Botë

Xi Jinping zëvendëson liderët e forcës elitare bërthamore të Kinës

Xi Jinping

Kina ka zëvendësuar dy udhëheqës të një njësie elitare që menaxhonte arsenalin e saj bërthamor, duke shkaktuar spekulime për spastrim. Gjenerali Li Yuchao, i cili drejtonte njësinë e Forcave Raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA) dhe zëvendësi i tij ishin “zhdukur” prej muajsh.

Ndërkohë ish-zëvendës shefi i marinës, Wang Houbin dhe anëtari i komitetit qendror të partisë, Xu Xisheng u emëruan si zëvendësues të tyre. Pekini nuk e ka komentuar vendndodhjen e gjeneralit Li dhe zëvendësit të tij, gjeneralit Liu Guangbin, por një raport i South China Morning Post ka sugjeruar se krahu kundër korrupsionit i Komisioni Qendror Ushtarak, ku presidenti Xi është kryetar, ka nisur një hetim për të dy burrat, si dhe për ish-zëvendësin e gjeneralit Li, Zhang Zhenzhong.

Emërimet e reja të Wang dhe Xu erdhën një ditë përpara 96-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA), më 1 gusht. Lyle Morris, bashkëpunëtor i politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në Institutin e Politikave të Shoqërisë së Azisë, ka thënë se shkarkimi i gjeneralit Li, së bashku me zëvendësimin e fundit, të ish-ministrit të jashtëm, Qin Gang, paraqet një nga sfidat më të mëdha të udhëheqjes për presidentit Xi, shkruan BBC.

Ministri Qin kishte munguar në angazhimet publike për një muaj, përpara se të zëvendësohej nga paraardhësi i tij, Wang Yi, javën e kaluar. Nuk u dha asnjë shpjegim për largimin e tij. Në vitin 2014, një spastrim i gjerë në radhët ushtarake të Kinës bëri që ish-zëvendëskryetarët e Komisionit Qendror Ushtarak, Xu Caihou dhe Guo Boxiong, të shkarkoheshin dhe të ndiqeshin penalisht për korrupsion. Guo u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë ushtarake, ndërsa Xu vdiq para gjyqit të tij.