzues për gratë shtatzëna për t’i siguruar që këto shërbime mund t’i marrin fare lehtë pa shpenzime e kosto shtesë.

“Jam dakord me juve në këtë pjesë që ne duhet të bëjmë me shumë për forcimin e qendrave të maternitetit në Kujdesin Parësor Shëndetësor. Ne kemi filluar vitin e kaluar një evaulim të këtyre qendrave edhe në kuptimin infrastrukturor por edhe me furnizim me pajisje me adekuate për përcjelljen e shtatzënisë. Tash të gjitha i kanë por duhet një promovim shtesë të këtyre qendrave, mateniteteve sa i përket pjesës ambulantore. Kurse sa i përket lindjeve jo vetëm komplikimit, tash në këtë numrin prej 92-92 për qind nuk janë vetëm komplikimet që vinë në sektorin publik. Kjo tregon që kur vjen tek lindjet me mendimet që mund të jetë me rrezik ky proces, shihet që qytetarët tona vazhdojnë që me shumë t’i besojnë sektorit publik se sa atij privat”, ka thënë Vitia.

Shtatzënia e shëndeti riprodhues i grave viteve të fundit është kthyer në një çështje me themel komercial.

Reklamat e pakove për shërbime bazike në shëndetësi e ofertat me çmime me zbritje për lindje publikohen çdo ditë në rrjetet sociale.

Ky lulëzim biznesi ka bërë që lindjet me operacion të rriten ndjeshëm.

Për lindje të tilla duhet të ketë indikacione mjekësore. Por askush në Kosovë nuk e kontrollon këtë aspekt.

Pothuajse secila lindje që bëhet në spitalet private është me operacion. E motiv për këtë sipas QKUK-së është kostoja e lartë financiare sa kërkojnë këto qendra në raport me koston për lindjen normale.

“Numri i seksioneve është shumë i lartë në privat për arsye të ndryshme por arsyeja me e madhe ndoshta është  materiale. Po them që një lindje në privat shkon ma shumë se 1600 euro. Atëherë ata e kanë në dorë. Diku deri 80 për qind e di që shkojnë lindjet me prerje cezariane në sektorin privat”, ka deklaruar Ndrejaj.

Por as sektori publik nuk qëndron mirë me statistika.

Numër i madh i lindjeve me operacion

Vetëm qendra që e udhëheq Ndrejaj ka rreth 40 për qind të lindjeve me operacion. Ai thotë se për këtë arsyet janë të ndryshme.

“Janë shumë arsye. Është mungesë e protokolleve. Nuk kemi protokolle. Jemi duke punuar  në protokolle. Protokollet nuk behën brenda muajit por jemi duke punuar. Kur t’i kesh protokollet e ke shumë lehtë të punosh. Tjetër janë presionet e familjarëve. Pastaj janë rastet e rënda që vinë nga Spitalet Regjionale. Ajo ta shton numrin e lindjeve cezariane”, ka shtuar ai.

Megjithatë, këto shifra janë shumë më të larta se shifrat në shtetet e zhvilluara.

Një studim i publikuar në një ueb-faqe të specializuar për shëndetësi që funksionon në SHBA tregon trendin e rritjes së këtyre rasteve.

“Gjatë viteve normat globale të seksionit cezarian janë rritur ndjeshëm nga rreth 7% në vitin 1990 në 21% sot, duke tejkaluar normën ideale të pranueshme të CS, e cila është rreth 10% -15% sipas OBSH-së. Megjithatë, aktualisht jo të gjitha lindjet cezariane bëhen për arsye mjekësore me shkallën në rritje të shpejtë të arsyeve të indikuara jo mjekësore dhe të ashtuquajturën "cezariane sipas kërkesës së nënës". Këto tendenca parashikohet të vazhdojnë të rriten gjatë kësaj dekade aktuale, ku si nevojat e paplotësuara ashtu edhe përdorimi i tepërt pritet të arrijë normën e parashikuar globale prej 29% deri në vitin 2030”, thuhet në këtë studim.

