Arbëri

Kujtesa e sakrificës dhe fitores së shtetit në Banjskë

24 shtatori i 2023-tës do të mbetet në historinë e Kosovës si dita kur shteti u përball me sulmin më të madh terrorist pas luftës. Dy vjet pas ngjarjes, Banjska mbetet simbol i përballjes mes shtetit dhe grupeve të armatosura të mbështetura nga Serbia. Krahas përkujtimit të rreshterit Afrim Bunjaku dhe zmbrapsjes së planit që synonte aneksimin e veriut, institucionet dhe liderët shtetërorë e rikonfirmuan angazhimin për siguri dhe mbrojtje të sovranitetit. Ndërkaq, përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë kërkuan që përgjegjësit për sulmin të sillen para drejtësisë

Dy vjet kanë kaluar nga dita e 24 shtatorit të 2023-tës, por Banjska e Zveçanit ende i mbart gjurmët e sulmit terrorist që e tronditi Kosovën. 

Banorët merren me punët e tyre të përditshme, ndërsa një autoblindë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës qëndron pranë Manastirit të Banjskës, në vendin ku 24 shtatorin e dy vjetëve më parë u pati strehuar grupi terrorist serb, i drejtuar nga Milan Radoiçiq. Pas një qëndrimi të shkurtër, autoblinda largohet drejt zonës malore që lidhet me kufirin me Serbinë, aty ku grupi pati depërtuar dhe po ashtu qe tërhequr në fund të përleshjeve, duke lënë pas një arsenal armësh. 

Disa metra tutje prej Manastirit, dyert e bujtinës që u pati shndërruar në strehë të grupit të armatosur janë të mbyllura. Pamjet e publikuara nga Policia e Kosovës dhe nga mediat ndërkombëtare tregonin qartë Radoiçiqin, që asokohe ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, i rrethuar nga dhjetëra burra të armatosur rëndë në atë vend. Krejt në hyrje të fshatit ndodhet vendi ku është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, që është viktima e vetme e Policisë nga ky sulm.

Simboli i sakrificës

Rruga “Afrim Bunjaku” është kthyer në simbol të sakrificës së policit të rënë në krye të detyrës, në ditën kur shteti i Kosovës u gjend përballë kërcënimit më serioz të sigurisë që nga përfundimi i luftës.
Delegacione të ndryshme, mes tyre përfaqësues institucionalë, deputetë dhe kryetarë komunash, e kanë frekuentuar atë të mërkurën për të vendosur lule dhe për të bërë homazhe. 

Ilir Peci, kryetar i Komunës së Zveçanit, ka thënë me këtë rast se realiteti tash është ndryshe në këtë pjesë, me gjithë sulmet e kohëpaskohshme edhe pas sulmit në Banjskë. 

“Sot është një ditë historike për gjithë popullin e Kosovës, si komunë erdhëm për nderim të heroit kombëtar, Afrim Bunjaku. Është arsye e fortë, është heroi i fundit i Kosovës...Ka pasur sulme herë pas here, por për fat të mirë nuk ka pasur viktima. Gjendja është e qetë. Gjithçka është për momentin e qetë, edhe këtu në Banjskë”, ka theksuar ai. 

Në urën që çon drejt Manastirit të Banjskës, 24 shtatorin e 2023-tës Bunjaku pati zbritur nga vetura policore, pasi mori informacion se mbi urë janë vendosur barrikada me kamionë. Ato kanë qenë kurth për Policinë e Kosovës. Porsa i bëri hapat e parë, shpërthimi i eksplozivëve ia mori jetën Bunjakut. 

Sulmi i Banjskës është cilësuar nga institucionet vendore si akt terrorist i organizuar. Qëllime të tij, siç e konfirmoi më pas edhe aktakuza e Prokurorisë Speciale, kanë qenë destabilizimi i veriut të Kosovës dhe krijimi i kushteve për aneksim të mundshëm të territorit.

