Në Kiev, Dima dhe njësia e tij po rriten. Kur “Al-Jazeera” foli me të në mes të marsit, Dima kishte rreth një javë të mbetur nga trajnimi përpara se të vendosej në front. “Kam frikë se nuk do të kthehem i gjallë nga lufta dhe do të jetë e vështirë për familjen time”, thotë ai, me sytë e mbushur me lot. “Kjo është frika ime e vetme. Unë nuk kam frikë nëse më vrasin. Thjesht nuk dua që familja ime ta kalojë këtë humbje të tmerrshme”
Kur raketat e para goditën Ukrainën më 24 shkurt, Dima ishte në një spital në Kiev duke u kujdesur për vjehrrin e tij, i cili pati sulm në tru disa ditë më parë. “Po mendoja, ‘OK, çfarë të bëjmë? Çfarë të bëjmë?’” - thotë ai.
Shumica e mjekëve dhe infermierëve ishin larguar për të parë familjet e tyre dhe ai nuk donte ta linte vetëm vjehrrin. Kështu e zhvendosi në shtëpinë e tij dhe më pas i çoi djalin dhe prindërit e tij në një vend të sigurt.
Vendimi për të luftuar nuk ishte një dilemë personale për Diman. Sfida ishte që një njësi ta pranonte atë, sepse shumica ishin plot, duke u dhënë përparësi njerëzve me përvojë të kaluar ushtarake, thotë ai.
“Isha disi i mërzitur, shumë i mërzitur, sepse, e dini, doja të ndihmoja vendin tim”. Atij iu desh të kërkonte disa favore dhe më në fund ishte në gjendje të bashkohej me një njësi në Kiev.
Pasi u regjistrua, ajo që e frikësoi më shumë ishte t'i tregonte gruas së tij. Ai fillimisht e lehtësoi me idenë se do të kthehej në shtëpi nga baza çdo natë, por pasi mbërriti e telefonoi për t'i thënë se nuk lejohej të largohej. Dima përpiqet të flasë me gruan dhe djalin dy herë në ditë. Të dy e mbështesin vendimin e tij, thotë ai; djali, madje i tha atij se do të donte të ishte 18 vjeç që edhe ai të mund t'i bashkohej luftës.
Regjimi i sertë ushtarak
Kur Dimas iu nda një njësi, brenda natës, kaloi nga banimi në një apartament me dy dhoma gjumi me familjen, në një hapësirë të përbashkët me 150 burra. “Nuk jam mësuar të fle në një dhomë me 150 burra dhe të zgjohemi të gjithë së bashku, t’i lajmë dhëmbët, të hamë mëngjes, drekë dhe darkë në një kohë të caktuar… Shumë gjëra, sigurisht, ishin të panjohura për mua, ju e dini. Ashtu si duhet të kërkoj leje sa herë që dal, duhet të kërkoj leje nëse mund të flas me dikë”, thotë ai.
Njësia e Dimës fle në krevate marinari në kazermat e ushtrisë, zgjohen çdo mëngjes në orën 6:30 dhe hanë mëngjes së bashku përpara se t'u jepet agjenda e ditës. Çdo ditë trajnimi konsiston në mësimin e një aftësie të ndryshme – nga pastrimi i ndërtesave, të shtënat, te patrullimi, te kontrollimi i pikave të kontrollit dhe aftësive bazë të mbijetesës. Stërvitja është intensive, por jo shumë e vështirë, thotë ai.
Në mbrëmje, Dima punon në selinë qendrore, duke krijuar lista të të ardhurve të rinj ushtarakë për t’u siguruar që ka ushqim dhe pajisje të mjaftueshme dhe për të pasur një regjistrim se kush është ku, pasi trupat vazhdimisht lëvizin dhe vendosen në të gjithë vendin.
Dima është i zoti në marrjen e porosive dhe thotë se beson dhe mbështetet plotësisht në atë që i mësojnë trajnerët e tij, edhe nëse shumë prej tyre janë gjysma e moshës së tij.
