Nuk është mirë as për myslimanët e Beogradit e të Serbisë, as për të gjithë qytetarët e Serbisë e as për shtetin e Serbisë që kurdo qoftë dhe në çfarëdo rrethanash të dërgohet fotoja e xhamisë së rrënuar, edhe nëse objekti është ndërtuar pa leje, ka thënë deputeti nga Sanxhaku në Kuvendin e Serbisë Muamer Zukorliq duke shtuar se “myslimanët e Beogradit nuk do ta ndërtonin pa leje xhaminë sikur të kishin mundur ta merrnin lejen”, transmeton Koha.net
“Sot u takuam me fotot e xhamisë së rrënuar në Zemun. Kjo nuk ka guxuar të ndodhë. Kjo është e papranueshme”, citon FoNet të ketë thënë Zukorliq.
Ai në vazhdim ka ftuar krerët e shtetit të vënë pikë në këtë dukuri.
“Myslimanëve në Beograd u duhet xhamia përkatëse për të kryer liritë e veta të parapara me ligje e kushtetutë. Kjo ngjarje është alarm që nuk shpie kah e mira”, ka porositur Zukorliq dhe ka pyetur: "E sa kisha janë ndërtuar pa leje? Me mijëra”, është përgjigjur ai.
