Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2018

Pas eliminimit të Spanjës, Rusia nuk sheh pengesë të pakalueshme

Përfaqësuesja e Rusisë vlerësohej si autsajdere në prag të Kampionatit Botëror, por suksesi i papritur në këtë turne, ka bërë që futbollistët të fitojnë besim dhe tash të kërkojnë një vend në gjysmëfinale. Kështu, është shprehur mbrojtësi i Rusisë, Ilya Kutepov, që është optimist se do ta eliminojnë Kroacinë në çerekfinale.

Rusia eliminoi Spanjën javën e shkuar pas penalltive në 1/8 e finales. Spanja në këtë ndeshje pati më shumë se një mijë pasime, por dështoi të krijojë raste.

Kutepov është aktivizuar në çdo minutë të secilës ndeshje që Rusia e ka luajtur deri më tash në botëror. Sipas tij, Rusia ka filluar të ëndërrojë pas tri fitoreve dhe një humbjeje në katër ndeshje, se mund të futet të paktën në mesin e katër përfaqësueseve më të mira.

Herën e fundit, Rusia kishte arritur në gjysmëfinale të botërorit në vitin 1966 si pjesë e Bashkimit Sovjetik. Si shtet i pavarur, është hera e parë që Rusia kaloi fazën e grupeve.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).