Shumë, si Dima, nuk kanë luftuar kurrë më parë; Stërvitja minimale ushtarake që ata kanë pasur ishte kur ishin në shkollë. Por shumica thonë se edhe nëse nuk do të ishin detyruar të qëndronin, do të kishin zgjedhur të qëndrojnë
(Al Jazeera) - Dmytro Moskalenko ishte 12 vjeç, në të njëjtën moshë që është djali i tij sot, kur Bashkimi Sovjetik u shemb tre dekada më parë. Tani, ai ka frikë se fëmija i tij do të hidhet në një botë në të cilën ai nuk dëshiron të kthehet kurrë.
“Unë nuk dua që ai të jetojë në Bashkimin Sovjetik 2.0 ... Unë dua që ai të jetojë në një shtet të lirë demokratik”, thotë babai 43-vjeçar që quhet Dima. Ai është ulur në një kafene të vogël në Kiev, ndërsa trupat tokësore ruse rrethojnë qytetin e tij dhe aeroplanët sulmojnë nga qielli.
Pas gati dy dekadash duke punuar për një ambasadë perëndimore në kryeqytetin ukrainas, ai la punën e tij për t'u bërë ushtar vetëm disa ditë pasi Rusia pushtoi në fund të shkurtit.
Dima me fjalë të buta është nostalgjik dhe nganjëherë emocional, duke i mbytur lotët dhe duke ndaluar për të mbledhur veten në mes të bisedës, ndërsa rrëfen tre javët e fundit të jetës së tij.
“Unë nuk besova deri në momentin e fundit që Putini do të pushtonte’, thotë ai. “Me të vërtetë mendova se ai kurrë nuk do ta bënte një krim të tillë në qendrën gjeografike të Evropës në shekullin e 21-të. Por për fat të keq, gabova”.
Dima është një nga dhjetëra e mijëra njerëz në të gjithë Ukrainën që raportohet se kanë tregtuar kostumet dhe laptopët e tyre për veshjet e ushtrisë dhe AK-47-at, duke iu bashkuar Forcave të Mbrojtjes Territoriale – njësive ushtarake vullnetare të forcave të armatosura – në përpjekje për të shmangur trupat ruse.
Qeveria ukrainase i ka ndaluar burrat nga mosha 18 deri në 60 vjeç, me disa përjashtime, të largohen nga vendi, duke i detyruar ata të qëndrojnë dhe të luftojnë ose të ndihmojnë përpjekjet e luftës në mënyra të tjera. Shumë, si Dima, nuk kanë luftuar kurrë më parë; Stërvitja minimale ushtarake që ata kanë pasur ishte kur ishin në shkollë. Por shumica thonë se edhe nëse nuk do të ishin detyruar të qëndronin, do të kishin zgjedhur të qëndrojnë.
Mst: Interesim i madh
Numrat që donin të merrnin armët për të mbrojtur Ukrainën kanë qenë kaq dërrmues saqë shumë prej tyre i thanë “Al Jazeeras” se ishin refuzuar, sepse njësitë ishin plot. Disa mbeten në listat e pritjes.
Ushtria e Ukrainës – e cila numëronte rreth 240.000 ushtarë para fillimit të luftës-ka qëndruar kundër forcave ruse më gjatë sesa pritej. Megjithatë, lufta po intensifikohet, pasi Rusia, e cila akuzohet për krime të mundshme lufte, synon civilët dhe spitalet dhe shkatërron dhe ndërpret qytetet. Të paktën 925 civilë janë vrarë sipas komisionarit të lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, por numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë më i lartë. Gati 10 milionë njerëz janë zhvendosur, rreth 3.5 milionë në vendet fqinje, në atë që OKB-ja e ka quajtur kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ofensiva tokësore drejt Kievit ishte ngadalësuar pas pushtimit fillestar, pasi autokolonat ruse ngecën afërsisht 15 deri në 30 kilometra (nëntë deri në 18 milje) në veriperëndim dhe lindje të qytetit. Por sulmet ajrore janë përshkallëzuar ditët e fundit, disa ndërtesa janë goditur nga raketa dhe disa njerëz janë vrarë.
Duke shëtitur në qendër të qytetit të Kievit me kolegët e tij – në një nga rastet e pakta që ai u lejua të largohej nga baza ushtarake që kur u bashkua – Dima tregon ndërtesat dhe lagjet ku ai shkonte në shkollë, luante me miqtë dhe jetonte me prindërit dhe motrën e tij, monumente që tani të kujtojnë një jetë tjetër.
Para pushtimit, Kievi ishte qyteti më i ngarkuar në Ukrainë, duke pritur koncerte dhe ekspozita dhe duke pasur një jetë të gjallë nate. Kryeqyteti tashmë i fortifikuar prej rreth tre milionë banorësh është zbrazur kryesisht nga banorët; ndërtesat janë të barrikaduara dhe dritaret të ngjitura me shirit; dhe rrugët dikur plot zhurmë janë të mbushura me postblloqe dhe kokteje molotov që presin të përdoren. Ushtarët që drejtojnë postet janë ndonjëherë miqësorë, herë të tjera të tensionuar, ndërsa të gjithë përgatiten për sulme të fuqishme.