Por Kosova ka vite që e ka tejkaluar këtë parashikim.

Bashkëjetesa jo krejt e natyrshme mes sektorit publik dhe atij privat sidomos për shërbimet gjinekologjike ka bërë që ndonjëherë trajtimi në privat të shërbejë si parakusht për trajtim më kualitativ në spitalet publike.

Hulumtuesja Rexhepi Dragusha thotë se ndonjëherë gratë zgjedhin mjekun në privat që punon edhe në publik vetëm për ta pasur më të lehtë qasjen në sistemin publik gjatë procesit të lindjes. 
E drejtori Ndrejaj thotë se tashmë ka marrë hapa konkretë që ua ndalon mjekëve që të ndryshojnë kujdestaritë e rregullta vetëm për të ua kryer lindjet pacienteve të tyre që vijnë nga sektori privat.
“Spitalet private kanë krijuar një rritje të frekuentimit të atyre që kanë mundësi t’i ndjekin këto spitale për shkak që ofrojnë komoditet me të madh. Për grupet e margjinalizuara, për ato që nuk kanë mundësi është shumë vështirë e përballueshme. Së pari është vështirë e përballueshme edhe një vizitë që është minimumi 20 euro të një mjek, e të mjekët që kanë me shumë emër sillet rreth 30, 40 ose 50 euro. Kjo pastaj mund të krijojë edhe mosbesim për qendrat mjekësore publike. Irritim po ashtu sepse krijohet një bindje që vetëm ato që nuk kanë shkojnë në publik ndërsa ato që kanë shkojnë në privat. Është një bindje që nëse ti nuk je trajtu të një mjek në privat atëherë nuk merr trajtim të mirë nga stafi shëndetësor. Pastaj duhet ta gjesh një lidhje, një mjek të njohur që të kesh trajtim me të mirë. Vetë kur kam shkuar ta lindi vajzën, pyetja e parë ka qenë të  cili mjek e ke përcjellë shtatzëninë dhe jo ku e ke përcjellë ose me qenë e natyrshme që ne duhet ta përcjellim në sektorin shtetëror”, ka thënë Rexhepi

Ndrejaj ka folur edhe për kërkesat e pacientëve, që sipas tij, disa nuk mund të përmbushen.

“Jo, jo. Unë nuk mund të them që nuk interferojnë sepse interferojnë. Pa dyshim nëse një mjek punon edhe në sektorin publik edhe në atë privat, padyshim që pacientja mundet me zgjedhë mjekun që dëshiron. Unë e kam problemin edhe në sektorin publik, pacientja insiston me zgjedhë mjekun ose insiston me e kry një mjek që e ka në privat. Mirëpo atë mundësi e kemi stopu ose përmirësu duke ju dhënë të drejtë të gjitha pacientëve. Pra të mos ketë përparësi në sektorin publik ajo paciente që përcillet në sektorin privat nga një mjek i caktuar. Atë e kemi përmirësuar”, ka thënë ai.

Menaxhmenti i Ministrisë së Shëndetësisë e SHSKUK-ja po mburren me investimet e renovimin e klinikës që është në proces e sipër.

Me këtë sipas tyre do të fillojë edhe dhënia e shërbimeve të avancuara që lidhen edhe me diagnostikimin e hershëm të fetusit. 

Deri tani këto shërbime ato gra që kanë pasur mundësi financiare i kanë bërë në sektorin privat.

