Nesër në emision do të mirëpresim dy të rinj të diasporës shqiptare, Gjovani Cinarin dhe Arjeta Zanón Ajetin, të cilët i bashkon përvoja në programin OriginAL, një iniciativë që synon rilidhjen e të rinjve të diasporës me rrënjët, kulturën dhe vendin e origjinës.
Gjovani, i lindur dhe i rritur në Mbretërinë e Bashkuar, në korrik të vitit 2025 mori vendimin të rikthehej për të jetuar në Shkodër të Shqipërisë. Sot, ai është Drejtor i Marketingut në Business Network Albania.
Ndërkaq, Arjeta, e lindur dhe e rritur në Madrid të Spanjës, me baba spanjoll dhe nënë shqiptare, është në përfundim të studimeve në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, politikës dhe ekonomisë. Ajo synon të ndërtojë karrierë në diplomaci dhe të kontribuojë në afrimin e marrëdhënieve mes Spanjës, Kosovës dhe Shqipërisë.
Rrugëtimet e tyre, përvojat në diasporë, lidhja me identitetin shqiptar dhe rëndësia e rikthimit e kontributit të të rinjve në vendlindje do të jenë pjesë e bisedës nga ora 08:00.