Pas sulmeve ruse që morën jetën e dhjetëra personave në Zaporizhzhia, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar SHBA-në se, përmes marrëveshjes për naftën ruse, po financon luftën e Moskës. Donald Trump iu kundërpërgjigj duke thënë se Ukraina ka nevojë për president të ri
Rusia ka kryer sulme të ashpra ndaj civilëve në Ukrainë të shtuënën, në “shenjë falënderimi” për marrëveshjen e arritur mes Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit për të blerë naftën ruse, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke akuzuar Washingtonin se po e financon luftën e Moskës. Reagimi i tij ka kthyer përplasjen publike me Trumpin, që u shpreh se ka ardhur koha që Ukraina të ketë lider të ri.
Nga sulmet ruse të së shtunës janë vrarë të paktën 15 persona në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës. Tre fëmijë janë në mesin e të vrarëve. Ata humbën jetën kur sulmet ajrore ruse goditën ndërtesat e banimit në Zaporizhzhia, ka njoftuar Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës. Të paktën 16 persona u plagosën në sulm. Raketat goditën gjithashtu edhe Kievin gjatë ditës së shtunë. Kryebashkiaku Vitali Klitschko ka thënë se katër persona u plagosën.
Për sulmet, Zelensky pati kritika ndaj SHBA-së. Ai ka thënë se marrëveshja e presidentit Donald Trump me Vladimir Putinin e Rusisë për naftën ruse, ka qenë dhuratë për luftën e Rusisë.
“Sot, Rusia shprehu falënderimet e saj për heqjen e sanksioneve mbi eksportet e naftës duke hedhur pesë bomba rrëshqitëse në ndërtesa banimi në Zaporizhzhia”, ka shkruar Zelensky në rrjete sociale.
Zelensky ka thënë se 13 rajone të tjera janë goditur gjithashtu gjatë natës, por ka shtuar se Ukraina do të kundërpërgjigjet.
Trumpi të premten në mbrëmje njoftoi se me Putinin kanë rënë dakord që Rusia të furnizojë menjëherë tregun amerikan dhe atë global me mbi 300,000 tonë naftë.
“Kjo është një marrëveshje e madhe. Janë sasi të mëdha nafte që do të hyjnë në vendin tonë. Dhe dua të falënderoj presidentin Putin, për të qenë i sinqertë me ju. Ne kemi sasi të mëdha nafte që po hyjnë në vendin tonë, dhe është naftë, e cila është ajo që duam. Pra, faleminderit”, ka shkruar Trumpi në “Truth Social”.
Presidenti ukrainas i reagoi menjëherë, duke thënë se kjo nuk do të sjellë paqe ose ndonjë përfitim për botën e civilizuar.
“Të lejosh Rusinë të shesë produkte nafte është një investim në një luftë që duhet të përfundojë, jo të zgjatet. Ajo që nevojitet është depërshkallëzimi i vërtetë me Rusinë, në baza reciproke”, ka thënë ai.
Kritikat e njëpasnjëshme të Zelenskyt morën përgjigje të ashpër nga Trumpi. Ai ka thënë se mendon që “është koha që Ukraina të ketë president të ri”.
Në një deklaratë para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trumpi u shpreh se Zelensky “dëshiron t’i shkaktojë probleme botës” duke vazhduar sulmet ndaj rafinerive ruse.
“Bën mirë nëse i ndal”, ka thënë Trumpi para se të sugjeronte që Ukraina “të ketë lider të ri që mund të sigurojë marrëveshje”.
“I kemi thënë ‘mund të bëni çka të doni me Rusinë, por mos i goditni rafineritë, sepse është problem botëror’”, ka thënë Trumpi. “Ai ka mundur të siguronte shumë marrëveshje, por gjen arsye dhe nuk e bën”.
Zelensky ka shtuar se Ukraina po përgatitë takime dhe po koordinon hapa për të kundërshtuar të ardhurat shtesë që Rusia do të marrë nga marrëveshja e naftës. Ai ka thënë se ka diskutuar zhvillimet e fundit me presidentin finlandez Alexander Stubb dhe ka theksuar se Ukraina do të marrë municione në ditët në vijim për F-16 të cilat përdoren për të kapur dronët Shahed.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë shtuar sulmet ndaj infrastrukturës në muajt e fundit, ndërsa lufta midis dy vendeve vazhdon. Vetëm gjatë dy ditëve të mëparshme, rreth 80 civilë u vranë në sulmet ruse.
Zelensky dhe Trumpi patën pasur përplasje publike edhe më 2025. Në shkurt të atij viti, takimi në Shtëpinë e Bardhë u shndërrua në përplasje të ashpër për luftën në Ukrainë, diplomacinë me Rusinë dhe mbështetjen amerikane. Pas debatit publik, u anulua nënshkrimi i marrëveshjes për mineralet dhe pjesa tjetër e vizitës së Zelenskyt.