Pasi Senegali u mposht 3:1 nga Franca të mërkurën, fokusi do të duhej të ishte në fushë. Megjithatë, problemet financiare dhe organizative të Përfaqësueses së Futbollit të Senegalit, i kanë lënë nën hije përgatitjet para ndeshjes ndaj Norvegjisë. Ndeshja Norvegjia – Senegali luhet në New Jersey të hënën në orën 2 të mëngjesit me kohën në Kosovë dhe i takon Grupit I.
Norvegjia dhe Franca i prijnë grupit me nga tri pikë, ndërsa pa pikë janë Senegali dhe Iraku në vendin e tretë e të katërt.
Përderisa Federata e ka pranuar shumën e parave nga Kupa e Kombeve të Afrikës dhe bonuset e kualifikimit në Kupën e Botës, këto para ende nuk kanë mbërritur te futbollistët. Situata ka shkaktuar zhgënjim të madh tek ekipi, shkruan “Blick” të shtunën.
Një tjetër shqetësim i madh te senegalezët është akomodimi në SHBA. Hoteli i zgjedhur është përshkruar si jo i përshtatshëm për një përfaqësuese madhore. Lojtarët janë ankuar për kualitetin e dobët të ushqimit. Shefi i delegacionit, i cili e kishte parë nga afër përfaqësuesen në Kupën e Kombeve të Afrikës 2025 në Tangier, nuk është në Kupën e Botës për shkak të buxhetit të limituar.
Por, te Senegali ka edhe probleme të tjera. Përzgjedhësi Pape Thiaw ka punuar pa pagë për pesë muaj dhe nuk ka kontratë të vlefshme. Pavarësisht se është premtuar për zgjidhjen e problemit, Federata senegaleze ka vazhduar vonesën e kontratës së tij. Ka spekulime se Federata dëshiron të pres dhe të shoh se si do të paraqitet përfaqësuesja në Kampionatin Botëror, për të shmangur pagesa të tjera në rast të largimit të hershëm të Senegalit.
Edhe
Senegali nuk e llogariti eliminimin, mbetet në SHBA
Derisa përfaqësuesja është duke vuajtur nga kushtet e rënduara, zyrtarët e Federatës janë duke kaluar periudhë të mirë. Sipas burimeve, shkruan “Blick”, disa anëtarë të Federatës së Futbollit të Senegalit, i kanë sjellë familjarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shpenzime të Federatës.
Nuk dihet ende se a do të ketë zgjidhje të problemeve të brendshme te Senegali, për të pasur sukses për ndeshjen ndaj Norvegjisë.