Disa raunde bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë kanë dhënë pak. Janë krijuar dhe respektuar disa korridore humanitare që lejojnë që njerëzit të largohen nga qytetet e goditura rëndë, por qindra e mijëra mbeten të bllokuar. Bisedimet janë duke vazhduar, javën e kaluar të dyja palët sinjalizuan se ishte bërë përparim në planet për t’i dhënë fund dhunës.
Por, meqë lufta ka zgjatur për një muaj, luftimet tregojnë pak shenja pakësimi.
Jeta nën sundimin sovjetik
Si fëmijë, Dima thotë se ëndërronte të largohej nga Ukraina.
Duke u rritur nën sundimin sovjetik, programet televizive dënuan Perëndimin dhe transmetonin informacione se si Bashkimi Sovjetik ishte i vetmi vend i lirë në Tokë, diçka që Dima filloi ta vinte në dyshim kur u rrit.
“Kam dëgjuar të rriturit të flasin për politikën dhe ju e dini, ndërsa po rritesha, po kuptoja gjithnjë e më shumë se nuk ishte çdo gjë e vërtetë”.
Ai e varrosi veten në romanet e Zhyl Vernit, duke dëshiruar që të mund të shkonte në aventura si personazhet në tregime. Duke ditur se kishte vetëm disa mënyra se si dikush mund të largohej nga Bashkimi Sovjetik, ai u tha prindërve të tij se do të bashkohej me akademinë ushtarake dhe do të bëhej marinar që të mund të shihte botën.
Kur Dima mendon për jetën nën sundimin sovjetik, ajo që bie më shumë në sy ishin radhët e gjata dhe uniformiteti, thotë ai; sesi të gjithë visheshin njësoj dhe apartamentet e njerëzve ishin të stiluar me mobile të ngjashme, sepse kishte pak zgjedhje.
Ndonjëherë ai dhe babai i tij thyenin rregullat dhe blinin ushqime delikate në një dyqan ku tezja e tij e kishte për veteranë, i cili ishte më i pajisur, por ndalonte aksesin për publikun e gjerë.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990, familja e Dimas luftoi për të mbijetuar. Babai i tij, i cili punonte në një fabrikë kristalesh, shpesh nuk paguhej për muaj të tërë. Pronari i fabrikës i jepte kristal në vend të parave dhe i thoshte ta shiste në treg, thotë Dima.
Por, me kalimin e kohës erdhën më shumë mundësi dhe Dima nuk e ndjeu më se duhej të bëhej marinar për të përmbushur ëndrrën e tij për t’u larguar nga vendi. Në vend të kësaj, ai studioi gjuhësi në universitetin në Kiev duke u fokusuar në të folurit e gjuhëve të huaja si anglishtja dhe frëngjishtja, të cilat ai besonte se kjo ishte bileta e tij. Ai bëri një praktikë në Mbretërinë e Bashkuar përpara se të kthehej në Ukrainë dhe të punësohej në një ambasadë të huaj, të cilën nuk është i autorizuar ta emërtojë, ku ka kaluar 18 vjetët e fundit.
Dima ende punon teknikisht në ambasadë dhe thotë se puna e ka lejuar të përmbushë ëndrrën e tij të fëmijërisë për të udhëtuar nëpër botë. Ai ka qenë në pjesë të Afrikës, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për punë dhe pushime familjare. “Unë isha i lumtur me jetën time”, psherëtin ai, “para se lufta të fillonte”.
Lufta ka qenë traumatike për njerëzit në mbarë vendin. Duke udhëtuar në disa qytete të vijës së parë në mars, “Al Jazeera” foli me ukrainasit të zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe të cilët panë të afërmit të vdisnin, duke u përpjekur të largoheshin nga sulmet ajrore ruse.
Në qytetin jugor të Mykolaiv, i cili është bombarduar nga sulmet ajrore pothuajse të përditshme, morgu ishte i tejmbushur me trupa dhe duhej të linte disa jashtë që të afërmit t'i merrnin, sepse nuk kishte hapësirë brenda, tha Mykola Chechmil, i cili punon në morg.
Shumica e njerëzve i thanë “Al Jazeeras” se megjithëse nuk ishin të befasuar nga pushtimi i Rusisë, ata ishin të tronditur nga përmasat dhe shtrirja e dhunës. Disa thanë se mendonin se do të zgjaste vetëm disa ditë dhe do të kufizohej në lindje, ku konflikti ka vazhduar qëkur separatistët e mbështetur nga Rusia filluan luftimet në rajonet Donetsk dhe Luhansk, pasi Rusia aneksoi Krimenë më 2014.
Përktheu: Albina Sahiti