Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jepen zotime për t’i përballur me drejtësinë terroristët e Banjskës

Banjska

Pos një rruge që mban emrin e tij, në Banjskë të Zveçanit do të jetë edhe obelisku në nderim të veprës dhe sakrificës së rreshterit Afrim Bunjaku, i vrarë tre vjet më parë. Udhëheqës institucionalë e kolegë të Bunjakut, vizituan po ashtu familjen e tij dhe bënë homazhe të varri i tij në Vushtrri. E zyrtarë të lartë shtetërorë që fajësojnë Serbinë për sulmin, thanë se Kosova fitoi në përballjen me këtë shtet që mësyu aneksimin e veriut. Ata thanë se herët a vonë, përgjegjësit do të përballen me drejtësinë

Në vendin ku tre vjet më parë u vra në mbrojtje të Republikës, të enjten është vënë gurthemeli i obeliskut në nderim të veprës dhe sakrificës së rreshterit të Policisë, Afrim Bunjaku.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, kërkoi nga Serbia dorëzimin e Milan Radojçiqit që mori përgjegjësinë për sulmin, si dhe të personave të tjerë të akuzuar për pjesëmarrje në sulm.

“Obelisku që do të vendoset këtu është shenjë e respektit institucional për veprën e heroit Afrim Bunjaku, por edhe kushdo që do të kalojë në këtë pjesë ku ai ra, do të dijë më shumë se çfarë ndodhi atë ditë, cilat ishin planet e Serbisë dhe cila ka qenë sakrifica e policëve të Republikës së Kosovës. E përmenda edhe sot, gjatë vizitës te familja Bunjaku, që dhimbja e tyre është dhimbje edhe e jona, sikurse edhe krenaria e tyre është krenari po ashtu edhe e jona”, ka thënë Haxhiu.

Punën dhe sakrificën e Afrim Bunjakut e vlerësoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai tha se qëllimi i grupit të armatosur serb, me mbështetjen dhe financimin nga Serbia, ishte okupimi i një pjese të territorit të Kosovës.

“Shteti u ballafaqua me sulm terrorist, e shteti doli fitimtar. Kjo falë sakrificës së rreshterit Afrim Bunjaku, sakrificës e angazhimit të pashkëputur të qindra policëve të tjerë, të cilët me vetëmohim, me profesionalizëm arritën që të mundnin terroristët e sponsorizuar, mbështetur, armatosur e financuar nga shteti i Serbisë, të cilët qëllim të vetëm kishin okupimin e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Sveçla.

Ai ka theksuar se aksioni i 24 shtatorit i hapi rrugë Kosovës në shumë aspekte.

“Si rrjedhojë e kësaj, ne kemi arritur që të zbulojmë edhe varreza masive, të identifikojmë persona të pagjetur, të zhdukur dhunshëm nga kriminelët atëherë, nga shteti kriminal serb i asaj periudhe”, ka thënë ministri Sveçla.

Natën e 23 dhe 24 shtatorit në datat ku ndodhi sulmi në Banjskë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha e përshkroi si një nga momentet më të rënda për shtetin dhe Policinë. Por theksoi se këtë natë dhe ditën pasuese, Policia dëshmoi guxim të jashtëzakonshëm.

“Policia ka djem dhe vasha që janë të gatshëm me e sakrifiku jetën e tyre për t’i dalë ballë atdheut tonë, detyrave që na presin”, ka thënë Hoxha.

Ai ka theksuar se Policia tani ka kapacitete shumë më të mëdha sesa që ka pasur tre vjet më parë, në përballje me grupin terrorist.

“Kemi përgatitje, kemi motivim dhe kemi moral shumë të lartë para nesh”, ka thënë Hoxha. “Çdo popull i cili e harron historinë e vet dhe heronjtë e vet, është i destinuar për të dështuar. Kosova, Policia e Kosovës, institucionet e saj nuk i harrojnë. Andaj sot ne edhe po e vendosim obeliskun për heroin tonë Afrim Bunjaku, në mënyrë që t’ua kujtojmë brezave të ardhshëm”.

Paraprakisht Haxhiu, Sveçla e Hoxha kanë bërë homazhe te varri i heroit Bunjaku.

Gjatë ditës së enjte, udhëheqës institucionalë e kolegë të Bunjakut, vizituan familjen e tij në Vushtrri. Po ashtu u bënë homazhe te varri i tij.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe shefi i ri i EULEX-it në Kosovë, Antero Lopes, së bashku me ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Afrim Bunjaku, në mëngjesin e 24 shtatorit 2023 ra në pritë të grupit të armatosur serb në Banjskë. Më pas grupi i udhëhequr në terren nga Milan Radoiçiqi u shpartallua – tre u vranë, tre u arrestuan, kurse të tjerët ikën për në Serbi.