Grupi terrorist, i armatosur me mitraloza, granatahedhës dhe mjete të tjera ushtarake të sofistikuara, ka depërtuar në Kosovë nga Serbia. Hetimet kanë zbuluar se furnizimi dhe përgatitja e tyre ishin bërë po nga territori serb, ndërsa një arsenal i madh armësh u gjet brenda Banjskës, pas largimit të grupit.
Përleshja e asaj dite rezultoi fatale për sulmuesit. Policia eliminoi tre prej tyre, dy janë arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa pjesa tjetër u tërhoq në Serbi. 

Milan Radoiçiqi, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin, u pa i lirë në Beograd vetëm pak ditë më vonë, gjë që dëshmoi se përgjegjësia e tij nuk ka sjellë pasoja reale në Serbi. Ky fakt e rriti edhe më shumë zemërimin në Kosovë, ku liderë shtetërorë kërkuan prej ndërkombëtarëve që t’i bëhet presion Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqit, me qëllim të ballafaqimit me drejtësinë.

Gjermania, Franca e Britania kërkojnë sjelljen para drejtësisë të autorëve

Në dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, misione diplomatike në Kosovë kanë kërkuar që kryerësit e këtij sulmi të vihen para drejtësisë.

Në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë është theksuar se pandëshkueshmëria është e papranueshme.

“Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vënë drejtësi. Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme”, kanë thënë në Ambasadën gjermane.

Në Serbi ndodhen më shumë se 40 persona që nga autoritetet e Kosovës akuzohen për sulmin, përfshirë Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përsipër aktin.

Në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë i kanë bërë thirrje Beogradit zyrtar që të veprojë ndaj autorëve të sulmit.

“U bëjmë homazh profesionalizmit dhe guximit të Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator 2023, si dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre të durueshme në përgatitjen e aktakuzës. Autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë kapur dhe sjellë para drejtësisë, dhe ne sërish u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundur”, është thënë në reagimin e Ambasadës britanike.

E, ambasadori francez, Oliver Guerot, ka shpërndarë fotografinë e heroit Afrim Bunjaku dhe në emër të Francës ka bërë thirrje që kryerësit e sulmit të sillen para drejtësisë.

Liderë shtetërorë e politikë kujtojnë shembullin e guximit të Bunjakut

Trysni ndaj Serbisë për dënimin e sulmuesve dhe vrasësve të Bunjakut në Banjskë kanë kërkuar edhe përfaqësues shtetërorë dhe politikë në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se 24 shtatori kujton që liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme.

“Afrim Bunjaku ra hero në Banjskë, duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës. 24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme. Asnjë sulm terrorist e agresion nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën. Kosova shtet sovran, i lirë e i pandashëm do të mbetet realitet i pakthyeshëm e i përjetshëm. Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, ka shkruar Osmani në Facebook. 

E në fshatin e Bunjakut, Samadrexhë, të mërkurën qytetarë dhe figura politike kanë bërë nderime për policin, duke vendosur kurora lulesh pranë varrit të tij.

Aty, kryeministri në detyrë, Albin Kurti u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal, përderisa nuk i dorëzon kriminelët që udhëhiqeshin nga Milan Radoiçiq.

“Ka mbrojtur qytetarët pa dallim, duke i mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit. Të gjithë bashkë ne jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës. E theksoj guximin e dyfishtë, ai ia mësyu i pari drejt bllokadës Banjskë të Zveçanit, këtë e bëri si polic me përvojë”, ka theksuar Kurti.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka kërkuar që trysninë më të madhe mbi Serbinë për dorëzimin e terroristëve ta ushtrojnë përfaqësues të faktorit ndërkombëtar. 

