Franca është vetëm një fitore larg vazhdimit të një prej epokave më të jashtëzakonshme të dominimit në Kupë të Botës. Me fitore ndaj Spanjës, të martën mbrëma, Franca do të paraqitej në finalen e tretë rresht dhe të pestën në përgjithësi.
Për të arritur në finalen e së dielës, ekipi i Didier Deschamps duhet ta kalojë ekipin që ia ka bllokuar vazhdimisht rrugën në vitet e fundit dhe mbrojtja e të cilit ka dështuar vetëm një herë në këtë Botëror.
Spanja nuk ka shfaqur formën më të mirë në të gjitha ndeshjet në Botërorin në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Por është në gjysmëfinale dhe tani kërkon suksesin e madh.
Spanjollët e eliminuan Francën në gjysmëfinale të Euro 2024 dhe po ashtu në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, vitin e kaluar.
Këtë herë “Les Bleus” mbështeten shumë me dy sulmuesit produktivë të Botërorit. Kylian Mbappe i ka tetë gola, ndërsa Ousmane Dembele pesë. Në përgjithësi Franca e ka një ekip shumë të ekuilibruar.
Edhe
Gjysmëfinalet me yje të mëdha dhe rivalë të vjetër
Ka një vazhdimësi të theksuar midis ekipeve që u takuan në Mynih dy vjet më parë, kur Spanja përmbysi rezultatin për fitore 2:1. Randal Kolo Muani shënoi për Francën, ndërsa Lamine Yamal e Dani Olmo për Spanjën.
Shtatë nga lojtarët që startuan te Franca në atë ndeshje, mund të jenë sërish startues në ndeshjen që zhvillohet në Dallas nga ora 21:00. Natyrisht, francezët presin që përbërja të jetë ngjashmëria e vetme me atë ndeshje.
Franca ka dominuar në këtë Botëror. Dhe pos Mbappes e Dembeles kanë shkëlqyer edhe shumë të tjerë. Michael Olise ka ofruar kreativitet të jashtëzakonshëm. Bradley Bracola dhe Desire Doue kanë ofruar opsione shtesë pavarësisht se a luajtën nga fillimi apo si zëvendësues.
Franca është bërë më koherente në lojën pa top dhe më e larmishme kur e ka topin. Është e aftë të sulmojë me shpejtësi, të ngadalësojë lojën ose të mbrohet për periudha më të gjata dhe pa u dukur në vështirësi.
Ky fleksibilitet taktik ishte i dukshëm në fitoren 2:0 ndaj Marokut në çerekfinale. Francezët i rezistuan presionit, u mundësuan kundërshtarëve pak raste dhe pritën me padurim që ta vendosin sfidën.
Pikërisht ky ekuilibër do të testohet ndaj Spanjës. Skuadra e Luis de la Fuentes ka ruajtur filozofinë kolektive që ia siguroi titullin e Evropës dy vjet më parë. Spanjollët e shfrytëzojnë lojën me shumë posedim të topit jo vetëm për të krijuar raste, por edhe për të shkatërruar lojën e kundërshtarit dhe për ta mbajtur mbrojtjen të pacenueshme.
Edhe
Konate: Franca nuk ka frikë nga Spanja
Pranimi i vetëm një goli tregon shumë për Spanjën. Por Belgjika dëshmoi në disfatën 2:1 se Spanja mund të jetë e paqëndrueshme kur kundërshtarët i shpëtojnë presionit fillestar dhe sulmojnë hapësirën para mesfushorëve spanjollë.
Dhe Franca duket e etur për të shfrytëzuar këto momente.
Ritmi i Mbappes mund të dekurajojë mbrojtësit e Spanjës që të qëndrojnë shumë larg nga porta. Aftësia e Dembeles për të sulmuar nga krahu mund të krijojë pasiguri për atë se ku do të jetë rreziku më i madh.
Ndërkohë Olise është bërë lojtari kryesor që koordinon repartet, duke u zhvendosur brenda për të bashkëpunuar me mesfushën, para se të organizojë sulmin.
Deschamps duhet të vendosë nëse do të forcojë mesfushën apo do t’i mbetet besnik strukturës sulmuese që e ka bërë Francën ekipin më të frikshëm të Botërorit. Angazhimi i katër lojtarëve sulmues do t’i jepte Spanjës më shumë arsye për shqetësim, por do të mund ta linte Francën më të ekspozuar, nëse presioni i francezëve kalohet.
Edhe
Selektori i Spanjës: Mund ta eliminojmë Francën
“Ne jemi të vetmit që e kemi mposhtur Francën dy herë radhazi, por kjo ndeshje do të jetë ndryshe”, ka thënë selektori i Spanjës, De la Fuente.
Franca ka luajtur në finale të Botërorit 1998, 2006, 2018 dhe 2022. Ka fituar dy prej këtyre finaleve. Tani e synon finalen e pestë.