Botë

Vritet shefi i Shtabit i Houthit në Jemen

Muhammad Abd Al-Karim al-Ghamari

Burimi i fotografisë: Almasirah

Houthit e Jemenit kanë njoftuar të enjten se Shefi i Shtabit të tyre, Muhammad Abd Al-Karim al-Ghamari, një nga zyrtarët më të lartë ushtarakë të grupit të mbështetur nga Irani, është vrarë gjatë kryerjes së detyrës.

Pa e fajësuar drejtpërdrejt Izraelin për vrasjen e tij, Houthit kanë thënë se konflikti me Izraelin nuk ka mbaruar, raportoi Reuters.

“Izraeli do të marrë ndëshkimin që i takon për krimet që ka kryer", thuhet në deklaratën e lëshuar.

Në gusht, Izraeli pati shënjestruar shefin e shtabit të Houthit, ministrin e mbrojtjes dhe figura të tjera të larta në sulmet ajrore në Sanaa të Jemenit, në të cilat u vranë kryeministri i qeverisë së drejtuar nga Houthi dhe disa ministra të tjerë.

Izraeli pati deklaruar atëherë se sulmi ajror kishte në shënjestër al-Ghamari-n, ministrin e mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe se po verifikonte rezultatet.

Ghamari ishte pjesë e “Zyrës së Xhihadit” të Houthit, të udhëhequr nga Abdul Malik al-Houthi, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e operacioneve ushtarake të grupit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar të enjten se Ghamari është vrarë në një sulm izraelit. 

"Ne do të veprojmë njësoj kundër çdo kërcënimi tjetër në të ardhmen", ka shtuar ai.