Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe e sigurisë, Adelina Hasani, ka thënë se nevojitet një lloj strategjie e mbështetur në tre hapa sa i përket asaj se si duhet të veprohet pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Ajo ka thënë se nevojitet unitet politik, mbështetje juridike dhe ofensivë diplomatike.
Sipas saj, strategjia duhet të nisë me qetësimin e situatës së brendshme politike, të vazhdojë me mbështetjen e ekipeve mbrojtëse dhe të përmbyllet me një angazhim më të strukturuar diplomatik.
Hasani ka vlerësuar se zhvillimet rreth Gjykatës Speciale nuk duhet të trajtohen vetëm si çështje juridike, por edhe në dimensionin politik dhe diplomatik, veçanërisht në raport me narrativat që, sipas saj, janë krijuar për Kosovën dhe UÇK-në.
“Ato që po i dëgjojmë më shumë nga partitë është më shumë që po bëhen gati për fushatë zgjedhore sesa për të pasur një unitet të brendshëm dhe pa u bë një qetësim i situatës politike ne nuk mund të arrijmë një lloj strategjie. Pra hapi i parë mendoj se duhet të gjithë akterët të bëhen bashkë, si dhe shoqëria civile”, ka thënë ajo të enjten në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.
Pjesa e dytë dhe e tretë e strategjisë, sipas Hasanit, duhet të fokusohet në aspektin juridik dhe në mbështetjen e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, si dhe në diplomaci.
“Hapi i dytë është aspekti juridik, pra mbështetja që duhet t’i jepet ekipit mbrojtës dhe ne fatkeqësisht nuk po e shohim që po ndodh kjo. Kjo pastaj do të na duhej të na çojë në hapin e tretë që do të ishte pjesa se si do të përgatiteshim në aspektin diplomatik, pa u përmbushur këto ne do ta kishim shumë vështirë të ndërtojmë një lloj strategjie në aspektin diplomatik”, është shprehur ajo.
Hasani ka shtuar se Kosova duhet të punojë më shumë për të paraqitur në arenën ndërkombëtare elementet dhe faktet që lidhen me historinë e UÇK-së dhe rrethanat në të cilat ajo u krijua.
Hasani ka përmendur gjithashtu narrativat që, sipas saj, janë përdorur në diskursin rus për Kosovën dhe UÇK-në, duke përfshirë pretendimet për trafikim organesh.
“Në përgjithësi në narrativën ruse Kosova ka qenë e përshkruar si një vend i dështuar e për UÇK-në ka qenë si një organizatë që ka bërë trafikim të organeve. Mendoj se në aktgjykim as nuk ngrihet kjo nga vetë Prokuroria. Në fazën ku jemi duhet të përdorim këto në aspektin diplomatik që këto nuk janë ngritur dhe ekziston perceptimi për to. Duhet të përmendim edhe historinë e UÇK-së në vetvete pse është krijuar UÇK-ja”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, Kosova duhet të investojë më shumë në marrëdhëniet me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që e mbështesin Kosovën.
“Ne duhet të fillojmë të ndërtojmë aleanca edhe me vende brenda BE-së që e përkrahin Kosovën, p.sh Irlanda është duke dhënë mbështetje të jashtëzakonshme drejt anëtarësimit në BE, ne duhet t’i përdorim këto aleanca për t’i shtyrë agjendat tona edhe për narrativën pozitive për Kosovën por edhe për avancimin drejt BE-së”, ka deklaruar ajo.