Sipas psikiatërve ukrainas, mijëra ushtarë po kthehen tani për tani nga vijat e frontit, duke vuajtur njëkohësisht prej çrregullimeve akute të stresit që lidhen me zhurmat e dronëve. “Dronofobia” mund të shkaktohet nga një sërë zhurmash të zakonshme të qytetit – motorë të vegjël e skuterë, kositëse bari, kondicionerë – gjithçka mekanike që shkakton zhurmë të mprehtë. Trauma e lidhur me zhurmat nuk është diçka e re – breza të tërë ushtarësh janë ndikuar prej tyre pas kthimit në jetën civile. Por meqë lufta në Ukrainë është shndërruar në konflikt të dirigjuar nga teknologjia e dronëve, edhe trauma ka marrë tashmë forma të reja.
Në një apartament të ngjeshur në kryeqytetin ukrainas, Kiev, Pavlo, operator dronësh 30-vjeçar, që ishte kthyer së fundmi nga vijat e frontit, hapi çantën e tij të zezë në formën e kutisë së picës. Brenda saj ndodhet një dron me katër helika të cilin e kishte për synim ta fluturonte nëpër dhomë.
Ai shtypi disa butona në njësinë e kontrollit dhe e lëvizi antenën në pozicione të ndryshme. Asgjë nuk ndodhi. “Më falni, jo sot”, i tha ai ekipit të BBC-së. Njësia dukej në rregull, por diçka ishte e prishur.
Në front, Pavlo — i cili ka kërkuar të identifikohet vetëm me emrin e tij të parë — ishte pilot i dronëve FPV (pamje nga personi i parë). Këta dronë të vegjël, shumë të manovrueshëm, kanë kamera përpara që të lejojnë t’i fluturosh në distancë.
Gjatë vitit të fundit, FPV-të të mbushura me eksplozivë janë tashmë gjë e zakonshme në vijat e frontit në Ukrainë, duke zëvendësuar armët e rënda që e karakterizonin fazën e parë të luftës.
FPV-të ndjekin automjetet e blinduara, gjurmojnë njësi këmbësorie përmes pyjeve dhe ndjekin ushtarë individualë deri në vdekje. “Nuk mund të fshihesh nga FPV-ja, dhe të ikësh është e kotë”, ka theksuar Pavlo. “Përpiqesh të jesh sa më i qetë, dhe lutesh”.
Edhe kur një FPV është shumë lart për t’u parë qartazi, ose i fshehur pas gjethnajës, ushtarët mund ta dëgjojnë zhurmën e tij karakteristike dhe të mprehtë.
“Bzzzzzzzzzz. Je duke u ndjekur”, ka shtuar ai.
Pas më shumë se një viti në vijën e frontit, Pavlo është kthyer në shtëpi, në apartamentin të cilin e ndan me gruan e tij. Por, zhurma e dronëve e ka ndjekur edhe atje.

As natyra s’ofron shpëtim
Pajisjet e përditshme mekanike si kositëset e barit, motorët dhe kondicionerët ia rikujtojnë FPV-të që e kishin ndjekur atë dhe shokët e njësisë.
As natyra s’ofron shpëtim. Pavlo nuk mund ta dëgjojë më zhurmën e bletëve apo mizave që i sillen përreth pa ndier ankth të brendshëm. “Nuk më pëlqen më të shkoj në natyrë dhe të dëgjoj këtë zhurmë, sepse më kujton dronët”, ka thënë ai.
Trauma e lidhur me zhurmat nuk është diçka e re – breza të tërë ushtarësh janë ndikuar nga zhurmat e papritura pas kthimit të tyre në jetën civile. Por meqë lufta në Ukrainë është shndërruar në konflikt të dirigjuar nga teknologjia e dronëve, edhe trauma ka marrë forma të reja.
“Gjatë vitit të fundit, shumica e pacientëve – nëse nuk janë të plagosur fizikisht – vuajnë nga pasoja të shëndetit mendor si rezultat i ekspozimit ndaj aktivitetit të dronëve”, është shprehur Serhii Andriichenko, psikiatër në spitalin ushtarak të Kievit.
“Ne e quajmë këtë dronofobi”.