“Ministria e Shëndetësisë gjatë këtij viti është në disa procese në fazat përfundimtare kurse në disa të tjera deri në fund të vitit do të përfundojnë duke filluar nga shërbime si frytnimi i asistuar mjekësor ku tanimë kanë kaluar disa probleme administrative. Lënda dhe operatorët ekonomik që kanë konkurruar për furnizimin e Klinikës Gjinekologjike me pajisjet ka qenë në OSHP për një kohe relativisht të gjatë. Tashme kanë kaluar të gjitha afatet dhe lënda është nënshkruar. Presim që brenda një muaj e gjysmë ose dy muaj këto pajisje të vijnë në Klinikën e Gjinekologjisë. Diçka tjetër me rendësi është edhe Amnicenteza e cila deri në fund të vitit pritet që Klinika e Gjinekologjisë të pajiset e domosdoshme por edhe me trajnimin e stafit shëndetësor që kjo procedurë që me herët nuk është bëre në sektorin publik por vetëm klinikat private dhe jashtë Kosovë të mund të kryhet në Klinikën e Gjinekologjisë”, ka thënë Vitia.

Synimi i QKUK-së

E në QKUK besojnë që me avancimin e këtyre shërbimeve QKUK-ja do të bëhet një nga qendrat më të avancuara sa i përket shërbimeve. Megjithatë nuk ka datë të saktë se kur këto shërbime mund të fillojnë.

“Të gjitha këto janë sende që pritet të fillohet dhe në vazhdimësi të përmirësohen kushtet e diagnostikimit jo që të konkurrojmë por që të jemi bindshëm mbi të gjithë të tjetër në regjion”, ka theksuar Ndrejaj.

Gratë e grupeve të margjinalizuara kanë qenë dhe janë viktimat me të mëdha të këtij sistemi shëndetësor që asnjëherë s’e ka prioritizuar shëndetin riprodhues të grave. 

Këtë nuk e ka bërë as në diskursin publik por as duke investuar në këto shërbime bazike.

Gratë e familjet me të ardhura të ulëta shpesh nuk e kanë ditur gjendjen e zhvillimit të frytit deri në momentin që ka lindur. E kjo do të duhej të ishte e drejtë elementare e secilit person.

“Një prej tyre është privimi që gjatë kohës së shtatzënisë nuk mund të kesh një diagnostikim të frytit dhe situatës së tij në periudhat e hershme apo të vonshme. Pra deri në lindjen e frytit nuk e dinë se si qëndron gjendja e frytit. Shumica e analizave shumë të rëndësishme sidomos ato për gratë mbi 35 vjeçare nuk kryhen në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Nuk kryhen as në QKUK. Të gjitha këto gra privohen që nëse fryti i tyre mund të jetë me probleme shëndetësore, me anomali të ndryshme privohen fillimisht për ta ditur e pastaj për të vendosur nëse donë të abortojnë ose jo”, ka deklaruar Rexhepi.

Lufta e argumentimi me shifra shpeshherë e lënë nën hije kualitetin.

Institucionet publike shëndetësore mburren për numrin rekord të lindjeve në këtë sektor. 

Por përkundër ankesave të shumta për cilësinë e shërbimeve dhe sjelljen e padinjitetshme karshi tyre gjatë procesit të lindjes, kjo çështje nuk është trajtuar asnjëherë seriozisht nga menaxhmenti. 
Është premtuar shpeshherë për masa e “edukim të stafit në raport me lehonat e shtatzënat”.

Një gjë të tillë e premtoi edhe drejtori Ndrejaj por këtë edhe e ndërlidhi me kapacitete të kufizuara njerëzore që do të duhej t’u shërbenin këtyre grave.

“Pak kemi mungesë të stafit të infermierëve, mamive që pritët shumë shpejt të hapet konkursi për pranimin e infermierëve dhe mamive të reja. Diku 20 kemi nevojë. Mungesa e komunikimit me pacientë dhe përmirësimi i komunikimit do të behët me punësimin e stafit dhe trajnimit besoj që do të përmirësohet. Por është shumë problem sepse ka fluks të madh të pacientëve dhe numër të vogël të infermierëve sepse është e pamundur që me 40 paciente të merren 2-3 mami, që të ju plotësojë secilën kërkese dhe që të jetë afër pacientëve siç duhet të jetë”, ka thënë Ndrejaj.