“Edhe më tej, Serbia po e vazhdon terrorizmin e saj, duke i strehuar e mbrojtur kriminelët e ndjekur nga organet tona të drejtësisë, për çfarë edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta rrisë presionin për ekstradimin e terroristëve të aktit të para dy vjetëve. Kujtimi dhe lavdia për Heroin tonë mbeten të përjetshme. Afrim Bunjaku do të shërbejë si shembull i guximit e i përkushtimit për çdo brez, të cilët do të gjejnë frymëzim e motiv se si duhet të çmohet e të mbrohet atdheu”, ka shkruar Basha. 

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka bërë zotimin se Policia do të vazhdojë të punojë për të nderuar amanetin e rreshterit Bunjaku.

“Jemi mbledhur sot në betejën e Banjskës, për të përkujtuar këtë betejë dhe për të kujtuar veprën e Afrim Bunjakut, ishte një polic i vërtetë, një guximtar i madh, i cili sakrifikoi jetën e tij për rend dhe siguri për qytetarët. Ne, Policia e Kosovës, e kemi për detyrë ta nderojmë e ta respektojmë, do të punojmë që amanetin e tij ta dërgojmë në vend”, ka thënë ai.

Nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Prishtinë është mbajtur edhe një akademi përkujtimore në dyvjetorin e rënies së rreshterit Bunjaku.

I biri i tij, Fatlum Bunjaku, ka theksuar se ndihet krenar për babanë e tij.

“Çdo mëngjes kur zgjohem e ndiej boshllëkun që ka lënë, i kujtoj buzëqeshjen dhe fjalët e tij. E di se ai ra për një ideal më të madh, për atdheun, për kufijtë, për Kosovën tonë. Është e rëndë ta them, por edhe pse nuk është më pranë meje, unë ndihem krenar që pata një baba si ai. Sa herë që i takoj kolegët e tij, më kujtohet që babi im nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës”, ka theksuar ai 

Reagime përfaqësues politikë bënë nëpërmjet Facebookut.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike (PDK), e ka kualifikuar vrasjen e Bunjakut si testament guximi e përkushtimi për mbrojtjen e shtetit.

“Sakrifica e tij është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut”, ka shkruar ai në Facebook. 

E kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka theksuar se sakrifica e Bunjakut është kujtesë për sfidat me të cilat përballet Kosova.

“Afrim Bunjaku u vra nga pjesëtarë të një grupi terrorist të sponsorizuar e komanduar nga Serbia, derisa po ushtronte punën, duke dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është mbi çdo gjë personale”, ka thënë ai. 

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur respektin e përjetshëm për sakrificën e rreshterit policor, Afrim Bunjaku. 

“Sot kujtojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën sublime të “Heroit të Kosovës”, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në përvjetorin e rënies shpreh respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

Vitin e kaluar, për sulmin në Banjskë është ngritur aktakuzë ndaj 44 personave fizikë dhe një kompanie. 

Gjykimi në shkallë të parë ka nisur sivjet për tre të akuzuar të kapur në kohën e sulmit. Deri tash janë dëgjuar 11 nga 31 dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria. 

Shumica e të akuzuarve janë në kërkim nga Kosova. Ndërkaq, organet e Serbisë nuk u janë përgjigjur kërkesave të Prokurorisë Speciale për bashkëpunim dhe as thirrjeve për dorëzimin e Radoiçiqit dhe të akuzuarve të tjerë.

Serbia ka arrestuar ish-policin e Kosovës, Arbnor Spahiu, të cilin prej muajsh e mban në paraburgim nën pretendimin se ka kryer vrasje të rëndë në Banjskë, kur janë vrarë tre anëtarët e grupit terrorist.

Ky shtet ka nisur procesin edhe ndaj Radoiçiqit, nën dyshimin për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe trafikim të paligjshëm të armëve. Por, mediat në Beograd kanë raportuar së fundmi se përgjegjësi kryesor për sulmin në Banjskë tani u prin mbështetësve të dhunshëm të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kundër protestës së studentëve që synon ndryshimin e pushtetit.

Përveç në Banjskë, Kosova është përballur edhe me një sulm tjetër terrorist në veri vitin e shkuar, atë në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.