Mijëra burra po kthehen tani nga vijat e frontit sikurse Pavlo, teksa vuajnë nga çrregullimet akute të stresit që lidhen me zhurmat e dronëve, ka bërë të ditur Andriichenko. “Dronofobia” mund të shkaktohet nga një sërë zhurmash të zakonshme të qytetit – motorë të vegjël e skuterë, kositëse bari, kondicionerë – gjithçka mekanike që shkakton zhurmë të mprehtë.
“Nëse është ndonjë motor i vogël apo kositëse, mendimi im i parë është se mund të jetë dron”, ka thënë Savur, një tjetër ushtar i kthyer nga fronti, i cili humbi krahun si pasojë e një sulmi me dron.
Në vijën e frontit, dronët ishin kthyer në “zhurmë të përhershme”, ka shtuar Savur, i cili në përputhje me protokollin ushtarak ka kërkuar të identifikohet me nofkën e tij.
“Zhurma e një predhe zgjat vetëm disa sekonda, por zhurma e dronit është aty shumicën e kohës”, ka konsideruar ai. “Mund të rrish i shtrirë në pozicionin tënd, në strehën tënde, dhe ta dëgjosh për orë të tëra. E kujtoj gjithmonë atë zhurmë”.
Ose ndonjëherë problemi është i kundërt – heshtja.
“Heshtja është gjithmonë fillimi”, ka thënë Andriichenko. “Kur ushtarët shkojnë në rotacion në pozicionet luftarake, ata fillojnë të dëgjojnë me kujdes për t’u siguruar që nuk ka dronë. Ka tension të vazhdueshëm, frikë të vazhdueshme. Gjithmonë shikojnë lart”.
Në shumë raste, ndjenja e vazhdueshme e tensionit nuk është zhdukur as pas kthimit në jetën civile. Janë parë ushtarë që papritur fiknin dritat në shtëpi, largoheshin nga dritaret dhe fshiheshin nën mobilie.
Më vonë, kur një ushtar paraqitet për trajtim, ai shpeshherë nuk mban në mend asnjë zhurmë që e ka shkaktuar reagimin, porse gruaja e tij ose ndonjë anëtar i familjes zbulojnë se në atë moment ishte ndezur aspiratori ose kondicioneri.
Ushtarët nga fazat e hershme të luftës – e cila karakterizohej më shumë nga përleshjet e ashpra të drejtpërdrejta – ktheheshin në shtëpi me frikë nga pyjet, ku edhe ishin zhvilluar shumica e luftimeve. Por lufta me dronë e ka përmbysur këtë dukuri.
Rritja e përdorimit të dronëve ka prodhuar tjetër efekt frikësues për trupat ushtarake – ajo ka zgjeruar zonën e rrezikut shumë larg nga vijat e frontit. Ushtarët që operonin deri në 40 kilometra larg, ose që janë tërhequr pas rotacionit, nuk mund të ulin më vigjilencën.
Nazar Bokhii, komandant i një njësie të vogël dronësh, ndodhej në strehë të hapur rreth 5 kilometra larg vijës së kontaktit, në momentin që njësia e tij e kishte goditur me sukses një pozicion rus të mortajave në distancë prej 22 kilometrash.
I entuziazmuar nga sulmi, Bokhii pati dalë me nxitim nga streha, duke harruar rregullin bazë: të ndalej dhe të dëgjonte për zhurmën e zakonshme të ndonjë droni.
Vetëm disa metra më tutje, një dron rus qëndronte pezull në ajër. Kur iu afrua me shpejtësi, Bokhii pati kohë vetëm të ngrinte duart. Pas shpërthimit, droni ia mori të dyja duart, syrin e majtë si dhe i kishte shkaktuar djegie të rënda në fytyrë.
Vetë Bokhii ka bërë të ditur se stresi pas-traumatik i tij është i kufizuar – ndonjë reagim frike ndaj motorëve apo kositëseve. Por ai e dinte mirë ndikimin e zërit, sepse njësia e tij e kishte përdorur atë për të shkaktuar terror te të tjerët.
“Ne ishim pala që shkaktonte frikë përmes zërit, jo ajo që do vuante prej tij”, ka thënë ai.
Në një moment ata e kishin kuptuar se zhurma mund të përdoret për t’i detyruar ushtarët rusë të dilnin nga strehimet.

