Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin, ka shumë kërkesa dhe se do të duhet kohë për t’i analizuar ato. Zelensky ka thënë se është e pamundur të merret me kërkesat e Putinit tash, nën presionin e luftimeve, kështu që ka shtuar se duhet një armëpushim për të punuar më pas shpejt drejt një marrëveshje finale, transmeton “BBC”.
Ai ka cekur se është e pamundur, sipas Kushtetutës së Ukrainës, që të jepet territor apo të përfshihet në shkëmbim të territoreve. Ai ka thënë se një çështje e tillë mund të diskutohet vetëm në takim trepalësh.
Ai ka thënë se është me rëndësi që SHBA-ja të pajtohet të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën përkrah Evropës.
“Ne na duhet siguria si në Nenin 5 të NATO-s”, tha ai, duke iu referuar nenit që thotë se të gjithë anëtarët e aleancës do t’i dalin në mbrojtje ndonjë anëtari në rast të sulmit.
Zelensky ka falënderuar Bashkimin Evropian për përkrahjen që ka treguar.
Ai ka thënë edhe se “Washingtoni është me ne”.
Ai do ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë të hënën ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump.
“Uniteti na ndihmon ta arrijmë paqen e vërtetë”, tha Zelensky.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është me rëndësi të ndalen vrasjet dhe ka cekur rëndësinë e një takim trepalësh – Ukrainë, Rusi dhe SHBA.
Zelensky ka shtuar se Rusia “duhet të shtyhet” drejt negociatave të vërteta.
Ai ka shtuar se shpreson që të ketë një vizitë produktive në Shtëpinë e Bardhë.
