Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vëllai i presidentit të Sri Lankës arrin të arratiset drejt SHBA-së

Ish-ministri i Financave i Sri Lankës, Basil Rajapaksa, është larguar nga vendi i goditur nga kriza, thanë burimet për BBC të martën.

Vëllai më i vogël i presidentit Gotabaya Rajapaksa u pengua të largohej nga vendi 24 orë më parë, por tani thuhet se po shkonte për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti u zotua të japë dorëheqjen të mërkurën mes protestave masive për krizën ekonomike që ka kapluar vendin.

Ai u fsheh pasi turmat hynë në pallatin e tij të shtunën. Pritet të dorëhiqet edhe kryeministri i tij.

Udhëheqësit e protestës po kërkojnë që presidenti dhe kryeministri Ranil Wickremesinghe të dorëhiqen tani së bashku me qeverinë - ose të përballen me protesta shumë më të mëdha.

Banorët e Sri Lankës fajësojnë administratën e presidentit Rajapaksa për krizën e tyre më të keqe ekonomike në dekada. Për muaj të tërë ata kanë luftuar me ndërprerjet e përditshme të energjisë dhe mungesat e gjërave bazë si karburantet, ushqimet dhe ilaçet.