Botë

Zelensky: Lufta në Ukrainë ka kushtuar 320 miliardë dollarë

shpenzimet per armatim ne ukraine Zelensky para

Zelensky thotë se SHBA-ja pretendon se 90% e mbështetjes për Ukrainën vjen prej tyre, por "se e vërteta është diku tjetër"

E përditësuar (12:59) - Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se kostoja e luftës në Ukrainë deri më tani është 320 miliardë dollarë, duke shtuar se Kievi dhe SHBA-ja kanë numra të ndryshëm për këtë.

Sipas tij, nga kjo shumë, rreth 120 miliardë dollarë janë shpenzuar nga taksapaguesit ukrainas dhe 200 miliardë dollarë të tjera kanë ardhur nga SHBA-ja dhe BE-ja, raporton BBC.

SHBA-ja ka ofruar 67 miliardë dollarë armë si dhe mbështetje buxhetore, sipas tij.

Trumpi ka thënë më parë se SHBA-ja kërkon ekuivalentin e 500 miliardë dollarëve minerale të tokës të rralla nga Ukraina në këmbim të mbështetjes së saj të vazhdueshme.

“Nuk janë 500 miliardë dollarë, kjo nuk është një bisedë serioze”, ka deklaruar Zelensky.

Ai thotë se SHBA-ja pretendon se 90% e mbështetjes për Ukrainën vjen prej tyre, por "se e vërteta është diku tjetër".

“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre”, ka shtuar ai.

Zelensky është pyetur po ashtu në lidhje me kërkesën e Trumpit për mineralet e rralla të Ukrainës, dhe ka thënë se e ka hedhur poshtë idenë për shkak se sipas tij, presidenti amerikan nuk ofronte garanci sigurie për Ukrainën në këmbim të tyre. 


SHBA-ja po e ndihmon Rusinë që të dalë nga izolimi global, thotë Zelensky

E përditësuar (11:54) - Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se SHBA-ja po e ndihmon Putinin që të dalë nga izolimi, i cili sipas tij ishte “plotësisht i drejtë për shkak të pushtimit të tyre në shkallë të plotë” në Ukrainë.

Ai gjithashtu ka kritikuar komentet e Trumpit se shumica e mbështetjes së Ukrainës vjen nga SHBA-ja, raporton BBC.

“E vërteta është diku tjetër”, ka deklaruar ai, duke shtuar se mbetet “mirënjohës për mbështetjen”.

“Kjo nuk është pozitive për Ukrainën. Ajo që po bëjnë është se ata po e nxjerrin Putinin nga izolimi dhe rusët janë të lumtur sepse diskutimi fokusohet tek ata”, është shprehur Zelensky.

Ai ka shtuar se Rusia duket se po e paraqet veten si viktimë dhe se kjo është diçka e re.


Zelensky: Trumpi jeton në një hapësirë dezinformimi

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të mërkurën në një konferencë për media se presidenti amerikan, Donald Trump, “jeton në hapësirë dezinformimi”, duke aluduar në siç ka thënë dezinformatat që lëshohen nga Rusia.

Sipas tij, Rusia këto dezinformata ia përçon edhe SHBA-së, raporton The Guardian. 

Zelensky ka shtuar se sondazhet tregojnë se 58% e ukrainasve i besojnë atij, kështu që siç ka thënë, nëse dikush dëshiron ta zëvendësojë atë, kjo nuk do të funksionojë.

"Pra, nëse dikush dëshiron të më zëvendësojë mua tani, kjo nuk do të funksionojë”, ka thënë Zelensky. 

“Fatkeqësisht, Presidenti Trump, me gjithë respektin e duhur për të si lider i një kombi që ne e respektojmë shumë... po jeton në këtë hapësirë dezinformimi”, ka shtuar ai.

Komentet e tij vijnë pasi Trumpi pretendonte ditë më parë se Zelensky , i cili ka fituar një mandat pesëvjeçar në vitin 2019, ka pësuar rënie të besimit. 

Zelensky ka thënë po ashtu se do të kërkojë të mbledhë më shumë të dhëna për besimin tek liderët kryesorë globalë për të kundërshtuar dezinformimin rus.

“E gjitha kjo është shqetësuese. Gjithçka që ata po bëjnë është të sigurohen që Ukraina është e dobët”, është shprehur Zelensky.