“Vetë zhurma e dronit është sulm serioz psikologjik”
“I rrotullohesh përqark dhe ajo kthehet menjëherë në test të qëndrueshmërisë psikologjike të armikut”, ka shpjeguar Bokhii. “Vetë zhurma e dronit është sulm serioz psikologjik”.
Sipas tij, nëse bën zhurmë mbi një ushtar për kohë të gjatë, ai del nga strehimi dhe vrapon drejt terrenit të hapur. “Psikologjia jonë funksionon në atë mënyrë që ndiejmë nevojën të bëjmë diçka për ta qetësuar veten”, ka thënë Bokhii. “Kështu që rri pezull aty pranë dhe e shtyp psikologjikisht ... teksa ai fillon të vrapojë e bëhet më i lehtë për ta goditur”.
Ndërkaq, terrori psikologjik i FPV-ve nuk është më vetëm problem i vijës së frontit. Ai është përhapur edhe përtej zonave të luftës. Rusia ka filluar të përdorë FPV-të për të hedhur eksplozivë mbi civilët në qytetet afër vijës së frontit në Ukrainë.
Ndër më të goditurit është Khersoni, qytet që ndodhet në jug të vendit, e që për një kohë ishte i pushtuar nga forcat ruse dhe që ende ndodhet brenda rrezes së dronëve.
Sipas organizatës ndërkombëtare “Human Rights Watch”, forcat ruse kanë shënjestruar qëllimisht civilët në qytet me dronë FPV, duke i vrarë apo gjymtuar – akt ky që përbën krim lufte.
Sipas administratës ushtarake rajonale, të paktën 84 civilë janë vrarë në rajonin e Khersonit si rezultat i sulmeve me dronë rusë gjatë këtij viti.
Banorët janë shprehur se dronët e vegjël FPV janë terror i përditshëm.
“Nuk ekzistojnë më vende të sigurta”, ka thënë 23-vjeçari Dmytro Olifirenko, pjesëtar i rojeve kufitare që jeton në qytetin e Khersonit.
“Duhet të jesh gjithmonë vigjilent, i përqendruar, dhe për këtë arsye trupi është vazhdimisht nën stres”, ka shtuar ai.
Olifirenko po priste në një stacion autobusi në muajin shtator, kur dëgjoi zhurmën e njohur të dronëve rus që fluturonin sipër. “Menduam se do të ndiqte autobusin, sepse ata kishin ndjekur autobusë civilë edhe më parë”, pati menduar asokohe.
Por në vend të kësaj, droni thjesht hodhi eksplozivin mbi stacionin e autobusit, duke shpërndarë copëza në kokën, fytyrën dhe këmbën e Olifirenkos.
Videoja e kësaj ngjarje, e filmuar nga një kalimtar i rastit, ka regjistruar zhurmën e dronit të shoqëruar nga britmat e Olifirenkos, teksa gjaku i rridhte në trotuar.
Tani, Olifirenko vazhdon ta dëgjojë zhurmën e dronëve, si të ishin aty – edhe kur nuk janë.
“Të godet rëndë në shëndetin mendor dhe psikologjik”, ka shtuar ai. “Edhe kur largohesh për në Mykolaiv apo në ndonjë qytet tjetër, je vazhdimisht duke e dëgjuar”.
Për civilët si Olifirenko, dronët kanë shndërruar zhurmat e zakonshme të zonave urbane – makinat, motorët, gjeneratorët, kositëset e barit, kondicionerët – në kurth të përditshëm psikologjik që duhet përballuar, përveç rrezikut të vërtetë që këta dronë paraqesin.
Për ushtarët që kthehen nga fronti, si Pavlo, dronët kanë krijuar lloj të ri e më specifik të frikës – e cila nuk largohet lehtë.
“E sheh botën si fushëbetejë. Dhe ajo mund të kthehet në fushëbetejë në çdo sekondë”, ka thënë ai.
Sipas Pavlos, nga të gjithë shkaktarët që lënë pasoja afatgjata, dëgjimi – shqisa që ndikohet më së shumti nga dronët, – ishte më i rrezikuari.
“Kur sheh diçka, truri mund ta analizojë menjëherë, ta kuptojë shumë shpejt çfarë është. Por një zë i panjohur është ndryshe. Truri yt ndryshon. Nuk mund ta injorosh, duhet të reagosh. Sepse në vijën e frontit, mund të të shpëtojë jetën”, ka theksuar ai.