Në javët që pas angazhimit, ka mësuar se si të montojë dhe të çmontojë një armë, t'u afrohet ndërtesave të marra nga armiku dhe të japë ndihmën e parë. Por jo gjithçka është e lehtë për t'u absorbuar, shton ai. Për shembull, atij iu mësua se nëse dikush qëllohet teksa ndihmon një ushtar të plagosur, duhet ta përdorin të plagosurin si mburojë njerëzore.
“E shihni sa keq tingëllon?” – thotë ai. “Shpresoj se nuk do të më duhet të jem në një situatë ku më duhet të mbulohem me një shok beteje të plagosur, por nëse ndodh, do të jem gati”, shton ai. Ai gjithashtu ka marrë këshilla nga miqtë ushtarakë jashtë vendit, si për shembull numërimi i numrit të të shtënave kur gjuan me armë për të ruajtur përqendrimin e tij.
Mobilizimi kombëtar
Që nga fillimi i pushtimit, i gjithë vendi është mbledhur së bashku në një përpjekje të kohës së luftës, disa analistë të konfliktit thonë se nuk është parë askund që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në qytetin e Bila Tserkva, më pak se 100 km në jug të kryeqytetit dhe një nga portat e fundit nga ku mund të dërgohet ndihma humanitare dhe ushtarake në Kiev, një fabrikë metalike që dikur prodhonte pjesë për pajisje bujqësore dhe piknik, po prodhon jelekë të blinduar, barriera antitank dhe pjesë metalike për pajisje për ndalimin e gjakderdhjes së rëndë – pa pagesë.
Në të gjithë qytetin, luftëtarë vullnetarë dhe civilë hyjnë dhe dalin nga shtabi i Mbrojtjes Territoriale, duke renditur donacionet e rrobave, duke paketuar komplete mjekësore dhe duke ushqyer ushtarët e rraskapitur të sapostërvitur.
"Ka dy mënyra për t’u përballur me luftën: njëra është vetëm të ulesh dhe të presësh, ndërsa tjetra është të luftosh”, thotë Mykola Surovskyi, një fermer 37-vjeçar, i kthyer në luftëtar, i cili ka qëlluar vetëm një herë me armë me miqtë. Ai thotë se po punon për të përmirësuar qëllimin e tij gjatë praktikës së gjuajtjes përpara se të vendoset.
Vullnetarët hyjnë dhe dalin me vrap në kuzhinë në shtabin e vullnetarëve duke përgatitur darkën për të dhe luftëtarët e tjerë. I ulur në një karrige pas një dite të gjatë trajnimi, Surovskyi thotë se u ndje më i qetë pasi dërgoi djalin e tij shtatë muajsh, vajzën shtatëvjeçare dhe gruan në perëndim të vendit ku situata është më e qetë.

“Kam frikë se nuk do të kthehem nga beteja”
Ushtarët aktivë në forcat e armatosura të Ukrainës thonë se kanë kohë të kufizuar për të trajnuar luftëtarë të papërvojë – ndonjëherë deri në 300 njerëz në ditë, sipas Andriy Reznik, ushtar dhe trajner veteran 41-vjeçar.
Ndërsa shumë njerëz duan të luftojnë, Reznik thotë se jo të gjithë do të lejohen të vazhdojnë stërvitjen. “Ju mund të shihni në sytë e njerëzve se kush është gati” dhe atyre që nuk janë të gatshëm u jepen detyra të tjera vullnetare, shton ai.
Civilët në të gjithë vendin tashmë kanë bërë gjithçka që munden për të kontribuar në përpjekjet e luftës. Ata që nuk mund të luftojnë po u sjellin ushtarëve ushqime, po ndërtojnë dhe shpërndajnë forca të blinduara dhe po koordinojnë transferimin e ilaçeve dhe rrobave në zona të largëta dhe të paarritshme. Megjithatë, shumë civilë të kthyer në ushtarë në vijën e frontit i thonë “Al-Jazeeras” se u mungojnë pajisje si jelekë dhe helmeta dhe thonë se pa më shumë ndihmë perëndimore do të jetë e vështirë të tejkalohet lufta.
