Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

WSJ: Carney po promovon idenë që Kanadaja të bëhet “anëtare e asociuar” e BE-së

Mark Carney

Foto: Associated Press

Kryeministri kanadez, Mark Carney, po kërkon lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian dhe po shqyrton mundësinë që Kanadaja të bëhet “anëtare e asociuar” e bllokut, ka raportuar të dielën The Wall Street Journal.

BE-ja, e cila në të kaluarën nuk ka treguar fleksibilitet sa i përket rregullave të anëtarësimit, është e hapur ndaj idesë për t’i dhënë Kanadasë një status të ri të anëtarësimit të asociuar, ka raportuar gazeta, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar nga BE-ja dhe Kanadaja.

Ambasada kanadeze në Bruksel dhe zëdhënësit e Komisionit Evropian nuk i janë përgjigjur kërkesave të veçanta për koment.

Lufta tregtare në përshkallëzim mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara ka shtuar urgjencën për orientimin strategjik të Otavës drejt partnerëve të tjerë tregtarë.

Marrëdhëniet e Kanadasë me Uashingtonin janë përkeqësuar ndjeshëm që kur presidenti, Donald Trump, u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2025, për shkak të mosmarrëveshjeve për tregtinë dhe çështje të tjera. Përplasja tregtare ka çuar në vendosjen e tarifave mbi dhjetëra miliarda dollarë në tregtinë ndërkufitare.

Kanadaja dhe BE-ja po diskutojnë mënyra për të mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punonjësve kanadezë të përfshirë në zinxhirë strategjikë të furnizimit, si energjia, inteligjenca artificiale, mbrojtja dhe mineralet kritike, duke e zhvendosur në praktikë kufirin e BE-së, ka raportuar The Wall Street Journal.

Kanadaja dhe BE-ja po diskutojnë gjithashtu ndërtimin e kabllove nënujore, ndërtimin e përbashkët të qendrave të të dhënave, ruajtjen në cloud dhe krijimin e rrjeteve dhe infrastrukturës së re satelitore për transportimin e energjisë kanadeze drejt BE-së, ka raportuar gazeta.

Sipas WSJ, Carney ka zhvilluar rregullisht biseda me disa liderë të BE-së, veçanërisht me presidentin francez, Emmanuel Macron, për mundësinë që kanadezët të mund të jetojnë dhe punojnë pa viza në BE, duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar të njohur me çështjen.

Të dy liderët pritet të takohen më vonë gjatë këtij muaji.

Megjithatë, projekti për lidhje më të ngushta mes Kanadasë dhe BE-së nuk do të jetë i lehtë, siç e ka treguar edhe kundërshtimi i fortë ndaj një marrëveshjeje tregtare shumë më të kufizuar.

Më shumë se një dekadë pasi marrëveshja u arrit dhe nëntë vjet pasi hyri përkohësisht në fuqi, disa vende të BE-së ende nuk e kanë ratifikuar atë.