Në nderim të Bunjakut, më herët një rrugë e këtij fshati të Zveçanit është emërtuar në emër të tij.

Në këtë përvjetor të vrasjes së Bunjakut dhe sulmit terrorist që për qëllim kishte aneksimin e veriut të banuar kryesisht me serbë, kanë reaguar përfaqësues institucionalë e udhëheqës të partive politike.

Kryeministri Albin Kurti, i cili ndodhet në Nju Jork, ka thënë se Bunjaku ka rënë në krye të detyrës për sundim të ligjit, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

Ai ka theksuar se grupi terrorist paraushtarak i organizuar, ishte i dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, dhe ka dështuar në sulmin që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës.

“Kjo falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve tanë në rendit e të inteligjencës, politikë e publikë, në mbrojtje të Republikës, të paqes, të drejtave dhe sigurisë për të gjithë”, ka thënë Kurti. “Në Banjskë, në vendin e sulmit aty, rruga sot mban emrin e heroit Afrim Bunjaku. Ndërkaq, tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë herdokur. Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”.

Kurti ka theksuar se Kosova ka triumfuar.

“Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhënjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët”, ka shkruar Kurti.

Edhe Partia Demokratike, që është subjekti kryesor në opozitë, e ka përkujtuar rreshterin Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës.

“Sakrifica e tij mbetet dëshmi e guximit, përkushtimit dhe dashurisë për atdheun. Emri dhe vepra e tij do të mbeten përherë në historinë e shtetit tonë”, thuhet në postimin e PDK-së.

Ndërkaq, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është deputet i Aleancës, ka thënë se sulmi që ndodhi në veri, dëshmoi se kërcënimet ndaj Kosovës vazhduan edhe pas luftës.

“Rënia e tij në Banjskë tregoi qartë se agresorët nuk i ndalën sulmet dhe synimet e tyre ndaj Kosovës as pas vitit 1999”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ai e lidhi këtë përvjetor edhe me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Haradinaj e quajti “ironi të dhimbshme të historisë” faktin që, sipas tij, personat që sulmojnë Kosovën mbeten të lirë, ndërsa ish-udhëheqësit e UÇK-së po gjykohen padrejtësisht.

“Kushdo që po tenton ta rishkruajë historinë e Kosovës dhe ta barazojë viktimën me agresorin, le ta dijë se plagët tona janë ende krejtësisht të freskëta”, shkroi Haradinaj.

Në nderim të kujtimit për Bunjakun, të enjten janë organizuar disa aktivitete - nisur nga homazhet e vendosjen e gurthemelit të obeliskut për të.

E edhe pse kanë kaluar tre vjet dhe përgjegjësinë e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të akuzuar janë ende të lirë në Serbi.

Në prill të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin e ka dënuar me 30 vjet burgim.

Në aktgjykimin e plotë Gjykata Themelore në Prishtinë ngjarjen e 24 shtatorit të vitit 2023, e ka përshkruar si një grup të organizuar, me lidhje të mëhershme mes pjesëtarëve, i armatosur, me mjete logjistike dhe me pozicione të përcaktuara për aksionin.

Për sulmin e tre vjetëve më parë, trupi gjykues ka konstatuar se përgjegjësia e secilit prej tre të dënuarve, është përcaktuar veçmas, duke u mbështetur në provat konkrete për praninë, dijeninë, dashjen, komunikimet, pajisjet, sendet personale dhe kontributin e tyre në veprimin e përbashkët të grupit.

Tre të dënuarit janë në mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast, përfshirë edhe Radoiçiqin, që ishte lënë i lirë pasi ishte marrë në pyetje në Beograd në tetor të 2023-tës.

Për Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar, pasi janë në arrati.

Veprat penale në aktakuzë: “Kryerja e veprës terroriste” “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” “Shpëlarja e parave” e “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i sulmuesve ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.

Krahas 3 të dënuarve në shkallë të parë, autoritetet kanë arrestuar këtë muaj edhe një serb, si të dyshuar për përfshirje në sulmin në Banjskë.

Policia e Kosovës pati kapur arsenal armësh pas sulmit për të cilin Kosova e akuzon direkt shtetin e Serbisë.

Egzona Mema