Në vende të ndryshme, disa luftëtarë civilë me Forcën e Mbrojtjes Territoriale i thanë “Al-Jazeeras” se ka një infiltrim të madh të spiunëve rusë, ose "diversantëve" siç quhen ata, të cilët shkruajnë mesazhe duke përdorur bojë të padukshme në mure ose vendosin fenerë në objekte strategjike që transmetojnë sinjale te raketat për vendndodhjen e tyre. Megjithatë, kjo nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Luftimi i spiunëve rusë
Spiunët e dyshuar rusë që janë kapur zakonisht u thonë ushtarëve ukrainas se nuk e kuptonin se për çfarë po luftohej. Në një video të marrë nga një ushtar në Odesa, që dyshohet të jetë e një spiuni rus të kapur dhe të parë nga “Al-Jazeera”, rusi pendohet para kamerës duke thënë, "ata (rusët) nuk po bombardojnë infrastrukturën ushtarake, por atë civile".
Disa ushtarë thonë se nganjëherë kanë përdorur infiltrimin rus në avantazhin e tyre. Një njësi në Odesa dyshohet se largoi anijet ruse nga Deti i Zi duke vendosur ngadalë dhe qëllimisht kokteje molotov përgjatë bregut gjatë disa ditëve, në mënyrë që t'u jepte kohë spiunëve për të informuar trupat në anijen që po afrohej për atë që po ndodhte, Andrey Vagapov, shefi i një prej njësive të Mbrojtjes Territoriale në Odesa tha për “Al-Jazeeran”. Pasi u informuan se bregu ishte i mbushur me eksploziv, oficerët në bordin e anijes refuzuan të vinin, tha ai.
Ndërsa trupat tokësore ruse luftojnë për të avancuar, ukrainasit po përgatiten për një rritje të zjarrit të artilerisë, i cili tashmë po i afrohet Kievit për të sulmuar qytetin, tha Orysia Lutsevych, kreu i Forumit të Ukrainës në Chatham House, një qendër e pavarur mendimi, e vendosur në Mbretërinë e Bashkuar.
“Fakti që Ukraina ende kontrollon pjesë të qiellit të saj dhe përdor me mjaft sukses armët kundërajrore do të thotë se rusët mund të vendosin më shumë raketa për të goditur objektivat me më shumë dëme kolaterale ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile”. Por edhe nëse Rusia bombardon qytetin nga periferia, Mbrojtja Territoriale, së bashku me Ushtrinë ukrainase, do ta bëjnë tejet të vështirë për ta vendosjen e kontrollit tokësor mbi qytetin, shtoi ajo.
“….fatkeqësi për Rusinë”
“Trupat Territoriale (të mbrojtjes) do të jenë fatkeqësia e Rusisë…” i tha “Al-Jazeeras” një ish-zyrtari të inteligjencës ushtarake amerikane, i cili nuk donte të identifikohej nga frika për sigurinë e tij. “Koktejet molotovi janë një armë e fuqishme kundër zjarrit të tankeve. Por ukrainasit kanë nevojë për njerëz të vërtetë fizikë për të luftuar në anën e tyre dhe Ukraina ka nevojë për më shumë trupa”.
Në Kiev, Dima dhe njësia e tij po rriten. Kur “Al-Jazeera” foli me të në mes të marsit, Dima kishte rreth një javë të mbetur nga trajnimi përpara se të vendosej në front.
I etur për të shkuar në vijën e parë të frontit, kur të përfundojë stërvitjen e njësisë së tij, ai do të dërgohet në zonat e rikthyera nga forcat ruse, në pikat e kontrollit brenda dhe rreth Kievit ose do të patrullojë qytetin duke kërkuar njerëz të dyshimtë.
Ai është dhe në ankth dhe po pret me padurim atë që fati ka rezervuar për të. Ajo që e shqetëson më shumë është se çfarë mund t'i bëjë familjes së tij nëse nuk kthehet.
“Kam frikë se nuk do të kthehem i gjallë nga lufta dhe do të jetë e vështirë për familjen time”, thotë ai, me sytë e mbushur me lot. “Kjo është frika ime e vetme. Unë nuk kam frikë nëse më vrasin. Thjesht nuk dua që familja ime ta kalojë këtë humbje të tmerrshme”.
Përktheu: Albina Sahiti