Janë vëllezër, por në përfaqësuese të ndryshme. Janë katër raste të tilla në Botërorin që fillon të enjten. Dhe kjo është dëshmi e ndikimit në futboll të migrimit të vazhdueshëm në botë.
Desire Doue dhe vëllai i tij më i madh, Guela, janë të lindur në Francë. Derisa ylli i PSG-së, Desire, luan për Francën, Guela është mbrojtës i krahut te Bregu i Fildishtë. Babai i vëllezërve Doue vjen nga Bregu i Fildishtë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVëllezërit Inaki dhe Nico Williams janë të lindur në Spanjë, në regjionin bask. 23-vjeçari Nico ishte lojtari i ndeshjes kur Spanja e mposhti Anglinë në finale të Euro 2024.
Vëllai i madh, Inaki, 31-vjeçar, luajti vetëm një miqësore për Spanjën. Kjo ia mundësoi që më pas të luante për Ganën, prej nga vijnë prindërit e vëllezërve Williams.
Pos Inaki Williamsit, te Gana është edhe mbrojtësi 30-vjeçar i lindur në Holandë, Derrick Luckassen. Ai u përfshi në ekip si zëvendësim për një lojtar të lënduar, ndërsa i bashkohet në ngjarjen globale vëllait nga nëna, Brian Brobbey.
Brobbey 24-vjeçar është sulmues i Holandës. Mori ftesën pasi shkëlqeu te Sunderlandi në pjesën e dytë të kampionatit.
Australia përzgjodhi qendërmbrojtësin e lindur në Skoci, Harry Souttar, 27-vjeçar. Vëllai i tij dy vjet më i madh, John, do të luajë për Skocinë. Ata kanë lindur në Aberdeen, por nëna e tyre është australiane.
Harry e ndërroi përfaqësuesen shtatë vjet më parë. Me Skocinë luajti vetëm te juniorët.
Në fazën grupore nuk do të ketë përballje mes vëllezërve në Botëror.
Javën e kaluar Desire Doue ishte në tribuna të stadiumit në Nantes, ndërsa Guela shënoi gol për Bregun e Fildishtë në fitoren 2:1 ndaj Francës. Ndeshja ishte miqësore, ndërsa Desire u la i lirë nga selektori francez, njëjtë si disa lojtarë të tjerë të PSG-së.
“Sigurisht, ne ngacmuam pak njëri-tjetrin pas ndeshjes”, tha Guela Doue. “Por ne jemi familje dhe jemi shumë të lumtur për njëri-tjetrin”.
Vëllezërit janë të lindur në Angers, në Francën veripërendimore. Ata nisën futbollin te Stade Rennais, por Guela, që është tri vjet më i madh, u la në hije nga talenti i jashtëzakonshëm i vëllait të vogël. Desire është prej yjeve të PSG-së, ndërsa tashmë ka dy tituj të Championsit.
Migrimi në Evropë gjatë dekadave të fundit ka krijuar një burim të madh talentesh për ekipet kombëtare afrikane, që kërkojnë lojtarë në diasporën e tyre.
Përfaqësuese si Algjeria, Kepi i Gjelbër, Kongo, Maroku, Senegali e Tunizia kanë në ekipe më shumë lojtarë të lindur në Evropë se në vende të tyre.
Vetëm një rast është regjistruar kur vëllezërit janë përballur në Botëror. Madje kjo ndodhi dy herë.
Jerome Boateng ishte mbrojtës i Gjermanisë, kurse gjysmëvëllai i tij, Kevine Prince Boateng luajti për Ganën. Ata u përballën në Botërorin 2010 dhe atë 2014.