Kryeimami i BIK-ut në Mitrovicë, Rexhep Lushta, ka thënë se ka pasur tendenca nga disa ambasada në Kosovës që të shtyjnë ndërtimin e xhamisë së Ibrit në veri.
“Arsyen pse s’është xhamia është se la pasur tendenca nga disa njerëz nga disa ambasada të huaja q të marrin primatin se na po e ndërtojmë xhaminë...Edhe ne jemi zot të këtij vendi, edhe ne duhet të pyetemi. Nuk po flas për Qeverinë turke...” ka thënë Lushta.
Më pas, me Lushtën ka debatuar imami Osman Musliu, duke thënë se ai s’e do Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) sa ai.
Spahiu: Janë 5,000 myslimanë në veri që nuk kanë xhami
Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se në veri nuk ka asnjë xhami që u shërben besimtarëve.
Edhe
Ramadani: Largimi i prezencës nga Ibri bëhet me argumente, jo me ministra që marrin rolin e molerit
Ai ka thënë se janë 5,000 myslimanë atje.
“Janë 5,000 myslimanë në komunën veriore që nuk e kanë asnjë xhami. Pse nuk po e ndërtoni xhaminë e Ibrit”, ka thënë ai.
Spahiu ka theksuar se do duhej të ishte vetëm BIK-u që i mbron varret e figurave të njohura dhe të mos lejojë që ato të zhvendosen nga oborri i xhamisë “Haxhi Veseli”, siç po kërkohet tash në mënyrë që të rinovohet kjo xhami.
E, kryeimami i BIK-ut në Mitrovicë, Rexhep Lushta, është përgjigjur se prona ku ndodhet xhamia e “Haxhi Veseli” është pronë e Bashkësisë Islame.
Musliu: Disa hoxhallarë janë shkolluar në një shtet që nuk i duan varret
Mulla Osman Musliu, imam i xhamisë në Drenas, ka thënë se disa hoxhallarë janë shkolluar në një shtet që nuk i duan varrezat.
Gjatë debatit mbi rrezikimin e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë, të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Musliu ka thënë se në Mekë dhe Medinë varrezat janë lëvruar.
“Mendoj se disa hoxhallarë në Kosovë janë shkolluar në një shtet që e kanë për fat të keq këtë kulturë. Kam qenë në Mekë dhe Medine, varrezat janë bërë ara dhe janë lëvruar, është vetëm varri i profetit. Ky është mentalitet i disa njerëzve", ka thënë ai.
Sipas tij, është gabim të hiqen varrezat që ndodhen brenda xhamisë “Haxhi Veseli” në Mitrovicë.
Musliu veç tjerash ka shtuar se politikanët asnjëherë nuk kanë përmendur dëmet në xhami gjatë luftës.
“Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë ndonjë ministër apo kryeministër në takime ndërkombëtare që kanë thënë ‘na janë kallë edhe 218 xhami’. Se këta politikanët tanë e kanë një fobi, po ne jemi myslimanë, nuk kemi nevojë të tutemi prej asaj”, ka thënë ai.
Rexha: Kemi plot figura të mëdha të varrosura nëpër oborret e objekteve religjioze
Historiani Enver Rexha ka thënë se jo vetëm në islam, por edhe sipas feve të tjera në Kosovë varrimi i figurave të mëdha historike apo fetare është bërë brenda oborreve të objekteve fetare.
Edhe
Iniciohet rindërtimi i xhamisë tek ura e Ibrit
“Në aspektin praktik... kemi pasur raste edhe për varreza kur nuk i dimë të dhënat për to. Duhet të ndërmerren masat e hulumtimit. Shumë religjione jo vetëm islami, figurat e mëdha i varrosin nëpër oborret e objekteve qytetare. Kemi plot figura të mëdha, qoftë historike apo religjioze, nëpër oborret e objekteve”, ka thënë ai në “Konfront”.
Sa i përket varrezave në oborrin e xhamisë në Mitrovicë, Rexha është shprehur se është dashur që çështja të dërgohej për interpretim edhe në Qendrën për Trashëgimi Kulturore.
Sipas tij, varrezat e vjetra do duhej të ishin në listën e monumenteve të mbrojtura.
“Në aspektin legjislativ ka norma për këto rregullime nëse vjen deri te kontesti, pavarësisht se ligji jonë për trashëgiminë kulturore ka 100 vjet vjetërsi, përjashtohet në raste specifike. Krejt kjo çështje që ka dalë mes palës së shoqërisë civile dhe anës së Bashkësisë Islame do duhej të interpretohet edhe në Qendrën për Trashëgimi Kulturore që është në Mitrovicë”.
Përplasje mes dy hoxhallarëve për varret në oborrin e xhamisë në Mitrovicë
Imamët Rexhep Lushta dhe Osman Musliu kanë debatuar mbi mundësinë e zhvendosjes së varrezave të vjetra nga oborri në xhamisë “Haxhi Veseli” në Mitrovicë.
“Edhe nëse komuna iu ka dhënë leje, është gabim. Ju hoxhallarët e keni një mentalitet t’i hiqni varret. Jeni të shkolluar në shkolla në Arabi Saudite...Sikur të ishte babai im aty nuk do ta hiqnit”, ka thënë hoxha Musliu të mërkurën në “Konfront” të KTV-së.
Ndërsa, imami i BIK-ut në Mitrovicë, Rexhep Lushta, ka thënë se Musliu po flet me inati, duke shtuar se varret s’po pengojnë, por “nëse duam t’i nderojmë, duhet t’i dërgojmë te të merituarit”.
Lushta: Varret në oborrin e xhamisë "Haxhi Veseli", s'ka mundësi të mbeten aty
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës në Mitrovicë, Rexhep Lushta, ka thënë se varrezat e vjetra brenda oborrit të xhamisë “Haxhi Veseli”, nuk ka mundësi të mbeten aty.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Lushta ka thënë se planifikohet që xhamia të tërhiqet në pjesën e përparme të oborrit, ndërsa pas xhamisë të ndërtohet park.
“Bashkësia Islame aty pronën e ka diku rreth 22 ari, varret janë në pronë të Bashkësisë Islame. Ne kemi treguar respektin maksimal për ato varreza. Varret nuk kanë mundësi të mbeten aty për faktin se kërkesa e vetë popullatës është që xhamia të zgjerohet... xhaminë ta tërheqim përpara dhe prapa saj ta bëjmë një park ku xhemati mund të dalë dhe të relaksohet, ndërsa varrezat që janë aty, jemi munduar t’i respektojmë në maksimum”, ka thënë ai.
Sipas Lushtës, me investimet që janë bërë në këtë xhami, do të mund të ndërtoheshin dy të reja.
“Xhamia nuk i plotëson nevojat për faktin se prej kur është ndërtuar pas luftës, rindërtimi është bërë i dobët. Në atë xhami jemi munduar çdo ditë të investojmë. Me investimet që janë bërë në atë xhami, ndoshta do të bëheshin dy xhami”, është shprehur ai.
Edhe
Angazhimi në vazhdimësi për humbjen e identitetit shqiptar
Në oborrin e xhamisë “Haxhi Veseli” në Mitrovicë janë disa varreza të vjetra që po kërkohet të zhvendosen, për t'u rregulluar hapësira.