Qyteti kinez i Wuhanit është duke hartuar planin për të testuar tërë popullsinë prej 11 milionë banorëve për COVID-19, kanë raportuar mediat shtetërore, ka raportuar BBC.
Plani duket se është në stadin e hershem dhe është kërkuar nga të gjitha lagjet të japin detaje se si mund të bëhet testimi brenda 10 ditëve.
Ky lajm erdh pasi që Wuhani, ku u shfaq virusi për herë të parë, konfirmoi 6 raste të reja gjatë fundjavës.
Para kësaj, nuk kishte pasur asnjë rast që nga 3 prilli.
Wuhani, i cili ishte nën karantine strikte për 11 javë, filloi t’i lehtësojë masat më 8 prill.
Për një moment u duk se jeta po i kthehej normales deri sa shkollat u rihapën, bizneset nisën sërish punën dhe transporti publik vazhdoi me shërbimet. Por shfaqja e rasteve grupore nga një lagje e njëjtë tani ka kërcënuar kthimin në normale.
Sipas një dokumenti të brendshëm shtetëror, është kërkuar nga secila lagje në qytet që të hartojë një plan testimi 10 ditësh. Secila lagje është përgjegjëse për të krijuar një plan, bazuar në numrin e banorëve dhe çështjes nëse ka të infektuar në atë lagje.
Dokumenti, i cili i referohet planit të testimit si “beteja 10 ditëshe” gjithashtu thotë se njerëzit e moshuar dhe vendet e dendura me banorë duhet të kenë prioritet, kur është në fjalë testimi.
Sidoqoftë disa zyrtarë të lartë të shëndetësisë të cituar nga gazeta “The Global Times” kanë thënë se testimi i tërë qytetit mund të jetë i vështirë dhe i shtrenjtë.
Kina raportoi vetëm një rast të hënën, duke e sjellur numrin e përgjithshëm të rasteve në 82,919, dhe numrin e vdekjeve në 4,633.