Botë

Witkoff: Putini është pajtuar që SHBA-ja dhe Evropa të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, ka thënë të dielën se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, ka rënë dakord në samitin e tij me presidentin Donald Trump që t'u lejojë SHBA-së dhe aleatëve evropianë t'i ofrojnë Ukrainës një garanci sigurie të ngjashme me mandatin e mbrojtjes kolektive të NATO-s, si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare për t'i dhënë fund luftës 3 vjeçare e gjysmë.

"Ne arritëm të fitonim lëshimin e mëposhtëm: Që Shtetet e Bashkuara të mund të ofrojnë mbrojtje të ngjashme me Nenin 5, që është një nga arsyet e vërteta pse Ukraina dëshiron të jetë në NATO", ka thënë ai në emisionin "State of the Union" të CNN-it. 

Witkoff ka shtuar se ishte hera e parë që e kishte dëgjuar Putinin të binte dakord për këtë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se “mirëpresin gatishmërinë e presidentit Trump për të kontribuar në garancitë e sigurisë të ngjashme me Nenin 5 për Ukrainën dhe se “Koalicioni i të vullnetshmëve” - përfshirë Bashkimin Evropian - është gati të bëjë pjesën e vet.

Witkoff, duke ofruar disa nga detajet e para të asaj që u diskutua në samitin e së premtes në Alaska, ka thënë se të dy palët kanë rënë dakord për “garanci të forta sigurie që unë do t’i përshkruaja si ndryshime rrënjësore”. 

Ai ka shtuar se Rusia është pajtuar që ndërmerrte po ashtu një angazhim legjislativ për të mos ndjekur ndonjë territor shtesë në Ukrainë.

E presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar "përparim të madh" lidhur me Rusinë, në një postim në "Truth Social". 

Presidenti ukrainas  Zelensky e ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për sinjalet e fundit se Uashingtoni është i gatshëm të mbështesë garancitë e sigurisë për Ukrainën, por ka thënë se detajet mbeten të paqarta.

"Është e rëndësishme që Amerika të bjerë dakord të punojë me Evropën për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën”, ka thënë ai. "Por nuk ka detaje se si do të funksionojë, dhe cili do të jetë roli i Amerikës, cili do të jetë roli i Evropës dhe çfarë mund të bëjë BE-ja, dhe kjo është detyra jonë kryesore, ne kemi nevojë për siguri që të funksionojë në praktikë si Neni 5 i NATO-s, dhe ne e konsiderojmë pranimin në BE si pjesë të garancive të sigurisë”, është shprehur ai.

Ndërkohë Witkoff ka mbrojtur vendimin e Trumpit për të braktisur presionin e tij që Rusia të binte dakord për një armëpushim të menjëhershëm, duke thënë se presidenti ishte zhvendosur drejt një marrëveshjeje paqeje sepse ishte bërë kaq shumë përparim.

"Ne mbuluam pothuajse të gjitha çështjet e tjera të nevojshme për një marrëveshje paqeje”, ka hënë Witkoff, pa dhënë hollësi.

"Ne filluam të shohim njëfarë moderimi në mënyrën se si ata po mendojnë të arrijnë një marrëveshje përfundimtare paqeje”, ka shtuar ai. 

Zelensky: Shkëmbimet territoriale të pamundura sipas Kushtetutës së Ukrainës

2 o. më parë / 17 gus 2025 16:33
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin, ka shumë kërkesa dhe se do të duhet kohë për t’i analizuar ato. Zelensky ka thënë se është e pamundur të merret me kërkesat e Putinit tash, nën presionin e luftimeve, kështu që ka shtuar se duhet një armëpushim për të punuar më pas shpejt drejt një marrëveshje finale, transmeton “BBC”. 

Ai ka cekur se është e pamundur, sipas Kushtetutës së Ukrainës, që të jepet territor apo të përfshihet në shkëmbim të territoreve. Ai ka thënë se një çështje e tillë mund të diskutohet vetëm në takim trepalësh. 

Ai ka thënë se është me rëndësi që SHBA-ja të pajtohet të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën përkrah Evropës. 

“Ne na duhet siguria si në Nenin 5 të NATO-s”, tha ai, duke iu referuar nenit që thotë se të gjithë anëtarët e aleancës do t’i dalin në mbrojtje ndonjë anëtari në rast të sulmit. 

Zelensky ka falënderuar Bashkimin Evropian për përkrahjen që ka treguar. 

Ai ka thënë edhe se “Washingtoni është me ne”. 

Ai do ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë të hënën ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump. 

“Uniteti na ndihmon ta arrijmë paqen e vërtetë”, tha Zelensky. 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është me rëndësi të ndalen vrasjet dhe ka cekur rëndësinë e një takim trepalësh – Ukrainë, Rusi dhe SHBA.  

Zelensky ka shtuar se Rusia “duhet të shtyhet” drejt negociatave të vërteta.

Ai ka shtuar se shpreson që të ketë një vizitë produktive në Shtëpinë e Bardhë.